Kroatët vlerësojnë procesin e ndryshimit që solli përfshirja në Eurozonë

Përfshirja e Kroacisë, një prej anëtarëve më të rinj të Bashkimit Evropian (BE) si në Zonën Shengen ashtu edhe në Eurozonë që nga 1 janari, pritet të sjellë edhe shumë risi në vend.

Teksa Kroacia është përgatitur muaj më parë për ndryshimin, popullsia uron që procesi i tranzicionit që pret të jetë i lehtë në çështjen e përdorimit të euros, të ndikojë goxha në jetët e tyre të përditshme.

Procesi i kalimit nga monedha zyrtare kuna në euro do të vazhdojë deri më 15 janar.

Menaxheri Marko Mikulec, i cili mund të përdorë që të dyja monedhat, në një deklaratë për Anadolu Agency (AA) bëri të ditur se presin një proces tranzicioni të lehtë. “Pajisjet e kasave dhe ato Pos i kam kthyer në euro. Pavarësisht mënyrës së pagesës, kusuri kthehet me euro”, tha ai.

Farmacistja Megi Gruber bëri të ditur se disa qytetarë nuk kanë kryer ende blerje për shkak se kanë qasje me dyshim ndaj situatës dhe tha më tej se “Banka përballë ditët e fundit po punon intensivisht që nga ora që hapet”.

Ndërsa pensionisti Ivan Bogeljic tha se në pagesat që ka bërë me kuna ka marrë kusurin në euro. “Jam i përgatitur për situatën. Më kanë mbetur vetëm 100 kuna. I kam gati eurot. Në ditët e ardhshme çdo gjë do të futet në rrugën e duhur”, theksoi ai.

Aleksandar Manojlovic, i cili punon si kamarier në një kafene, shpjegoi se klientët “për momentin” vazhdojnë pagesat me kuna dhe tha se “Këtë mund ta bëjnë deri më 15 janar. Më pas nuk do të mbesë më kuna. Për mendimin tim të gjithë duhet të shkojnë nëpër banka dhe të kthejnë në euro paratë që kanë në kuna”.

Përfshirja e Kroacisë në Shengen avantazh për Bosnjë dhe Hercegovinën

Përfshirja e Kroacisë në Zonën Shengen që nga 1 janari, thuhet se ka një rëndësi të madhe për fqinjin e saj, Bosnjë dhe Hercegovinën.

Këshilltari në drejtorinë e policisë kufitare të Bosnjë dhe Hercegovinës, Svevlad Hoffman, theksoi se përfshirja e Kroacisë në Shengen është avantazh për ta dhe më tej deklaroi se “Qytetarët e Bosnjë dhe Hercegovinës pas kalimit të kontrolleve në kufirin me Kroacinë mund të bëjnë kalim pa pritje, në cilin vend të BE-së që ato dëshirojnë. Kjo është një situatë shumë e rëndësishme”.

Pasi vuri në dukje se mund të formohen radhë të gjata të përkohshme për automjetet në Bosnjë dhe Hercegovinë, e cila është bërë një nga ndalesat e fundit para Zonës Shengen, Hoffman u shpreh se “Koha e pritjes së automjeteve në kufi mund të zgjatet deri sa Kroacia të mësohet plotësisht”.

Në një deklaratë nga Dhoma e Tregtisë së Jashtme e Bosnjë dhe Hercegovinës, thuhet se hyrja e Kroacisë në Shengen do të ketë disa ndikime mbi vendet dhe se “në këtë aspekt do të zbatohen kontrolle më të rrepta”.

Pasi theksohet se Zona Shengen është një territor ku nuk ka kontrolle kufitare, në deklaratë thuhet se “Bosnjë dhe Hercegovina ka 17 pika të kalimit kufitar me Kroacinë. Në 2 prej këtyre kalimeve kryhen kalime ndërkombëtare të çdo gjëje për BE-në. Për këtë arsye do të rriten kontrollet edhe në këtë aspekt”.

Kroacia u bë anëtare e BE-së në vitin 2013

Kroacia e cila u bë anëtare e BE-së në vitin 2013, më 1 janar 2023 ajo u bë anëtarja e 27-të e Zonës Shengen dhe në të njëjtën kohë ndryshoi përdorimin e monedhës zyrtare nga kuna në euro.

Që nga viti 2013 kur iu bashkua BE-së e deri më tani, Kroacia ka vendosur në zbatim pjesë-pjesë rregullat e Shengenit. Kroacia parashikon se përfshirja në Shengen do të reflektojë pozitivisht në ekonominë e vendit dhe do të rrisë fuqinë e saj konkurruese falë qarkullimit të lirë, më të shpejtë dhe më të lehtë të mallrave dhe të shërbimeve. Po ashtu vendi parashikon se si anëtare e Shengen do të rriten edhe të ardhurat e saj të turizmit.

Qeveria kroate ka njoftuar se që nga 1 janari kufijtë e vendit do të përshtaten me rregullat e Shengenit për transportin dhe komunikimin me rrugë tokësore, hekurudhore dhe detare dhe ka përcaktuar datën 26 mars 2023 që aeroportet të bëhen gati plotësisht.

Kroacia në të njëjtën kohë u bë vendi i 20-të që përdor euron në BE.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button