Hulumtim i FNA: Autoritetet nuk i trajtojnë me seriozitet problemet dhe rekomandimet e të rinjve

Shumica e të rinjve në Shkup, Tetovë dhe Gostivar nuk ndihen të rëndësishëm për institucionet dhe politikanët, kështu duke shkaktuar një sërë problemesh të tjera të cilat lidhen me to. Ky është përfundimi kryesor i hulumtimit të Forumit për Ndryshime në Arsim (FNA) i kryer në qytetet e lartpërmendura, shkruan Portalb.mk.

Të rinjtë të cilët morën pjesë në këtë hulumtim ishin kryesisht nxënës të shkollave të mesme dhe studentë të universiteteve, të grup-moshës 17-24 vjeç.

Këto janë gjetjet kryesore të këtij hulumtimi, të cilat sipas FNA-së për qëllim kanë që autoritetet lokale të përmirësojnë komunikimin me të rinjtë në formë institucionale:

  • Shumica e të rinjve deklaruan se nuk ndihen të rëndësishëm për institucionet dhe politikanët;
  • Të rinjtë duhet të jenë partnerë të barabartë në tryezën e vendimmarrjes në nivel lokal dhe nacional;
  • Sistemi arsimor duhet të fillojë rrënjësisht të reformohet duke ndjekur shembullin e Sllovenisë me “letrën e bardhë” – një dokument strategjik që përshkruan vizionin për zhvillimin afatgjatë të arsimit dhe shoqërisë;
  • Ligji për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore nuk ka rezultuar me sukses edhe pas tre vjetësh nga miratimi i tij në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut. Sepse vetëm 12% e komunave brenda vendit i kanë përcaktuar të gjitha detyrimet e parashikuara në ligj;
  • Të rinjtë duhet të shpërblehen për punën e tyre në sektorin civil dhe të mos bëjnë aktivitete vetëm për hir të vullnetarizmit sepse kjo është keqpërdorur nga njerëz të ndryshëm dhe ka sjellë fenomene të shfrytëzimit;
  • Miqtë apo familjet nuk inkurajojnë pjesëmarrjen rinore;
  • Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut janë mbërthyer në shkallën e tretë të Shkallës së Pjesëmarrjes Rinore ;
  • Të rinjtë mendojnë se pjesëmarrja e të rinjve nuk do të bëjë ndonjë ndryshim.

“Të rinjtë zakonisht nuk pyeten përpara se të bashkë-krijojnë ndonjë strategji, ligj ose politikë që ndikon në jetën e tyre. Megjithatë, ekziston një mungesë serioze e mundësive dhe një numër i jashtëzakonshëm pengesash për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut për të marrë pjesë në proceset vendimmarrëse tashmë në shkollë, universitet, autoritetet lokale dhe nivel kombëtar. Shumicën e kohës përfundojnë duke u lënë në të ftohtë nga vendimmarrësit”, thuhet në raportin e FNA.

Raporti vë në dukje se për të forcuar pjesëmarrjen e të rinjve në shoqëri, ekziston nevoja “të krijohet një kuptim se të rinjtë janë një grup i larmishëm me nevoja të ndryshme bazuar në faktorë të tillë si gjinia, përkatësia etnike, vendndodhja gjeografike dhe zhvillimi ekonomik i zonave në të cilat ata jetojnë”.

Përfaqësuesit nga Sektori Civil  në Gostivar, Shkup dhe Tetovë ngritën çështjen e procesit për aplikime për grante tek institucionet dhe autoritetet lokale. Ata arritën në përfundimin se i gjithë procesi duhet të digjitalizohet për të lehtësuar procesin e aplikimit.

Raporti thekson se çështje më problematike është se institucionet që janë krijuar për të përmirësuar standardin rinor nuk po kontribuojnë sa duhet.

“Për shembull, në vitin 2019 vetëm 4.1% e buxhetit është ndarë për të rinjtë nga Agjencia e Rinisë dhe Sportit, ndërsa pjesa tjetër është ndarë për sport. Ky disproporcion tregon se institucionet duhet të reformohen rrënjësisht dhe të fillojnë riorganizimin për të rritur ndërthurjen e ideve dhe projekteve ndërmjet institucioneve të ndryshme dhe për të rritur bashkëpunimin e tyre në zbatimin e politikave kyçe që synojnë rininë”, thekson raporti.

Ndër të tjera ky raport në formë të detajuar përshkruan problemet e të rinjve në Qytetin e Shkupit, Tetovë dhe Gostivar si dhe rekomandimet ndaj këtyre institucioneve dhe jo vetëm, por edhe për institucionet në nivel qendror.

Rekomandimet për Qytetin e Shkupit:

  • Qyteti i Shkupit duhet të jetë më i “hapur” dhe i gatshëm për të komunikuar dhe bashkëpunuar me të rinjtë dhe sektorin qytetar.
  • Qyteti i Shkupit duhet të ndjekë shembullin e Komunës së Strumicës dhe Europe House në Strumicë ku realizojnë projektin e përbashkët “Kryetar i Komunës për një ditë” dhe nxënësit e shkollës kanë mundësinë të jenë “kryetar i komunës për një ditë”.
  • Gjatë fushatës së saj zgjedhore, qyteti i Shkupit dhe kryetarja e tij Danela Arsovska premtuan se transporti publik do të jetë falas për çdo student në Shkup. Megjithatë, asgjë nuk ka ndryshuar, transporti publik nuk është falas. Kjo masë do t’i lejojë të rinjtë falas dhe të marrin pjesë në aktivitete të ndryshme të organizuara nga OJQ-të.

Rekomandimet për Komunën e Tetovës:

  • Njohja de jure e Qendrës së Aktivizmit Rinor në Tetovë do t’u ofrojë të rinjve një hapësirë për të ndarë dhe zbatuar idetë e tyre.
  • Ekzekutivi dhe legjislativi i Komunës së Tetovës duhet të themelojë Këshillin Rinor dhe gjithashtu të themelojë autoritete të tjera të parapara me Ligjin për pjesëmarrjen rinore dhe politikat rinore, komuna duhet të themelojë edhe një zyrë rinore.
  • Komuna e Tetovës duhet të jetë e hapur për bashkëpunim me sektorin qytetar dhe të publikojë projekt thirrje për OJQ-të dhe të rinjtë që të aplikojnë me ide iniciative lokale që do të rrisin angazhimin e të rinjve në Tetovë.
  • Komuna e Tetovës duhet të punojë që të rinjve t’u ofrojë më shumë hapësira që ata të mblidhen dhe të bëjnë aktivitete dhe jo t’i mbyllë siç është shembulli me Hapësirën Socio Kulturore.
  • Komuna e Tetovës duhet të promovojë më shumë në opinionin publik aktivitetet dhe politikat e saj të ndërmarra për të mirën e të rinjve, në mënyrë që qytetarët të jenë më të informuar.

Rekomandimet për Komunën e Gostivarit:

  • Ekzekutivi dhe legjislativi i komunës së Gostivarit duhet të themelojë Këshillin Rinor dhe gjithashtu të themelojë autoritete të tjera të parapara me ligjin për pjesëmarrjen rinore dhe politikën. Komuna duhet të themelojë edhe një zyrë rinore.
  • Të krijohet një platformë interaktive, ku Kryetari i Komunës së Gostivarit mund të takohet një herë në dy muaj me të rinjtë dhe aktivistët e rinj dhe të diskutojnë problemet, nevojat dhe idetë e tyre.
  • Komuna e Gostivarit duhet të sigurojë që çdo i ri të ketë mundësi të barabarta për të marrë pjesë në aktivitete jashtëshkollore përmes shkëmbimit shkollor me Erasmus+ dhe më shumë.
  • Komuna e Gostivarit duhet të digjitalizojë procesin e thirrjeve për projekte, për ta bërë më efikas dhe pa letra të shtypura. Kjo do të kontribuojë gjithashtu në krijimin e një mjedisi të lirë më të qëndrueshëm.

Ndërsa si rekomandime për institucionet qendrore theksohet Futja e orëve të komunitetit në sistemin arsimor – 20 orë komuniteti gjatë gjithë vitit shkollor, të gjitha institucionet duhet të informojnë dhe të jenë transparentë me të rinjtë për mundësitë që kanë, buxheti për të rinjtë të jetë i centralizuar në kuadër të Agjencisë së Rinisë dhe Sportit, Strategjia Kombëtare për Rininë 2023 të jetë transparente nga fillimi deri në fund, por edhe të zbatohet dhe të mos qëndrojë vetëm në letër, futja e Edukimit si lëndë në arsimin e mesëm si dhe deputetët në bashkëpunim me OJQ-të të nisin hartimin e një ligji të ri për rregullimin e statusit të punëtorëve rinorë – për të shmangur dukuritë e shfrytëzimit.

Raportin e plotë të Forumit për Ndryshime në Arsim mund ta gjeni duke klikuar KËTU.

Përndryshe, analiza e Portalbit për të rinjtë në Maqedoninë e Veriut për vitin 2022 nxori në pah se ata edhe gjatë vitit 2022 u përballën me një sërë problemesh që tangojnë drejtpërdrejtë jetët e tyre. Ata në fjalorin e politikanëve janë prioriteti kryesor, por në praktikë autoritetet nuk bëjnë mjaftueshëm për ardhmërinë e tyre. Analizën e plotë mund ta lexoni KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button