Përdoruesit e Instagramit dhe Facebook-ut do të mund të paguajnë për të verifikuar profilet e tyre
Përdoruesit e Instagramit dhe Facebookut tani do të mund të paguajnë që të marrin shenjën blu të verifikimit, tha kompania Meta, raporton BBC, transmeton Portalb.mk.
Shërbimi “Meta Verified” do të kushtojë 12 dollarë në muaj në ueb dhe 15 dollarë për përdoruesit celularë të iPhone.
Shërbimi do të bëhet i disponueshëm në Australi dhe Zelandën e Re këtë javë, dhe sipas drejtorit ekzekutiv të Meta, Mark Zuckerberg, masa do të përmirësojë sigurinë dhe origjinalitetin në rrjetin social.
Shërbimi i abonimit nuk është ende i disponueshëm për bizneset, por individët do të mund të paguajnë për profil të verifikuar.
Shenja blu ose distinktivi blu përdoret si një mjet verifikimi për llogaritë e përdoruesve të profilit të lartë për të treguar vërtetësinë e tyre. Përdoruesit që paguajnë për këtë shërbim në Instagram dhe Facebook do të kenë shikueshmëri më të madhe të postimeve të tyre, mbrojtje nga imituesit dhe akses më të lehtë në shërbimin ndaj klientit.
Gjigandi i teknologjisë deklaroi për BBC-në se ndryshimi nuk do të ndikojë në llogaritë e verifikuara paraprakisht.
Lëvizja, përndryshe, vjen pasi pronari i Twitter, Elon Musk prezantoi një abonim premium të quajtur “Twitter Blue” nëntorin e kaluar. Funksioni u ndërpre pas disa ditësh pasi përdoruesit filluan të imitonin markat e mëdha dhe të famshmit duke paguar një bexh blu, përpara se të lansohej përsëri.