U konstituua Këshilli Rinor i Tetovës, kryetarja e afërt me udhëheqësinë komunale (Video)

Sot në Komunën e Tetovës u mbajt seanca e parë e Këshillit Rinor Lokal (KRL) të sapoformuar, ku Elma Sherifi u zgjodh kryetare dhe Jehona Saiti nënkryetare, shkruan Portalb.mk.

Sherifi falënderoi anëtarët e këshillit që e zgjodhën atë si kryetare.

“Nuk kam dyshim se çdo organizatë dhe parti politike i kanë sjellë anëtarët më të mirë që i kanë, prandaj nuk kam dyshim që ne do të bëjmë punë shumë të mirë për të gjithë rininë, sepse do të jemi pasqyra dhe zëri i të gjithë rinisë”, deklaroi Sherifi.

Sherifi si kryetare e sapo emëruar tha se sot vetëm ka qenë zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarit dhe se në vazhdim do angazhohen për të rinjtë në fushën e kulturës, arsimit, sportit me aktivitete të ndryshme, dhe se mendojnë që ta rrisin numrin e anëtarëve të këtij grupi për të ecur përpara.

Nënkryetarja Saiti tha se të gjithë këtu që ishin mbledhur sot kanë bërë zgjedhje shumë të mirë.

“Të gjithë me një punë të madhe, me fokusim të madh besoj se do ia arrijmë qëllimit, të bëjmë me rininë diçka më të mirë”, tha Saiti.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Sherifi njihet si e afërt me partinë Lëvizja Besa. Ajo në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ka qenë kandidate e Lëvizjes Besa për këshilltare komunale, parti e cila tani qeveris me këtë komunë. Në pyetjen e Portalb se a mendon që është e drejtë që edhe pse është e angazhuar me punë në Komunë edhe të jetë kryetare e Këshillit Rinor, Sherifi tha:

Mua këtu më ka sjellë Shoqata e Artistëve Figurativ dhe besoj që anëtarët e kanë pasur në dorë dhe ata vendosën që unë të jem”.

Me këtë përbërje të KRL-së nuk u pajtua edhe ish kryetari i këshillit rinor paraprak, Olti Esati. Ai në një deklaratë për Portalb tha se është totalisht kundër krijimit të monopolit brenda Këshillit Rinor Lokal.

“As përfaqësues nga opozita e këshillit komunal nuk ka, as nga BDI, LSDM, nuk ka përfaqësues në këshillin rinor lokal të cilët do të bënin kontrollimin e këshillit të cilët do të bënin zërin antagonist brenda punës së këshillit. Me këtë dëshmon që Komuna e Tetovës nuk u jep hapësirë të gjitha grupeve të përfaqësohen denjësisht në këshillin rinor”, tha Esati.

Kujtojmë që kritika për afrimitet me pushtetin e kaluar lokal dhe ishkryetaren e Komunës së Tetovës kishte edhe për kryetarin e këshillit rinor lokal paraprak.

Nga forumet rinore të partive ka anëtarë vetëm nga Lëvizja Besa, Aleanca për Shqiptarët dhe VMRO-DPMNE-ja. Sherifi tha se nga partitë tjera nuk kanë aplikuar.

Në Këshillin Rinor mund të anëtarësohen të rinj nga organizata për të rinj, forumet rinore të partive, organizata të nxënësve dhe studentëve, dhe forma të tjera të organizimit rinor. Megjithatë, përzgjedhja e figurave të afërta me paritë politike në opinon krijon dyshime se aty përfshihen interesa partiake.

Seancën e fundit të Këshillit Komunal të Tetovës u verifikuan mandatet e anëtarëve të Këshillit Rinor Lokal (KRL) të kësaj komune, numri i të cilëve është nëntë, ashtu siç e parasheh neni 16 i Ligjit për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore.

Këshilli Rinor Lokal i Tetovës përbëhet nga këto anëtarë:

  • Nurjan Hamzai nga “Sonce”,
  • Enisa Hasani nga “Psychlab”,
  • Halisa Musli nga Shoqata e të rinjve Turk,
  • Ermir Musai nga Forumi Rinor i Aleancës për Shqiptarët,
  • Endrit Hasani nga Forumi Rinor i Lëvizjes Besa,
  • Ilija Marinkovski nga Forumi Rinor i VMRO-DPMNE-së,
  • Anida Halili nga “Eco Action”,
  • Elma Sherifi nga Shoqata e artistëve figurativ të Tetovës,
  • Jehona Saiti nga “Multikultura”.

Për sa i përket formimit të këtij këshilli, procedurat filluan në muajin qershor 2022, dhe i njëjti u finalizua sot.

Siç kanë njoftuar nga Komuna e Tetovës në seancën e fundit të Këshillit Komunal, pas themelimit, KRL-ja do duhet ta merr iniciativën, do të jetë detyra e këtij këshilli rinor që të zgjedh një vend edhe ta themelojë qendrën rinore,.

Kujtojmë që Këshilli Rinor Lokal është detyrim që çdo komunë duhet ta formojë bazuar në Ligjin për Pjesëmarrje dhe Politika Rinore të cilin e miratoi Kuvendi i RMV-së janarin e vitit 2020.

Në Komunën e Tetovës ka gjithsej 84,770 banorë prej të cilëve sipas regjistrimit të fundit të popullsisë 17,487 janë të rinj, gjegjësisht të moshës nga 15 deri në 29 vjeçe, apo rreth 20,6%.

Sipas një hulumtimi të publikuar në Portalb vitin e kaluar thuhet se të rinjtë në Tetovë nuk janë mjaftueshëm të informuar për Ligjin për pjesëmarrje rinore dhe politika rinore, si dhe përfshirja i tyre në vendim-marrje mbetet e pakënaqshme. Ndërsa së fundmi, hulumtimi i publikuar nga Forumi Rinor Arsimor (FNA) theksoi se institucionet lokale dhe politikanët nuk i trajtojnë seriozisht nevojat e të rinjve, përfshirë Tetovën.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button