SOCIALIGJENCA (II)

Për t’u bërë person shoqërisht i pranueshëm (socially acceptable person) duhet pasur cilësi si buzëqeshja, sensitiviteti ndaj të tjerëve, dëgjimi, kontakti i syve, mësimi i gjuhës së trupit, besueshmëria, menaxhimi i relacioneve e të ngjashme. Khosroshahi (2018) ka gjetur lidhje pozitive dhe të kuptimtë mes procesit të dijes sociale, shkathtësive sociale, optimizmit dhe satisfaksionit me jetën. Ky i fundit është tepër me peshë, pra, nëse s’ke raporte të balancuara me të tjerët, s’e gjen kënaqësinë e jetës, gjithçka të del e hidhur, pa shije, të duket se të gjithë janë fajtorë, ndërsa ti “i pafajshëm”.

Në vijim do të japim ca ilustrime empirike që ndërlidhen me këtë koncept në sfera të ndryshme të jetës si vendi i punës, arsimi, sporti… Siç dihet që nga Revolucioni Industrial, mjedisi apo vendi i punës ia ka marrë dheun mjedisit familjar dhe ndikon fuqishëm në zhvillimin fizik ashtu edhe në atë mendor të njeriut. (Doğan & Oğuzhan, 2020). Në këtë kontekst shumë me rëndësi është se si pozicionoheni me të tjerët në vendin e punës.

Të supozojmë se keni marrë një pozitë, jeni ngritur na status brenda një institucioni dhe ju duhet të krijoni një tim, një ekip me të cilin do punoni në realizimin e objektivave të misionit. Si do t’i bëni njerëzit që t’ju bashkëngjiten? Pikërisht këtu hyn në punë inteligjenca sociale. Në një rast tjetër, shefi i një kompanie nuk dëgjon  asnjë nga sugjerimet e punëtorëve, nuk ua var fare atyre, andaj këta të fundit e braktisin vendin e punës.

Kjo shkakton trazim-zgjim te udhëheqësi, rishqtyrtim të vetes; ai i mëson dobësitë e veta, nis të dëgjojë sugjerimet e vartësve të vet, të kujdeset më tepër për ta, t’u afrohet dhe t’i dëgjojë; ndryshimi i kursit të trajtimit ndikon që ata të jenë më të motivuar dhe të bëhen punëtorë më të mirë, rrit suksesin e kompanisë dhe gjeneron lidership të mirë apo pozitiv.

Sipas Sandeep Atre-s (2023) në të ardhmen sfida më e madhe do të jetë binomi teknologjia-koha (në anglisht: dy T-të, technology & time), kur si pasojë e ndërhyrjes së teknologjisë në të gjitha sferat e jetës dhe mungesës së kohës, jeta dhe puna (life & work) e një gjenerate do të marrin një kurs të ri.

Në të ardhmen fjalë kyçe do të jenë kompjuterizimi dhe automatizimi. Por roli i njeriut sërish do të jetë i fuqishëm. Komentuesi politik dhe komediani John Oliver një të riu që kishte pyetur se cilat punë ai do të mund t’i bënte që s’do të mund t’i bëjnë robotët i ishte përgjigjur: “Do të mund të kryesh shumë punë që kërkojnë inteligjencë sociale, shkathtësi komplekse të  të menduarit dhe zgjidhje kreative të problemeve.” (García-Bullé, 2023)

Studiuesit Goleman, Boyatzis dhe McKee analizuan të dhënat e afro 500 modeleve të kompetencave nga kompani globale si IBM, Lucent, PepsiCo, British Airways, institucione akademike dhe agjenci qeveritare. Për të përcaktuar se cilat aftësi nxisin performancën e jashtëzakonshme në këto organizata, ata i grupuan aftësitë në tre kategori: 1) Teknike 2) Kognitive 3) ESI (Inteligjenca Emocionale dhe Sociale).

Pas analizimit të të gjitha të dhënave, ata zbuluan se kompetencat e bazuara në inteligjencën emocionale dhe sociale luanin rolin më të rëndësishëm në nivelet më të larta të organizatave. Një gjetje tjetër ishte se aftësitë teknike ishin të një peshe të papërfillshme. Për më tepër, rreth 85% e diferencës së profileve të performuesve yje nga performuesit mesatarë i atribuoheshin faktorëve të lidhur me inteligjencën emocionale dhe sociale. (vijon)

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button