Qeveria njoftoi futjen e sistemit për monitorimin e produkteve të duhanit dhe derivateve të naftës

Po krijohet një sistem për eliminimin e tregtisë së paligjshme të produkteve të duhanit sipas rregulloreve evropiane. Këtë e ka bërë të ditur Qeveria pasditen e sotme pas përfundimit të seancës së 129-të, transmeton 360 Gradë.

Bëhet fjalë për futjen e një sistemi për monitorimin dhe kontrollin e produkteve të duhanit dhe një sistemi për monitorimin dhe kontrollin e naftës dhe derivateve të naftës – “Truck&Trace”.

Ky sistem duhet të mundësojë monitorimin e produkteve të duhanit nga faza e prodhimit të tyre, deri në pikën e parë të shitjes me pakicë.

“Qeveria, me propozim të Ministrisë së Financave, shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për ngritjen e Sistemit të monitorimit dhe kontrollit të produkteve të duhanit dhe Sistemit të monitorimit dhe kontrollit të naftës dhe derivateve të naftës – Track&Trace, me rekomandime për mënyra e zbatimit në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sistemi i monitorimit dhe kontrollit të produkteve të duhanit, sipas informacioneve të Ministrisë, synon të sigurojë monitorimin dhe kontrollin e produkteve të duhanit në të gjitha fazat, nga prodhimi, deri në fazën e shpërndarjes, deri në pikën e parë të shitjes me pakicë”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Qeveria shton se ky sistem për produktet e duhanit në BE është i rregulluar me direktiva dhe rregullore që janë të detyrueshme në të gjitha vendet anëtare .

Më shumë informacion se si do të zbatohet “Track&Trace” nuk është specifikuar.

Qeveria shkoi drejt një partneriteti publik-privat, më pas hoqi dorë.
Ajo që dihet për publikun është se ideja, si dhe procedura për futjen e një sistemi të tillë, ka nisur më shumë se tre vjet më parë. Më 22 tetor 2019, Sekretariati i Përgjithshëm nën udhëheqjen e Dragi Rashkovskit publikoi njoftimin për përgatitjen e studimit të fizibilitetit për sistemin elektronik për monitorimin e mallrave të akcizës. Për këtë më 5 dhjetor 2019 është lidhur edhe një kontratë me vlerë 47 mijë euro me Kompaninë Konsulente “Target Komunikimet”. Një vit më vonë, megjithatë, në një seancë të qeverisë më 15 dhjetor 2020, kur Zoran Zaev ishte kryeministër, u vendos që të fillojë procedurë që duhet të përfundojë me partneritet publik-privat për, siç thuhej në atë kohë, vendosjen e sistemit elektronik të monitorimit të mallrave të akcizës”.

Duke shpjeguar planin pse partneritet publiko-privat, në prill të vitit 2021, drejtori i atëhershëm i Drejtorisë së Doganave, Goran Sugarevski, për “360 Gradë” tha se është kërkuar partner privat sepse Dogana nuk i ka mjetet që duheshin bërë shtesë.

“Ka shumë vende ku punojnë në këto sisteme dhe nuk e di pse dhe nga vjen kjo paqartësi që përfundimisht do të shfaqej në publik. Shumë praktika evropiane i kanë ato. Unë po flas për BE-në”, tha atëherë Sugarevski.

Për dallim nga ai, Delegacioni i BE-së në Shkup atëherë tha se nuk dinë ndonjë shtet anëtar të Unionit në të cilin në këtë sferë funksionon partneriteti publiko-privat.

Komuniteti i biznesit kishte rezerva për këtë plan të Qeverisë, duke shpjeguar se futja e partnerit privat do të nënkuptonte edhe ekspozim ndaj kostove më serioze financiare, si dhe se partneriteti publik-privat është problematik edhe për sa i përket direktivave të BE-së.

Menjëherë pas kësaj, Qeveria e braktisi planin. Në shpjegimin e shkurtër pse hoqën dorë nga partneriteti publik-privat, ata deklaruan se nga analizat rezultoi se zbatimi i tij do të nënkuptonte kosto të dyfishtë për kompanitë, si dhe se nuk është plotësisht në përputhje me praktikat dhe rregulloret evropiane.

Tani për tani është enigmë se për çfarë sistemi ka vendosur qeveria dhe nëse ka pëlqimin e BE-së.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button