Memento për mendimin e lirë

Ti shpreh mendimin e lirë mbi dukuritë e shëmtuara të klasës hajdute; mbi tuxharët që shesin asetet kombëtare; mbi zuzarët që në emër të kombi dhe të Zotit manipulojnë të zhyturit në mjerim; mbi analistët gjithollogë që me debate të zhurmshme e të idiotëzuara ruajnë nderin e banditëve të tebdilosur në burra të urtë; mbi liliputët e kulturës së sfilitur bejtesh turlifare dhe një morie dukurishë të rëndomësuara, pa futur hundët në çifliqe familjare dhe pa gjurmuar në dosje theshethemesh si gurubi monizmi. Shumë e zakonshme kjo për botën e qytetëruar, por jo dhe për vendin e çudirave, ku shkelja e bishtit të gjarpërit konsiderohet mëkat. Shi për këtë, pasi të grithish qufrat, hap çadrën dhe mbro veten nga këlbazat e heronjëve emërfikur, që të sulmojnë shtrungas dhe të portretojnë me fytyrë derri, ngjashëm si Sokratin e Migjenit. Ndryshe, si do të dukesh ibret, para syve me trahomë të gjynahëve që nuk dinë gjë për shakatë e djajve dhe avokatëve të tyre mbrojtës.

Pavarësisht të gjithave ti mos u ligështo dhe mos bjer në nivel diskursesh dardha te kumlla. Ti duhet ta kursesh publikun marrëzishë, pa u zmbrapsur nga mendimi i shprehur publikisht për vrasësit e të ardhmes së fëmijëve tanë. Me rëndësi është t’ua japish njerëzve zjarrin, të braktisish kopenë dhe ta shprehish mendimin shkoqur e me ndërgjegje të pastër. Dhe ajo (ndërgjegja) do të jetë e tillë edhe kur këllira do të ngjesë bishta të shpifur, edhe kur kërkushët do t’u përgjigjen dy rreshtave tu me shkarravina të sallamadishme e fyese… Natyrisht se kjo është e dhembshme për ty. Ndoshta mund të jetë dhe e kobshme për të nesërmen tënde, sepse qorrat gjuajnë pa gabime…Megjithatë, ti duhet të shikosh përpara. Po të mbetej bota pa prometejë, po të katandisej në shputat e hatrit të rremë, në thonjtë e atyre që jetojnë nga atdhetaritë verbale, në kthetrat e të mirëve me të gjithë apo në mëshirën e kompromisaxhinjëve, do të kutërbonte qelbësishë. Ndaj shiko punën tënde dhe vazhdo të shkruash për pisllëqet e kësaj bote, pavarësisht se mund të shtrembërohesh përkohësisht në bebzat e pubertetlinjëve të thinjur. Shkruaj guximshëm për zhvatësit e hises së të rinjve që braktisën dhe vazhdojnë ta braktisin pakthyeshëm atdheun; për ata të cilët e kanë borxh të bëjnë, po nuk bëjnë asgjë për këtë popull të ngratë që po shuhet në këste te padiktueshme; për ata që rezatojnë virtyte të rreme para masave të padjallëzuara popullore; për ata që pa patërica padronësh do ta kuptonin herët se kanë lënë dhentë mazun

Shkruaj pra lirshëm se koha është aleati yt më i mirë – ai që kllum çdonjërin në hurdhën ku e ka vendin. Me rëndësi është ta shprehish pa frikë e pa zori të vërtetën tënde, pa çka se nuk korrespondon me “të vërtetën” e anonimit të Elbasanit. Dikush duhet të lë dëshmi se nuk jemi barëngrëbës.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button