Mourinho: Isha afër Anglisë, gruaja ime refuzoi
Eshtë njeriu i çudirave të momentit, por edhe i prapaskenave të mëdha të së shkuarës. Jose Mourinho e gjen thuajse gjithmonë një arsye për të qënë në qendër të vëmendjes me gjestet në fushë apo me deklaratat jashtë saj.
E kështu në kulmin e etheve në prag të Botërorit, The Special One rrëfen driblimin që i bëri stolit të Anglisë kur kërkohej pasardhësi i Steve McClaren pas dështimit në Euro 2008. Gjithsesi trajneri portugez i Chelsea nuk ndihet aspak i penduar që nuk iu afrua pankinës së Tre Luanëve, ku më pas u ul italiani Fabio Capello.
“Sa afër isha? Mund të them që isha shumë, shumë pranë. Në atë kohë pothuajse isha trajner i Anglisë, por besoj se kam marrë vendimin e duhur. Gruaja ime kishte të drejtë. Ajo më tha mos të pranoja. Nuk është në natyrën time të pres dy vjet për një kompeticion të madh e ndërkohë të luaj me Kazakistanin apo San Marinon. Kështu edhe gruaja më tha se pushimi pa futboll e pa ndeshje nuk ishte zgjedhje për mua”.
Me dëshirën për të qënë gjithmonë sa më aktiv në skenën futbollistike, planet e Mourinhos për drejtimin e një kombëtareje i përkasin të ardhmes së largët. Më herët tekniku portugez ka shprehur dëshirën që një ditë të ulet në stolin e përfaqësueses së vendit të tij, por për këtë duhen pritur edhe disa vjet./ Supersport