Kroacia prej sot në Eurozonë dhe Schengen, qytetarët e RMV-së për një vit mund të bëjnë shkëmbimin e kunës

Kroacia më 1 janar ndryshoi monedhën e saj në euro dhe zyrtarisht hyri në zonën pa viza të Evropës, Schengen – dy ngjarje të rëndësishme për këtë shtet që është anëtarësuar në Bashkimin Evropian pothuajse një dekadë më parë, raporton REL.

Në mesnatë, ky shtet ballkanik ndryshoi monedhën nga kuna në euro dhe u bë anëtari i 20-të i Eurozonës. Po ashtu, Kroacia u bë shteti i 27-të që hyri në zonën e udhëtimit pa pasaporta, Schengen, zonë që mundëson lëvizjen e lirë mes shteteve anëtare të mbi 400 milionë banorëve. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, do të vizitojë më vonë gjatë të dielës Kroacinë për të shënuar këto arritje.

Ekspertët thanë thënë se përdorimi i euros do t’i ndihmojë Kroacisë që të ruajë ekonominë në kohën kur inflacioni është rritur në mbarë botën pas pushtimit rus të Ukrainës, që ka rritur çmimet e ushqimit dhe karburanteve.

Niveli i inflacionit në Kroaci në nëntor arriti në 13.5 për qind, që është nivel më i lartë krahasuar me 10 për qind inflacion në Eurozonë.

Por, kroatët kanë ndjenja të përziera kalimit në euro. Përderisa ata mirëpresin futjen në zonën Schengen, shumë të tjerë janë të shqetësuar se kalimi në euro do të çojë në rritje të çmimeve.

“Do të qajmë për kunën tonë, çmimet do të rriten”, tha për AFP-në, Drazen Golemac, një pensionist nga Zagrebi.

Megjithatë, përdorimi i euros veçse është i përhapur në Kroaci, teksa rreth 80 për qind e depozitave bankare janë në euro.

Zyrtarët kanë mbrojtur vendimin që t’i bashkohen Eurozonës dhe Schengenit, me kryeministrin kroat, Andrej Pllenkoviq, që tha më herët gjatë kësaj jave se këto janë “dy qëllime strategjike për integrim më të thellë evropian”. Kroacia, ish-republikë jugosllave, me 3.9 milionë banorë, u anëtarësua në BE më 2013.

Ndryshe, Banka Popullore në Maqedoninë e Veriut në muajin nëntor të vitit të kaluar vendosi që kuna kroate të jetë pjesë e tregut në Maqedoninë e Veriut prej 31 dhjetorit të vitit 2022, ashtu që në vitin 2023 do të mund të bëhet këmbimi i kunës në banka dhe në institucione tjera në RMV.

“Në përputhje me vendin e Këshillit të Bashkimit Evropian për përfshirjen e Kroacisë në euro-zonë më 1 janar të vitit 2023, kuna kroate do të jetë zyrtarisht mjet pagesor prej 31 dhjetorit të vitit 2022”, vendosin nga Banka Popullore, duke paralajmëruar që prej 1 janarit të vitit 2024, shërbimet për shkëmbimin e kunës kroate do të realizohet vetëm në Bankën Qendrore të Kroacisë.

Ndryshe, në maj të këtij viti ligjvënësit kroatë miratuan një ligj që i hap rrugë futjes në përdorim të valutës euro. Kroacia do të zëvendësojë kunën kroate me euron më 1 janar 2023.

Gjithsej 117 vota ishin në favor të legjislacionit për euron, 13 vota kundër dhe një ligjvënës abstenoi në Parlamentin prej 151 anëtarësh. Partitë e krahut të djathtë në Parlamentin kroat ishin kundër futjes në përdorim të euros, duke thënë se kjo do të rriste varfërinë dhe do të ushtronte presion mbi qytetarët.

Të dyja valutat është vendosur të përdoren paralelisht në muajt pas fillimit zyrtar të aplikimit të euros.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button