Kujtesa e patrajtuar

I ftohti i sivjetshëm arriti në kohë për t’i përkujtuar tmerret e fillimit të luftërave moderne Ballkanike të viteve 1990. Në muajin që lamë pas Kosova përkujtoi masakrën e Reçakut që u parapriu ngjarjeve të lidhura me luftën e viteve 1998-1999. Momente të tmerrshme historike që ende jehojnë me zinë e tyre ende të patejkaluar, ende të pasqaruar, dhe fatkeqësisht, ende të papërfunduar. Pas më shumë se dy dekadave nga ato luftëra të përgjakshme, konfliktet janë ende shumë prezente në rajon dhe eksiston një ndiesi se ato kurrë nuk janë zgjedhur, por vetëm janë heshtur, si një vullkan i qetësuar por jo edhe i shuar, që erupton kohë pas kohe duke nxjerë tym e llavë përvëluese. Kjo sepse shkaktari kryesor i atyre konflikteve nuk del dot përtej kompleksit të viktimës dhe nuk arrin ta pranojë fajin për krimet e bëra. Krimineli që nuk ndjen përgjegjësi për krimin e bërë është në gjendje ta përsërisë atë krim sa herë që të krijohen kushtet për këtë.

Sipas raporteve të Qendrës Juridike Humanitare, gjatë luftës në Kosovë në vitet 1998-99 u vranë ose u zhdukën 10.415 shqiptarë, 2.197 serbë, dhe 528 romë, boshnjakë dhe komunitete tjera. Sipas Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, edhe pas më shumë se njëzet vjetëve nga lufta, më shumë se 1600 persona ende llogariten të zhdukur. Në këto procese traumtaike u krijua shteti i Kosovës, por problemet politike vazhduan edhe më tej me çështjen e njohjes ndërkombëtare dhe pengesat e vazhdueshme të shkaktuara nga Serbia. Një konflikt pa fund ku agresori vazhdon të sillet si viktimë, ndërsa viktima shihet si fajtore.

Në rastin e luftërave në Ballkan komuniteti ndërkombëtar zbatoi një proces të drejtësisë tranzicionale duke themeluar institucione ndërkombëtare për të dënuar krimet e kryera gjatë këtyre konflikteve. Por në anën tjetër, procesi i trajtimit të traumave, procesi i vetëdijësimit për shkaqet dhe pasojat e konfliktit, dhe procesi i rikonsiliimit mbeti larg zhvillimit të mirëfilltë. Serbia nuk e pranoi asnjëherët përgjegjësinë për agresionin e saj, përkundrazi, arriti që në të gjitha qarqet diplomatike ta imponojë qëndrimin se ajo është viktima të cilës i është shkëputur një pjesë e territorit të saj. Arriti që në çdo bisedë ta imponojë këtë pikënisje, dhe kjo vërehet edhe në zhvillimet e fundit që premtojnë zgjidhjen një herë e përgjithmonë të çështjes së Kosovës, ashtu siç u premtua një vit më parë liberalizimi i vizave për qytetarët kosovarë lidhur me nënshkrimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit, e megjithatë vizat nuk u liberalizuan.

Legalizimi në qarqet evropiane i kësaj sllejeje të një shteti që po kryen bulizim të vazhduar ndaj një shteti më të vogël tani më është çështje e njohur. Por e keqja është se asnjë konflikt nuk zgjidhet tërësisht gjersa të gjitha palët nuk e kanë kuptuar dhe nuk e kanë pranuar përgjegjësinë e tyre. Asnjë konflikt nuk është zgjidhur tërësisht nëse agresori vazhdon të sillet si viktimë dhe nuk ndjen se ka kryer krim. Asnjë problem nuk zgjidhet nëse njëra palë nuk konsideron se problemi ekziston. Një zgjidhje e tillë është e paqëndrueshme dhe ngjan me atë vullkanin e heshtur, por të pashuar, që vetëm pret kohën e duhur për të eruptuar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button