Shëndetësia në RMV gjatë vitit 2022: Vit i qetë, sëmundjet – kronike

Në shëndetësi, viti i kaluar 2022 u shënua nga një sërë zhvillimesh, e para ndër të cilat ishte ndryshimi i ministrave në janar. Kështu, pasardhësi i Venko Filipçes, i cili e udhëhoqi këtë resor për katër vite, u bë Bekim Sali nga partia politike Alternativa, shkruan Meta.mk, transmeton Portalb.mk.

Gjatë gjithë vitit, ashtu si paraardhësi i tij, Bekim Sali u desh të përballej me pandeminë që po vijon akoma. Me ndryshimin se në vitin 2022 pothuajse nuk do të ketë masa mbrojtëse, qytetarët janë relaksuar, vështirë se mund të shihet dikush me maskë në fytyrë për shkak të pandemisë. Ordinancat janë plot me pacientë me simptoma shumë të ngjashme me ato të Covidit, por megjithatë rrallë e pak testohen.

Sipas të dhënave aktuale të Institutit të Shëndetit Publik, viti 2022 u mbyll me gjithsej 9.608 vdekje si pasojë e Covid-19 që nga fillimi i pandemisë, 335.590 pacientë të shëruar, vetëm 204 raste aktive, por edhe 21.141 të riinfektuar. Edhe pse statistikat ditore tashmë prej kohësh nuk publikohen, ka shumë të ngjarë që Covidi të jetë përditshmëria jonë edhe në vitin 2023.

Në fillim të vitit të kaluar 2022, pasi nxënësit shkuan në shkollë më 1 shkurt, gradualisht numri rasteve Covid filloi të rritet, gjë që ishte arsyeja që autoritetet shëndetësore të bënin kontroll në shkolla për të parë intensitetin e përhapjes së virusit, gjegjësisht të shohin se sa ka raste asimptomatike. Numrat nga ai skrining ishin joreale sepse rezultoi se nga 800 nxënës të testuar, vetëm tetë ishin pozitivë. Zhgënjyes ishte fakti se nga dhjetëra mijëra nxënës, vetëm rreth 5000 prindër dhanë pëlqimin për testim. Prandaj, relevanca e të gjithë skriningut u vu në dyshim.

Në sektorin e shëndetësisë, vëmendje të madhe në opinion bëri këtë vit dokumentari i transmetuar nga IRL, gjatë të cilit u akuzuan se klinika “Zhan Mitrev” po kryente një studim klinik me metodën e hemofiltrimit pa raportuar dhe pa informuar në mënyrë adekuate pacientët. Prokuroria ka hapur një lëndë për këtë rast dhe klinika pretendon se bëhet fjalë për të pavërteta. Ministri Sali tha se ndjen përgjegjësi të thellë dhe është i vendosur ta çojë këtë çështje deri në fund dhe të marrë një zgjidhje. Zgjidhje me siguri do ta shohim në vitin 2023.

Ndonëse premtuan, autoritetet shëndetësore vitin e kaluar i lanë fëmijët me diabet pa sensorë për matjen e glicemisë, që u nevojiten në jetën e përditshme. Serbia, Kroacia, Mali i Zi, Greqia kanë marrë sensorë, ndërsa fëmijët tanë vazhdojnë të shpojnë gishtat për të matur sheqerin në gjak. Pasi ministria anuloi tenderin e parë, Shoqata për diabet tek fëmijët, në fund të tetorit, u kërkoi autoriteteve që të siguronin urgjentisht këta sensorë. Ka kaluar viti i pestë që nga paraqitja e kërkesës së parë për blerjen e sensorëve. Ka pasur premtime se do të prokurohen nga ministri Filipçe, por edhe nga Sali, por çështja nuk është zgjidhur deri më sot.

Viti i kaluar shënoi transplantin e parë të mëlçisë në vend. Një pacient gjashtë vjeçar me sëmundje kronike të mëlçisë mori organ të shëndetshëm nga një pacient me vdekje të trurit, familja e të cilit pranoi t’i dhuronte organet. Në periudhën e kaluar janë bërë disa transplante dhe transplanti i parë i zemrës është kryer në Klinikën e Kardiokirurgjisë në vitin 2020.

Shëndetësia është përballur vazhdimisht me një sërë problemesh ndër vite. Kuadri i ri largohet për punë jashtë vendit, ndaj është e vështirë të gjendet kuadër i përshtatshëm për të punuar në spitale dhe klinika, dhe ky problem është i shprehur sidomos në qytetet e vogla dhe në zonat rurale.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button