Nuk ka datë konkrete për Planin Gjeneral Urbanistik të ri të Tetovës, vijojnë procedurat thonë zyrtarët

Gjatë periudhës parazgjedhore, kryetari aktual i Komunës së Tetovës premtoi se në gjashtë mujorin e parë të pasi ai të vjen në krye të këtij institucioni do të miratohet plani gjeneral urbanistik (PGJU) i Tetovës, kjo nuk është bërë ndonëse ka kaluar më tepër se një vit që kur ai mori detyrën e të parit të komunës. Nga ky institucion për Portalb.mk thonë se kjo procedurë është në fazën e grumbullimit të dokumentacionit.

Nga Komuna e Tetovës theksojnë se pas kontrollimit të të dhënave nga nëpunësit administrativ kompetent nga Departamenti për planifikim urbanistik në lidhje me procedurën përkatëse, procesi është në vijim e sipër, por pa dhënë afat kohor konkret.

“Ju njoftojmë se procedura për miratimin e PGJU të ri të Tetovës është në fazën e grumbullimit të dokumentacionit të nevojshëm për inicimin e procedurës për miratimin e PGJU të Tetovës”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Kujtojmë që në nëntor të vitit të kaluar, kryetari i Tetovës theksoi se ka pranuar një kornizë të procedurave dhe afatit kohor që duhet për miratimin e planit të ri gjeneral.

“Besoj për një periudhë të shpejtë ne do të dalim me një plan aksional për kohën dhe resurset që do të duhen për miratimin e planit gjeneral urbanistik për Komunën e Tetovës”, deklaroi Kasami me 11 nëntor 2022.

Përndryshe, miratimi i planit gjeneral urbanistik është nevojë e madhe për qytetin pasi shihet si zgjidhje për zvogëlimin e kaosit në trafik dhe ndërtimeve. Për herë të fundit plani gjeneral urbanistik u miratua në vitin 2003. Në vitin 2019 filloi procedura për sjelljen e një plani të ri, por kjo ngeci.

Me miratimin e planit të ri gjeneral urbanistik parashihet të zbutet kaosi urban në Tetovë, përmes zgjerimit të hapësirave, rrugëve, bulevardeve, parqeve dhe të tjera.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button