Përsëri kërcënime për bomba në Maqedoninë e Veriut, dhe përsëri të rrejshme

Policia e Maqedonisë së Veriut ka vlerësuar edhe sot se kërcënimet për bomba në disa shkolla fillore dhe të mesme në Shkup janë të pavërteta, transmeton Portalb.mk.

“Informojmë qytetarët se sot në ora 15:55 kanë mbaruar të gjitha kontrollet e nevojshme në lidhje me raportimet e sotme të ardhura nga 13 shkollat fillore dhe 6 të mesme në Shkup, pas marrjes së mesazheve përmes adresës elektronike për vendosje të bombave, ashtu që u konfirmua se bëhet fjalë për paralajmërime të rrejshme”, deklarojnë nga Policia.

Policia sqaroi që pas marrjes së raportimeve rreth orës 13:30, ka evakuuar objektet e kërcënuara, për të vazhduar pastaj me kontrollet.

Ndryshe, dje në orët e pasdites u raportua nga Policia e Maqedonisë së Veriut se kërcënimet për bomba në disa shkolla, institucione dhe qendra tregtare të Shkupit rezultuan të pavërteta.

Nga 26 tetori i vitit 2022 në Shkup dhe disa qytete të RMV-së, disa herë është denoncuar se në email-adresat e disa shkollave, por më pas edhe të institucioneve, qendrave tregtare, aeroporteve, është dërguar kërcënim për vendosje të bombës. Deri tani, të gjitha denoncimet kanë rezultuar të jenë të rrejshme. MPB, vazhdon të deklarojë se po punon në zbardhjen e tyre, por deri më tani nuk dihet se prej ku vijnë këto kërcënime.

Ekspertët vlerësojnë se alarmet e deritanishme për bomba vijnë prej Rusisë, ndërkaq, qëllimi është që të ndjellin frikë te qytetarët në kontekst të luftës në Ukrainë dhe ankthit për një konflikt në veri të Kosovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button