RMV, qendrat hetimore (jo)funksionale, faktet flasin ndryshe, PThP ndryshe

Qendrat hetimore në prokuroritë publike të Maqedonisë së Veriut momentalisht kanë mungesë të personelit dhe nuk kanë burimet dhe kapacitetet e nevojshme për funksionimin normal të tyre. Përpjekjet serioze në drejtim të zhdukjes së korrupsionit, i cili është prioritet strategjik i shtetit, do të nënkuptonin edhe investime më të mëdha në sigurimin e efikasitetit dhe efektivitetit të qendrave hetimore në prokuroritë publike, vlerësohet në dokumentin e Institutit për demokraci, “Societas Civilis”. Lidhur me këtë problematikë Portalb.mk, i drejtoi pyetje Prokurorisë Themelore Publike (PThP), nëse kanë ndërmarrë diçka për forcimin e këtyre qendrave. Mirëpo, nga Prokuroria u përgjigjën shkurt se qendrat kërkimore janë funksionale duke mos e argumentuar të njëjtën. 

“Me vendim të Prokurorit Publik të Republikës së Maqedonisë së Veriut janë themeluar qendra hetimore në katër prokurori publike – në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, në Prokurorinë Themelore Publike Kumanovë, në Prokurorinë Themelore Publike Tetovë dhe në Prokurorinë Themelore Publike për krim të organizuar dhe korrupsion (PKOK). Qendrat kërkimore janë plotësisht funksionale. Vazhdimisht po punohet për rritjen e efikasitetit dhe pajisjes së qendrave hetimore”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.

Qendrat e hetimit në prokuroritë publike luajnë një rol kryesor në zbatimin e hetimeve financiare. Ato aktualisht kanë mungesë të personelit dhe nuk kanë burimet dhe kapacitetet e nevojshme për funksionimin normal të tyre. Përpjekjet serioze në drejtim të zhdukjes së korrupsionit, i cili është prioritet strategjik i shtetit, do të nënkuptonin edhe investime më të mëdha në sigurimin e efikasitetit dhe efektivitetit të qendrave hetimore në prokuroritë publike.

Kapacitetet e qendrave hetimore në prokuroritë publike

Qendrat hetimore në prokuroritë publike janë një mjet i rëndësishëm në kryerjen e hetimeve financiare. Përbëhen nga përfaqësues të policisë gjyqësore dhe persona të punësuar në prokurorinë publike. Punonjësit e qendrave hetimore janë në dispozicion të prokurorit publik, punojnë nën kontrollin dhe mbikëqyrjen dhe udhëzimet e tij, dhe për punën e tyre përgjigjen para prokurorit. Roli i qendrave hetimore është të marrin pjesë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore duke përgatitur zbatimin e tyre, pranimin e deklaratave dhe propozimeve, si dhe ndërmarrje në mënyrë të pavarur të veprimeve të caktuara hetimore, të ngarkuara nga prokurori publik. Qendrat hetimore zbulojnë rrugën e parave, mbledhin dëshmi dhe ndërtojnë një pasqyrë të plotë të rasteve. Prandaj, ata paraqesin organin operacional në zhvillimin e hetimeve dhe funksionaliteti i tyre është kryesor për zbulimin dhe ndjekjen penale të veprave krimeve, veçanërisht veprat nga krimi i organizuar dhe korrupsioni që kërkojnë përpjekje më të mëdha hetimore.

Në praktikë, qendrat hetimore në prokuroritë publike janë pothuajse jofunksionale. Janë vendosur me Ligjin për procedurën penale, i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2013 dhe vetëm në vitin 2018 është marrë vendim për themelimin e qendrave hetimore në katër prokurori publike, përfshirë edhe Prokurorinë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Një nga problemet kryesore me të cilat përballen qendrat hetimore, por edhe prokuroritë publike në tërësi, është kuadri i pamjaftueshëm me personelin e nevojshëm. Sipas Raportit për punën e prokurorive publike në vitin 2021 nga 1126 vende të planifikuara në prokuroritë publike, vetëm 354 janë plotësuar. Nga pozitat e plotësuara, 121 janë të punësuar në shërbimin profesional në prokuroritë publike nga gjithsej 278 pozita të planifikuara, përkatësisht mungojnë 157 punëtorë. Pozicione të hapura ka edhe në radhët e prokurorëve publike, të cilat sipas sistematizimit duhet të jenë 262, ndërsa aktualisht janë 172.

Të punësuarit në Prokurori
Të punësuarit në Prokurori

Sa i përket Prokurorisë themelore publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit, shumica e pozitave të paplotësuara janë në Prokurorinë Publike. Aktualisht janë plotësuar 52% të vendeve të punës të planifikuara në shërbimin profesional, përkatësisht prokuroria ka 11 ndihmës prokurorë publikë, prej të cilëve 2 janë ndihmës të udhëheqësve prokurorë publikë nga gjithsej 20 të planifikuara, ndërsa nga 34 të planifikuara nëpunës të punësuar të prokurorit publik administrativ janë 17. Po ashtu, 14 prokurorë publikë nga 18 të planifikuar janë të punësuar në Prokurorinë Publike për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, përkatësisht 4 prokurorë mungojnë.

Te punesuar ne Prokurorine per krim te organizuar

Kjo mungesë e prokurorëve dhe personelit profesional në shërbim ndikon ndjeshëm në përdorimin dhe efektivitetin e masës për konfiskim të pasurisë. Sipas analizës së Platformës së Organizatave Civile për luftë kundër korrupsionit në periudhën nga viti 2010 deri në vitin 2019, nga 2.496 lëndë penale të monitoruara, prej të cilave 670 janë zhvilluar pranë Njësisë për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsion në Gjykatën Themelore të Shkupit, masa e konfiskimit të pasurisë është shqiptuar vetëm në 36 raste, ndërsa asnjëherë nuk është shqiptuar masa konfiskim i zgjeruar

Megjithatë, shtrohet pyetja, edhe po u funksionalizuan siç duhet këto qendra, sa të besueshme mund të jenë?

Marjan Stamenkovski, foto: Profili në FB

Kjo pyetje shtrohet pasi jo më larg se janarin dhe shkurtin e këtij viti pronari i DokazM, Marjan Stamenkovski, i cili akuzohet për një sërë vepash penale, ka shfrytëzuar njohjen personale me një person të punësuar si hetues në Prokurorinë Themelore Publike Shkup, kështu që përmes komunikimit në Viber ka tentuar të marrë informata nga ajo pa autorizim për veprimet hetimore të ndërmarra në disa lëndë penalo-juridike, përfshi edhe rastin ndaj tij. Duke tentuar të ndikojë në procedurën ndaj tij, nga komunikimi privat me hetuesin, pa pëlqim ka përdorur dhe ka publikuar të dhënat personale dhe fotografitë e katër hetuesve në Prokurorinë Publike Shkup, të cilët kanë parashtruar kallëzim penal për – Keqpërdorim të të dhënave personale nga neni 149. paragrafi 1 i KP . Hetuesja që ndau të dhëna me të dyshuarin nuk është më e punësuar në Qendrën hetimore të Prokurorisë Publike të Shkupit dhe kundër saj do të fillojë procedura në Departamentin për kontroll të brendshëm dhe standarde profesionale në MPB.

Ky rast tregon se brenda qendrave hetimore, që veçmë janë jofunksionale, ka edhe persona të cilët nuk janë të besueshëm dhe adekuat për një punë të tillë.

Forcimi i kapaciteteve të qendrave hetimore është çelësi i suksesit të zbatimit të konfiskimit të pronës dhe luftës kundër korrupsionit. Për arritjen e objektivave të Strategjisë për forcimin e kapaciteteve për kryerjen e hetimeve financiare dhe konfiskimit të pasurisë, duhet të ndërmerren hapa sa më shpejt që të jetë e mundur për ekipimin e qendrave hetimore me numrin dhe profilin e duhur të personelit. Përveç punësimeve të nevojshme, është e rëndësishme që personeli në qendrat e hetimit të jetë i përgatitur për të kryer në mënyrë të pavarur çdo pjesë të hetimit financiar. Në këtë drejtim nevojiten investime në edukimin e mëtutjeshëm dhe aftësimin profesional të personelit për të fituar aftësitë dhe ekspertizën e nevojshme. Përveç trajnimeve të planifikuara, shteti mund të lidhë partneritete me demokracitë e Evropës Perëndimore, të cilat ofrojnë më shumë mundësi për edukim në fushën e kryerjes së hetimeve financiare.

Në vende si Italia, Spanja, Britania e Madhe dhe Gjermania, ofrohen studime pasuniversitare, trajnime të specializuara, shkolla verore dhe kurse që lidhen me të gjitha fazat e zhdukjes së krimit të organizuar dhe korrupsionit. Shteti mund të kërkojë ndihmë nga universitetet, institutet dhe organizatat që ofrojnë këto programe për financimin dhe realizimin e këtyre trajnimeve me qëllim të trajnimit profesional të shërbimeve dhe qendrave hetimore në prokuroritë publike.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button