Alarmet për bomba në Vilën Presidenciale, institucionet dhe hotelet janë të rrejshme

Ministria e Punëve të Brendshme njofton se janë bërë të gjitha kontrollet e sigurisë në lidhje me alarmet e sotme të vendosje të “bombave” dhe ka rezultuar se të gjitha janë të rrejshme, njofton Portalb.mk.

“Kemi bërë kontrolle në lidhje me paraqitjen për marrjen e porosive në adresat elektronike me kërcënime për vendosje të eksplozivit në institucione, shkolla, hotele dhe ndërtesa në Shkup dhe një shkollë në Prilep dhe është konstatuar se bëhet fjalë për paraqitje të rrejshme”, thuhet në njoftimin e MPB-së.

Ndryshe, paportimet për vendosje të bombave kanë nisur mëngjesin e sotëm rreth orës 08:20 në adresat elektronike të disa mediave, pas së cilës ka nisur evakuimi i menjëhershëm i punonjësve në media dhe në të gjitha institucionet e tjera që kanë marrë kërcënime për bomba të vendosura. Ndër to është edhe Vila presidenciale në Vodno.

“Konfirmojmë se mëngjesin e sotëm, më 21 shkurt 2023, jemi njoftuar nga Ministria e Punëve të Brendshme se është raportuar për një bombë të vendosur në rezidencën e presidentit. Zyra e Presidentit respekton udhëzimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe zbatimin e protokolleve standarde në raste të tilla. Presidenti Pendarovski sot do t’i kryejë detyrat e tij të rregullta të punës sipas agjendës së paraparë të aktiviteteve”, thanë nga kabineti i presidentit Pendarovski, raporton Mkd.mk.

Raporti për bomba të vendosura ka ardhur nga një Graham Klein i cili ka shkruar se përveç kërcënimit me eksploziv në Qendrën Tregtare të qytetit QTQ në Shkup, ka pasur të vendosura bomba edhe në objekte të tjera: Muzeun e Qytetit të Shkupit (MQSh) , Muzeu MMB në Adresën 11 marsi, Shkup, Muzeu Natyror i Maqedonisë bul. Ilinden 83, Kalaja e Muzeut Arkeologjik të Maqedonisë Dimitar Vlahov 1000, Shtëpia / Muzeu përkujtimor i Nënë Terezës, Qendrën Tregtare East Gate Mall, Qendrën Tregtare Biser, ndërtesa e banimit Agora Flatiron, Kullat e banimit Xhevahir, Gjykata Administrative e Maqedonisë Dame Gruev 6, Shkup, Shtëpia e Presidentit – Vila Vodno. Kërcënim ka edhe për Hotel Marriott (Sheshi i Shkupit), Hotel Aleksandar Palace, Qendra Sportive Boris Trajkovski, Stacioni Qendror Hekurudhor Shkup dhe Ndërtesa e Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM).

Nga 26 tetori i vitit 2022 në Shkup dhe disa qytete të RMV-së, disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave, por më pas edhe të institucioneve, qendrave tregtare, aeroporteve, është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Deri tani, të gjitha denoncimet kanë rezultuar të jenë të rrejshme. MPB, vazhdon të deklarojë se po punon në zbardhjen e tyre, por deri më tani nuk dihet se prej ku vijnë këto kërcënime.

Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button