Numri i pedofilëve të regjistruar në RMV është 303, regjistri me shumë mangësi, të dhëna shqetësuese (Infografik)

Është rritur numri i pedofilëve të regjistruar në Regjistrin e Pedofilëve të Maqedonisë së Veriut, të cilët me vendim të plotfuqishëm janë dënuar për vepra penale që kanë të bëjnë me abuzimin seksual të fëmijëve. Në maj 2022 ky numër ishte 294 ndërsa sot në janar 2023 ky numër është 303. Disa prej tyre janë në liri, ndërsa të tjerë vuajnë dënimin. Megjithatë, ky regjistër vazhdimisht has në probleme të vazhdueshme, ndërsa numri i veprave penale nga kjo fushë është shqetësues, shkruan Portalb.mk.

Çfarë është ky regjistër dhe cilat janë problemet?

Në regjistrin e pedofilëve të krijuar nga Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, aktualisht janë të regjistruar 303 persona.

Regjistri përmban të dhëna për personat e dënuar me vendim të formës së prerë për krime kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual ndaj fëmijëve, aty janë të shënuara emri, mbiemri, pseudonimi, datëlindja, adresa e vendbanimit-qëndrimit, krimi për të cilin janë dënuar, masa e dënimit, fillimi, pushimi apo ndryshimi i vuajtjes së dënimit me burg.

Të dhënat e të gjithë të regjistruarve në këtë regjistër publik, pavarësisht nëse ndodhen në burg apo dalin nga burgu pasi ta vuajnë dënimin, mbeten në regjistër, me qëllim të parandalimit dhe mbrojtjes së popullatës dhe fëmijëve. Pra nëse një person vendoset në këtë regjistër, ai do të jetë aty derisa të jetë gjallë.

Ky regjistër edhe pse shumë i nevojshëm për popullatën, herë pas here nuk është i qasshëm. Ministria e Punës dhe Politikës Sociale arsyetohet se faqja me raste bie pasi bëhet përditësimi i së njëjtës.

Megjithatë së fundmi, kur një qytetar klikon këtë ueb faqe, jo menjëherë paraqitet regjistri, del një dritare e cila lë hapësirë dyshimi se kjo ueb-faqe nuk është e sigurt për përdorim. Pasi aty thuhet se mund të ju vidhen të dhëna personale.

Kjo paraqitet nëse klikoni në registarnapedofili.mk.

Për këtë, pyetëm në Ministrinë e Punës dhe Politikës Sociale (MPPS), se përse nuk po sofistikohet ky regjistër. Nga atje u përgjigjën shkurt pa dhënë detaje.

“Ju informojmë se Regjistri i Pedofilëve është duke funksionuar, ndoshta në momentin e kërkimit tuaj ka pasur ndonjë arsye teknike që nuk keni mundur të hyni në të. Nëse keni problem me hyrjen në faqe dhe ju del opsioni opsionin advanced, klikojeni atë dhe më pas continue to www.registarnapedofili.mk”, thane nga MPPS.

Në formë vizuale kështu duket kjo përgjigje e ministrisë.

Ndërkaq, pas klikimit të kësaj, faqja është e qasshme dhe aty mund të shihen se kush janë pedofilët dhe të dhënat e tyre.

Ky regjistër shpesh edhe bie dhe nuk është i qasshëm për përdoruesit.

Problem tjetër është se ky regjistër është vetëm në gjuhën maqedonase, ndërsa Ministria e Punës dhe Politikës Sociale nuk e pa të arsyeshme të përgjigjet në pyetjen se përse kjo faqe nuk është në gjuhën shqipe dhe nëse është në plan të përkthehet.

Sa është i sigurt për përdorim ky regjistër?

Referuar defekteve të lartpërmendura për sa i përket sigurisë së përdorimit të këtij regjistri, biseduam me një ekspert të informatikës. Sipas tij, problemi qëndron se nuk është rinovuar SSL Certifikata, andaj edhe paraqitet si faqe e pasigurt, por që kjo sipas tij nuk përmban rrezik për vizitorët.

Ratkoceri: Regjistri të jetë funksional

Foto: Vedije Raktoceri
Foto: Vedije Raktoceri

Profesoresha universitare e së Drejtës Penale, Vedije Ratkoceri thotë se vetë qëllimi i ekzistimit të këtij regjistri për abuzuesit seksual të fëmijëve dhe pedofilëve është parandalimi i këtyre veprave penale. Duke qenë se këto vepra penale shpesh herë janë krime oportune, përmes regjistrit i jepet mundësia edhe publikut të gjerë që të kontribuojë në parandalimin e tyre. Dhe kësisoj, parandalimi përmes regjistrit bëhet duke pasur qasje vazhdimisht në të, pra të jetë funksional, si dhe këto të dhëna të jenë vazhdimisht të azhurnuara.

“Kur dikush ka dyshime apo dëshiron të kontrollojë mos vallë personi (komshiu, mësuesi, trajneri, etj) me të cilin ka kontakt fëmija i tij në të kaluarën ka qenë i dënuar për ndonjërën nga veprat penale që lidhen me abuzimin seksual të fëmijëve dhe trafikimin e tyre të mund të ketë qasje në regjistër dhe të marr informatën e tillë në çdo kohë sepse kjo do të kontribuonte pa dyshim në parandalimin e abuzimit potencial të fëmijës”, thekson Ratkoceri

Shifrat e MPB-së për pedofilinë gjatë viteve të kaluara, të tmerrshme

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), pedofilia është e përfshirë në krimet kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual dhe për këtë ekzistojnë disa nene në bazë të të cilës ajo dënohet.

Numri i sulmeve seksuale ndaj fëmijëve të cilët ende nuk kanë mbushur 14 vjet në vitet e kaluara ishte i lartë, edhe atë: në vitin 2019- 30 raste, në vitin 2020- 35 raste, në vitin 2021- 28 raste, ndërsa në periudhën janar-nëntor të vitit 2022-22 raste.

Të dhënat tjera tregojnë se numri i viktimave të prezantimit të materialit pornografik të fëmijëve për periudhën 2019-2021 në total është 16. Numri i viktimave të prodhimit dhe shpërndarjes së pornografisë fëmijërorë për këtë periudhë është 9. Ndërsa numri i incestit për këtë periudhë është 4.

Për vitin 2022, konkretisht periudhën janar-nëntor 2022, sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme numri i veprave penale kundër lirisë seksuale dhe moralit seksual ka qenë 85 ndërsa numri i kryerësve 77. Të njëjtat në formë të detajuar mund të shihen në ilustrimin e mëposhtëm.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Prokuroria ende nuk i ka grumbulluar të dhënat për vitin 2022

Për sa i përket veprave penale të pedofilisë në nivel nacional për vitin 2022, nga Prokuroria Themelore Publike thonë se janë duke u grumbulluar të dhënat për procedurat në prokuroritë publike për veprat penale për vitin 2022 për të përgatitur Raportin Vjetor për punën e prokurorive publike.

“Sa i përket procedurës për veprën penale Sulmi seksual ndaj të miturit nën 14 vjeç nga neni 188 i Kodit Penal për vitet e kaluara, numri i tyre është pjesë përbërëse e raporteve vjetore për punën e prokurorive publike për çdo vit individualisht”, thanë nga Prokuroria Themelore Publike.

Ilustrim: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

A bëjnë mjaftueshëm institucionet në këtë drejtim?

Profesoresha Ratkoceri vlerëson se Maqedonia e Veriut ka qenë e para dhe e vetmja në rajon që ka hartuar një politikë preventive dhe represive ndaj këtyre krimeve që nga viti 2012 duke miratuar Ligjin e posaçëm për regjistrin publik të këtyre kryerësve, pastaj duke inkorporuar në legjislacionin penal tretmanin mjekësor-farmakologjik (kastrimi kimik) si masë të sigurisë për këta kryerës si dhe duke ashpërsuar dënimet në Kodin Penal.

“Mirëpo, duke mos e vënë asnjëherë në jetë tretmanin mjekësor-farmakologjik (asnjëherë nuk u shqiptua nga Gjykatat ndaj asnjë kryerësi) dhe së fundmi edhe duke e hequr atë nga legjislacioni penal, pastaj duke mos e azhurnuar dhe mbajtur në funksion vazhdimisht regjistrin e pedofilëve, mendoj se Maqedonia e Veriut ka shënuar regres të theksuar në drejtim të parandalimit dhe luftimit të abuzimit seksual të fëmijëve dhe pedofilisë në vend” theksoi Ratkoceri.

Ajo shton se institucionet duhet të kenë qasje serioze ndaj këtij fenomeni sepse është një ndër format më të rënda të kriminalitetit.

“Përveç dënimeve të ashpra me burgim, duhet të mendohet edhe për tretmanët mjekësore dhe psikologjike që sot shtetet bashkëkohore i aplikojnë ndaj abuzuesve seksual të fëmijëve si dhe të kujdesen për funksionalizimin permanent të regjistrit. Vigjilentë ndaj kësaj dukurie duhet të jenë edhe prindërit dhe të tjerët që kanë në kujdes fëmijë”, përfundoi Ratkoceri.

Përndryshe, se sa i rëndësishëm është ky fenomen dhe cilat janë pasojat, kjo më së miri u kuptua pas bërjes publike të skandalit të “Dhomës Publike” ku shpërndaheshin materiale pornografike të vajzave, ku në mesin e tyre kishte edhe të mitura. Krijuesit e këtij kanali në “Telegram” u dënuan me katër vite burg.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button