AKADEMIZMI MIT-HISTORIK (II)

Shkrimtari Kraja në kuadër të shkrimit të kontetsuar nga vetë Akademia  pohon se duhet që bashkësisë ndërkombëtare t’i tregohet dhe argumentohet se rreth 98% e kosovarëve janë popullsi myslimane jo pse ata e zgjodhën myslimanizmin si besim dhe bindje fetare të kohëve moderne, por nga një trashëgimi e kohëve të errëta të historisë.” (2022:10) Çfarë arsyetimi dhe apologjie infantile, shoqëruar me poltronizëm që s’i ka hije një akademiku. Po pse një popull të mbetet në historinë e errët kur ka mundësi të dalë në aktualitetin e ndritur? Nëse një analist mendon kështu ai duhet të tregojë edhe strategjinë për rikthim te drita, për një konversion kolektiv madhor të shqiptarëve (në fenë e etërve) që s’arrin të materializohet me dekada përkundër leximeve, interpretimeve dhe kumteve shkencore të një pjese të inteligjencisë që shkruajnë për letërsi, histori dhe më gjerë (Kadare, Plasari…). Pra, sipas tyre është bërë një shkarje historike që duhet përmirësuar. Kjo i bie që edhe bota katolike të thotë “më mirë të kishim qenë protestantë sepse ja ata me fraksionin e tyre fetar të krishterimit jetojnë më mirë ekonomikisht se sa ne”.

Orientalisti britanik De Lacy O’Leary, ka shkruar se “legjenda e myslimanëve fanatikë që grijnë anekënd botës duke e bërë të detyruar islamin përmes shpatës tek popujt e pushtuar është një nga mitet më absurde fantastike që historianët ndonjëherë kanë përsëritur.” (1923:8)  Narrativën “përhapur me shpatë” (spread-by-the-sword) e kanë kundërshtuar edhe autoritete si Marshall Hodgson, Ira M. Lapidus, Jonathan Berkey, Kevin Barret etj. Rowena Robinson (2003:23) thotë se kjo tezë është plainly untrue” (haptazi e pavërtetë) dhe s’meriton të harxhohet kohë, të mendohet e të flitet për të (to be dwelt upon).

E çuditshme, në gjithë botën e civilizuar njerëzit e mësojnë historinë nga dora e parë, flasin për të kaluarën pasi të mësojnë gjuhën zyrtare apo lingua sacra-n e një civilizimi, kulture apo periudhe, pasi të kenë lexuar dokumente autentike, kurse tek ne me hamendje dhe duke përsëritur “llafet e plakut”. Cili shkencëtar shqiptar ka folur për konvertimin shqiptar në bazë të dokumenteve arkivore, cili ka mësuar osmanishten për të folur për periudhën osmane? Shumë shumë pak, të njëjtët ta padukshëm ose të margjinalizuar. Pyetjet që i shtruam janë shumë legjitime dhe të kuptimta. Definitivisht ekoli i vjetër i shkolluar në bankat e Titos duhet zëvendësuar me kuadro të reja që historinë e lexojnë nga burimi, që janë polilingualë, që dinë gjuhët klasike, që kanë edhe bagazh sociologjik, antropologjik, filozofik. Veç me letërsi dhe histori nuk shkohet në parajsë!

Shkrimtari jep verdikt për historinë pa ofruar kurrfarë argumenti në një tekst tridhjetegjashtëfaqesh; në tekste apo artikuj shumë më të shkurtër kërkohet argumentim, prova në të cilat mbështetet teza, fakte empirike përpos atyre teorike. Feedback-u që jepet nga redaktorët e hapur dhe ata verbër (blind reviewers) shpesh ngërthen pyetjet “Argumento!”, “Ofro prova!” Kjo është metodologjia me të cilën duhet të shkruajë një intelektual, i pari i akademisë, përndryshe shkrimet dalin si pamflete apo materiale propagandistike. Së paku të kishte përmendur ndonjë autor që flet në favor të tij si Michael Cook në Ancient Religions, Modern Politics.

Një segment interesant i këtij shkrimi është korrespondimi i tij me tezën serbe për “transversalen e gjelbër”, “xhihadizmin” e të ngjashme: Kraja përmend “fundamentalizmi islamik” (f. 11), “islamizmin radikal (ndonëse ka dallim sociologjik të madh mes islamit si fe dhe islamizmit si produkt ideologjik – f. 12) që mund të vinte nga Kosova dhe Bosnja”, “manipulimin fetar islamist” (f. 24) etj. Siç duket autori ka mbetur nën ndikim të Jeftiq & co, që qysh në vitet 1980 flisnin për xhihadin bashkëkohor si luftë (Beograd, 1989). Një gjë që saktë e ka detektuar Kraja në këtë shkrim problematik është ndryshimi i pjesërishëm i kursit të fetarisë pas viteve 1990, pra fetari e ndryshme nga ajo tradicionale që sot shënon zbehje, gjë për të cilën kemi  folur gjerësisht në veprën tonë Islamët shqiptarë (Samizdat, 2018). Është evident një islam ndryshe në trojet shqiptare post-1990, që duket nga veshja e pamja deri te botëvështrimi dhe ritualet. Gjëja tjetër e vërtetë e shkrimit të Krajës është konstatimi për lidhjet tradicionale të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut me Kosovën (f. 24), kuptohet edhe fetarisht, por do shënuar se Shkupi gjithnjë ka qenë qendër e islamit shqiptar, jo Prishtina.

Kuptohet që periudha osmane nuk është ideale, siç çdo qeverisje, edhe ajo ka pasur të metat e veta, disa flasin për trysni ekonomike (Kolatov, 2017), mund të ketë pasur edhe incidente që prishin imazhin e kulturës osmane në trajtimin  tjetrit religjioz, por të bëhen ad hoc përgjithësime duke i vënë iks shumë shekujsh të kaluar në histori  nuk shkon përtej të qenurit absurd dhe pakuptimësi.

Dinjitet akademik dhe njerëzor është që njeriu të mos qëndrojë aty ku nuk ndjehet komod, të braktisë identitetin që s’e ndjen si të vetin. Vallë pse të luftohet me vetveten gjithë kohën? Nëse me forcë a pa të, paraardhësit tanë kanë bërë gabim historik, atëherë pse të jetojë me këtë pezëm e traumë të brendshme në qenien e vet. Është e drejtë e çdokujt që ta përmirësojë atë, të kalojë atje ku është më i lirë, ku ndjehet më krenar, ku vetërealizohet, jo të jetojë me këtë tetivë akiliane. Por ama ky hap do guxim, аndaj një pjesë e të paqetëve identitarisht zgjedhin islamin nominal. Djali im gjashtëmbëdhjetëvjeç në faqen e parë të celularit (homepage) të vet ka logon e klubit futbollistik të preferuar, “Manchester United”, identitet të cilin s’e ndryshon për asgjë. Pra edhe të bërit tifo ka arsyet dhe shpjegimet e veta sociologjike, e jo më antarësia në një fe, në veçanti në një fe qiellore apo universale.

Në webfaqen e Universitetit të Manchester-it shkruan: ne mësimin e kuptojmë si një gjë që asnjëherë nuk përfundon! Andaj çdo frymor, përfshirë edhe shkollarin, duhet të lexojë dhe mësojë vazhdmisht për t’i minimizuar gabimet dhe për të qenë sa më afër të vërtetës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button