“Teatër” për Teatrin e Tetovës

Shkruan: Fisnik Xhelili

Çfarë kontradikte…

Para disa ditësh mësuam se Teatri i Tetovës ishte teatri më i frekuentuar nga publiku për sezonin teatror 2021/2022. I vetmi teatër profesional i Maqedonisë së Veriut që kishte frekuentim mesatar prej më shumë se 200 spektatorësh ishte Teatri i Tetovës, ku mesatarisht kishte 204 shikues për shfaqje.

Gjithçka në rregull deri këtu.

Po t’ia thuash ndonjë të huaji këtë histori suksesi e nga ana tjetër t’i thuash se po ky teatër nuk ka objektin e vet ende, zor se të beson. Eh, këtu qëndron i gjithë problemi. Tetova assesi të bëhet me objekt për teatër për shumë vite.

Edhe pse premtimet për ndërtimin e objektit të Teatrit të Tetovës datojnë që në vitin 2010, realizimi në terren lë shumë për të dëshiruar. I njëjti ka filluar të ndërtohet para rreth tetë viteve dhe sot ende nuk ka mbaruar, punimet janë zvarritur në maksimum. Edhe pse në karriget ku sillen vendimet dhe politikat e kulturës, janë ulur shumë persona deri më tani, shqiptarë e maqedonas, pozitë dhe opozitë. Por, deri tani, asnjëri nuk arriti t’i përshpejtojë punimet dhe të presë shiritin e kuq, moment ky i shumëpritur nga të gjithë ne, a më shumë nga ato, aktorët.

Aktorët, publiku, Tetova dhe tetovarët sipas deklarimeve të zyrtarëve do duhet të presin edhe disa vite, apo më mirë thënë deri në vitin 2025/2026 që ky objekt të përfundojë. Nuk do ishte aspak e habitshme nëse kjo nuk do realizohet edhe atëherë, pasi zvarritjet për përfundimin e objektit tani më janë bërë traditë. E nëse vërtetë realizohet siç thuhet, dyert e teatrit të ri do të hapen gjashtëmbëdhjetë vite pas premtimit të dhënë për të. E çuditshme, pasi për 16 në një botë normale ndërtohen gjëra të jashtëzakonshme, por, kjo është e zakonshmja për një vend të pazakonshëm si ky i yni. Në këtë mes, më shumë teatër për objektin e teatrit të ri ka dhënë politika se sa vetë aktorët.

Më dhemb kur i shoh aktorët e teatrit gjithë ditën nëpër kafene, i kuptoj deri në një pikë, s’kanë ç’të bëjnë, s’kanë kushte . Vetë jam rritur në atë teatër, vitet e fëmijërisë time i kam kaluar aty në prapaskena e prova, e sot gjendja mbetet statike pas shumë viteve dhe është jashtëzakonisht dëshpëruese. Numri i shfaqjeve teatrore është i ulët për një vit, kjo tashmë dihet si rezultat i mungesës së objektit dhe funksionimit në Pallat të Kulturës ku hapësira jo gjithnjë është e lirë për shfrytëzim, e pikërisht edhe ky objekt nuk e di se a meriton të quhet pallat me kushtet në të cilat funksionon.

Por, përkundër kësaj, Tetova qëndroi stoike!

Pavarësisht se aktorët me vite presin teatrin e ri, publiku po ashtu, ata përsëri nuk u dorëzuan, me artin e tyre dhe me pjesëmarrje e dëshmuan edhe këtë vit se Tetova dhe tetovarët e duan artin dhe teatrin, pavarësisht se politikat nuk e duan atë, pasi po ta donin, objekti i teatrit të ri do të kishte përfunduar moti kohë, e ndoshta kishim kapur ndonjë vend të parë në rajon për frekuentim të shfaqjeve teatrale. Kjo, pa diskutim se duhet të jetë një arsye më shumë për Ministrinë e Kulturës që t’i përshpejtojë punët, t’i dhurojë këtij qyteti dhe qytetarëve të etur për art objektin e teatrit që e meritojnë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button