DYMBËDHJETË PA PESË

Nëse ka një temë që duhet rrahur sot nga secila medie dhe nga secili opinionist, nëse ka një shqetësim që duhet të alarmojë dhe të brengosë çdo njeri që dëshiron të jetojë dhe të vdesë aty ku i ka rënë koka, ajo është tema e shuarjes në këste trishtuese të trojeve tona. Kjo duhet të jetë sot kryetema që zhvesh, shfronëson e shpronëson politikanët e fjetur (respekt përjashtimeve), që prej vitesh bëjnë sehir gjendjen e mjerueshme të jetës së të rinjëve të papunë, politikanët hajdutë që po na shndërrojnë në apatridë, politikanët antikombëtarë që vrasin shpresat e të rinjëve dhe realizojnë elaboratet e garashaninëve për një Shqiptari pa shqiptarë, politikanët tuxharë që bënë gjithçka për vete, po shumë pak për të ardhmen ndryshe të popullit të katandisur si kurrë ndonjëherë.

Dorën në zemër, ikin edhe të rinjtë e etnive të tjera, por askush nuk ik si ne. Të dhënat flasin se përqindja e shqiptarëve që zhvendosen përsijeta në shtetet perëndimore është bindshëm më e lartë se ajo e të tjerëve përreth nesh. Dhe kjo nuk është dhe nuk mund të jetë rastësi, sepse vetëm brenda gjashtë muajve të fundit nga shkollat e Shkupit, Tetovës dhe Gostivarit janë shpërngulur mbi 440 nxënës shqiptarë, bashkë me familjet e tyre.

Fatkeqësisht dhe përkundër gjithë asaj që po ndodh prej vitesh para syve tanë, ata që duhet të ndërmarrin diçka për ta zbutur tragjedinë, e relativizojnë atë me pallavra, kurse ata që nuk kanë gjë në dorë me lutjen: Bane Zot andërr!

Nëse deri dje menduam se hyrja në BE do ta pengojë shndërrimin e Shqiptarisë në atdhe të tjetrit, tani u tret edhe kjo shpresë. Perëndimi nuk investon më shkretishteve, sepse do ta zhvillojë vetveten. Ai është plakur dhe ka nevojë për rinim, ka nevojë për krah pune, ndaj merr kuadro të gatshëm – mjekë, motra medicinale, profesorë, inxhinjierë, arkitektë, programerë, mjeshtër zanatesh të ndryshme, merr bujqë dhe blegtorë, merr gjithkë që është i aftë për punë dhe gjithkë që dëshiron të jetojë më mirë se në vendin e tij. Ai preferon ta bëjë këtë me të rinjtë e Ballkanit, veçmas me shqiptarët dhe boshnjakët, që janë të gatshëm të bëjnë çfarëdo pune, vetëm për të shpëtuar nga jeta mizerje. Perëndimi do racën e bardhë, ndaj ua hap dyert pa asnjë kusht ballkanasve, pa çka se vendet e tyre do të mbeten shumë shpejt pa fuqi punëtore dhe do të shndërrohen në kampe refugjatësh afro-aziatikë. Këtë e kuptuan me vonesë pronarët bishtpërveshur shqiptarë, të cilët talleshin deri dje me të rinjtë që i punësonin në të zezë, që i detyronin të punojnë pa ditë pushimi, që i paguanin me paga mizerje, që i trajtonin si skllevër  mesjete dhe që i përzinin nga puna në sekondin që guxonin të kerkojnë rritjen e rrogës me ndonjë cent më shumë. Të tillët sot ngjesin fletëza, kudo që kanë mundësi dhe kërkojnë punëtorë, me premtimin se do t’u ofrojnë paga më të majme se dje. Kështu bëjnë padronët gjithandej trojeve tona, po më nuk ka kush t’u besojë, sepse kanë ikur e po ikin të gjithë.

Në kësi rrethanash janë të pakumptimta dhe të palogjikshme apelet e faqezinjëve të politikës në stilin: Mos e braktisni atdheun se do të bëhet mirë! Mos ua leni të tjerëve tokat e të parëve! Rrini këtu se ne mendojmë për ju!… e më the e të thash, sepse ata që ikin nuk e bëjnë këtë për punë qejfi, po për ekzistencë fizike.

Mjerisht, situata është e ngjashme edhe në dy shtetet shqiptare, ku parësia gjithashtu ka dështuar në punësimin e të rinjëve në vende pune me paga që sigurojnë jetë normale. Janë mbi 200 mijë të rinj nga Kosova që kanë aplikuar për viza gjermane brenda 3-4 muajve të fundit, sepse nuk jetohet me 250 euro në muaj. Në Shqipëri numri i të ikurve dhe atyre që ikin për çdo ditë është dhjetra herë më i lartë, po edhe atje, si kudo tjetër ku jetojnë shqiptarët, ndihet pafuqia për të ndërmarrë diçka serioze që do ta ndalte këtë tmerr në dymbëdhjetë pa pesë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button