MAGISTER SECUNDUS

Lindja ka dhënë shumë koka fisnike, urtarë që kanë lënë gjurmë në historinë e njerëzimit, që kanë hyrë në analet e mendimit botëror, që ndonëse kanë kaluar shekuj, sot e këtë ditë janë aktualë, analizohen nga shkollarë e institucione të ndryshme e mësohen nëpër katedrat universitare. Ndër ta është edhe Alfarabius-i (Farabiu, 870-950), “Mësuesi i Dytë” (ar. el-Mu‘al-lim eth-thani, lat. Magister Secundus), një figurë poliedrike, enciklopedike, që ka kontribuar në shkencë, filozofi, logjikë, sociologji, mjekësi, matematikë, muzikë etj., autor i famëmadhes Qyteti i virtytshëm, i Margaritarëve të urtësisë, i Klasifikimit të shkencave, i Arritjes së lumturisë, i mbi 100 veprave të ndryshme, që rrokin një gamë jashtëzakonisht të gjerë të temave nga abstraktet, metafizike, deri te konkretet shoqërore.

Farabiu njihet si një ndër filozofët më të mëdhenj politikë të islamit, si ndjekës i Platonit, si themelues i neoplatonizmit islamik (Elhajibrahim, 2006), si pajtues i platonizmit me botëkuptimin filozofik të Aristotelit, si islamizues i Platonit (Black, 2011:70-74) dhe  platonizues i politikës (Strauss, 1990), si ndjekës i teorisë plotiniste të emanacionit e si pararendës i asaj funksionaliste (Karlığa, 2014: 83). Bazuar në idetë politike dhe etike të filozofëve grekë dhe duke i shfrytëzuar ato të Lindjes së lashtë, ai ka zhvilluat një teori koherente të strukturës sociale (Suleimenov, 2012), një ide utopiste, kozmopolite dhe humaniste (shteti i përsosur është universal). Shenjë dalluese e filozofisë së tij është lidhja mes stërvitjes etike ose kulturës shpirtërore me politikën dhe shtetbërjen (Butterworth, 2005: 266). Ai ka ndikuar te Alhazeni, Maimonidesi, Averroesi, Shën Thoma, Albert Magnusi, Roger Baconi, Etienne Gilsoni, Leo Straussi, Richard Walzeri, Muhsin Mahdiu etj.

Prof. Karlığa (2015) thotë se nuk do të ishte teprim po të thuhej se mendimi islam është vazhdim dhe zgjerim i ideve të Farabiut. Qëllimi kryesor i mendimit të tij sillet rreth aspiratës së pashuar të njerëzimit drejt perfeksionit (Akipbek, 2010), gjegjësisht lumturisë, kusht i domosdoshëm i së cilës është filozofia si art mbretëror (Strauss, 1945: 382). Sipas tij, virtytet janë vegla për të arritur lumturinë e kësaj bote ose “perfeksionin e parë të njeriut”, që është rrjedhim i disa aksioneve fizike, morale dhe mentale të njeriut, instrumente të artit të qytetërimit (es-sinaatu’l-medenijje). Ai ka jetuar një identitet të ndarë, mes fesë dhe filozofisë, duke pohuar se feja e bën të mundshëm qasjen te e vërteta përmes simboleve dhe imazheve, kurse filozofia përmes demonstrimit (el-burhan). Krahasuar me dijet dhe të vërtetën e njerëzve të tjerë, e vërteta dhe dija e filozofëve janë superiore dhe më të përkryera. Disa pohojnë se ai ka imagjinuar një shoqëri me filozofinë si “fe zyrtare” (Crone; 2005:185-187), ndërkohë që ai vetë ka pohuar se filozofia mundëson të kuptuarit e ligjit hyjnor (Rosenthal, 1958:131).

Vepra që trajtojmë këtu, Farabiu: Magister Secundus, redaktuar nga autori i kësaj kolumne, botuar nga “universiteti joformal” Logos-A (2022), produkt i frymëzimit nga një libërth i blerë në një panair ndërkombëtar,  përmban gjithsej shtatëmbëdhjetë artikuj të autorëve eminentë nga katër anët e botës, Turqi, Gjermani, SHBA, Meksikë, Singapor, Egjipt, Pakistan dhe Maqedoni e Veriut, si dhe katër fragmente përkthimi nga veprat origjinale të Farabiut, ku ai flet vetë, pa interpretimet tona. Shpresojmë që ky tekst të ngjallë nervin filozofik ndër shqiptarë, sferë kjo ku jemi tepër deficitarë (Zimeri, 2022), të nxisë ndër ne mendimin mbi vlerat, virtytet, shoqërinë e shëndoshë si antipod i asaj injorante, të degraduar, krizologjike, t’i shtyjë hulumtuesit që të kalojnë te veprat integrale të Farabiut,  prej ku do të nxjerrin margaritarët e thesarit të tij dituror.

Ky tekst mund të bashkëlexohet me veprën e Moritz Steinsneider-it, El Farabi: Jeta dhe vepra të filozofit arab (Alsar, Tiranë, 2022) dhe Husejn Ismail Mekki-t, Farabiu: Qyteti i virtytshëm (Logos-A, Shkup, 2018).

Në fund do të japim një fragment nga vepra e tij Aforizmat e shtetarit (përkth. Rubin Hoxha) ku Mjeshtri në fjalë shpërfaq segmente të filozofisë së vet politike të veçantë:

“Trupin e kuron mjeku, kurse shpirtrat i kuron prijësi/shtetari, ndryshe sundimtari (el-melik). Por qëllimi i mjekut në kurimin e trupit nuk është që gjendjet e trupit t’i bëjë gjendje me të cilat shpirti kryen punë të mira ose të liga, por gjendje me të cilat aktet e shpirtit – që mund të jenë të mira ose të këqija – të kryhen në mënyrën më të përsosur. Mjeku që shëron duart, e bën këtë në mënyrë që aftësia e njeriut për të kapur me to të vijë në gjendje të përsosur; pastaj njeriu këtë aftësi mund ta përdorë për mirë ose për keq. Mjeku që shëron syrin, synon ta bëjë atë të shohë sa më mirë, pavarësisht nëse do të përdoret për të parë gjëra të nevojshme e të bukura, apo të kota e të shëmtuara. Nga kjo pikëpamje, nuk i takon mjekut ta analizojë në këtë kuadër shëndetin dhe sëmundjen e shpirtit, por i takon prijësit dhe sundimtarit. Sepse ky prijësi, me artin e politikës, sundimtari me artin e sundimit përcaktojnë se ku dhe mbi kë duhet apo nuk duhet aplikuar arti i tij, se çfarë shëndeti duhet arritur për trupin dhe çfarë jo. Nga kjo pikëpamje, gjendja e artit të sundimit dhe të politikës mes arteve të tjera është si ajo e kryearkitektit mes arkitektëve të tjerë. Sepse ashtu siç arti i arkitektëve përdoret për të arritur synimin e artit të kryearkitektit, edhe artet e tjera në qytet funksionojnë dhe përdoren për realizimin sa më të plotë të artit të politikës dhe të sundimit.”

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button