Miti mbi librin dhe biblioteka si univers

Jorge Luis Borges i mbeti besnik botës së librave. Librat, sipas tij, janë fati i rezervuar vetëm për njerëzimin.

Tregimi “Shtëpia e Asterionit” është komentuar si metaforë për vetë Borges-in. Minotauri s’del nga labirinti, sepse s’mund të përshtatet në kaosin e kësaj bote. Borges-i s’mund të dilte nga biblioteka, sepse vetëm aty e gjeti sigurinë.

Borges-i e krahasoi bibliotekën me parajsën, universin dhe labirintin, veten e quajti “labirint i qetë”, kurse librin e quajti “instrumentin më mahnitës të njeriut, që s’është asgjë kur s’e hapim, por ndodh çudia kur e lexojmë”.

Ai e krahasoi zgjerimin e bibliotekës me zgjerimin e universit, ngjashëm siç na mëson teoria e relativitetit.

Guljermo Sukre, që e komentoi këtë simbol të Borges-it, tha: “Biblioteka është univers, kurse mesi i tij është mesi i bibliotekës”.

Për shkrimtarin e verbër argjentinas, bota e librave zgjerohet dhe bëhet labirint i pafundmë realiteti. Problemi i përplasjes së realitetit e irrealitetit bëhet i dykuptimshëm dhe shndërrohet në sistem të pafundmë pasqyrash, ku njëri iluzion e zëvendëson tjetrin, ku prej njërës ëndërr buron ëndrra tjetër, ku në njërën shfaqje luhet shfaqja tjetër.

Libri, sipas Borges-it, ndryshon vazhdimisht dhe pasurohet nga lexuesi. Relacionin krijues – lexues e shprehu nëpërmjet thënies së Berklyt: “Shija e mollës nuk është as te molla, as te buza e njeriut. Shija lind nga prekja e ndërsjellë”.

Për Borges-in, pa mjeshtri leximi s’mund të ketë mjeshtri shkrimi. Leximi nuk është gjendje pasive, por akt krijues.

“Le të mburren të tjerët me faqet që kanë shkruar, unë krenohem për ato që kam lexuar”.

Borges-i tha se leximi i një libri është lexim i gjithë kohës së kaluar, nga çasti kur është shkruar ai. Librin, sipas tij, e shkruajnë të gjithë shkrimtarët. Çdo krijim letrar e përmban gjithë letërsinë e mëparshme. Letërsia, kështu, është si ëndërr, si palimpsest i papërfunduar, që lind si nxitje nga veprat tjera dhe si përgjigje ndaj tyre.

Nëpërmjet sprovave për libra të ndryshëm, Borges-i na mësoi të lexojmë ndryshe. Të shkojmë përtej asaj që thuhet. Të bëhemi bashkëpjesëmarrës në krijim. Të marrim pozicion aktiv estetik derisa lexojmë.

Letërsia e Borges-it ushtroi ndikim te shumë shkrimtarë pasardhës. Borges-i, ndërkaq, mendonte se shkrimtari e krijon edhe paraardhësin e tij. Pra, zbulon përmasa të reja në një vepër të krijuar para tij.

Borges-i shkruan bukur edhe për gjërat me të cilat mund të mos pajtohemi. Ai s’i ngarkon letërsisë misione që s’mund t’i durojë.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button