Mesazhi

Para disa ditësh pranova një mesazh që tingëllonte mrekullueshëm. Aplikacioni onlajn i bankës më njoftonte për një mundësi të re kreditimi. Informacioni fillonte me fjalët “Relaksohuni dhe plotësoni të gjitha dëshirat tuaja!” Bëhej fjalë për një “kredi çasti” që banka ishte e gatshme ta aprovojë për mua dhe për të gjithë klientët tjerë që ne të gjithë të gëzuar dhe të lumtur të blejmë gjithçka që dëshirojmë gjatë festave të fundvitit në qendrën më të madhe tregtare në shtet.
Banka është e gatshme ta aprovojë këtë kredi pa qenë nevoja klienti ta vizitojë bankën, mjafton që ai të paraqitet në vendin e cakuar në qendrën tregtare dhe do të marrë kartelën e vogëm çudibërëse që ka plot 120.000 den brenda të cilat mund të shlyhen në afat prej 60 muajsh dhe me të cilat klienti mund të blejë gjithçka që dëshiron për ato para dhe të paguajë më vonë me këste. Sa bukur tingëllon mundësia për të realizuar ëndrrat tua që të bëjnë të ndjehesh si ndonjë personazh në filmat e Holivudit ku ngjarja ndodh gjatë festave të fundvitit!

Kreditimi dhe qarkullimi i parasë janë ndër elementet kryesore të ekonomisë kapitaliste e cila rritet dhe shtohet pikërisht përmes procesit të konsumit. Sa më shumë konsumohen mallëra aq më shumë duhet të prodhohen, aq më shumë vende pune hapen dhe aq më shumë para qarkullojnë. Në këtë mënyrë ekonomia rritet, por njëherit rriten edhe dëshirat e njerëzve për të blerë e konsumuar më shumë, për tu dukur më mirë dhe për të fituar atë ndjenjën se jetojnë një jetë të pasur. Rrallë gjëra krijojnë varshmëri të tilla si blerja e sendeve për të cilat nuk kemi nevojë imanente, dhe pa të cilat fare mirë mund të vazhdojmë të jetojmë, të ashtuquajturat mallëra joesenciale. Kjo për shkak se ekonomia e sotshme bazohet në shkencën e marketingut e cila ka për qëllim të na tregojë se diçka na mungon, dhe sapo ta kemi atë do të ndihemi më mirë dhe do të jemi më të lumtur. Marketingu në esencë është proces psikologjik, para se të jetë proces ekonomik.

Në mënyrë që një send të shitet, konsumatori duhet të bindet se ai send është i patjetërsueshëm për mirëqenien e tij dhe prandaj ai duhet domosdoshmërisht ta blejë atë. Nëse nuk keni para për të blerë, ky është problemi më i vogël, këtu janë kreditë e çastit për blerje të çastit, bli tani – paguaj më vonë, dhe të gjithë janë të lumtur. Ashtu siç thonë minimalistët Joshua Fields Millburn dhe Ryan Nikodemus, konsumatorët janë “të lumtur” në shtëpitë e tyre të mbingarkuara me sende që nuk u duhen, të blera me para që nuk i kanë për t’i impresionuar njerëzit të cilët aspak nuk i pëlejnë. Por më të lumtura janë bankat dhe bizneset e mëdha të cilët çdo ditë e shtojnë fitimin e tyre pikërisht falë dëshirave pafund të klientëve të tyre për të pasur më shumë dhe vetëm më shumë.

Ky rreth vicioz i konsumit të pafrenuar dhe rritjes së vazhdueshme e të paqëndrueshme ekonomike përshkruhet me mjeshtri në librin e J.B. MacKinnon “Dita kur bota do ta ndërpresë blerjen – Si fundi i konsumerizmit e shpëton mjedisin dhe veten tonë”. Në këtë libër që në disa pjesë mund të duket utopik, mes shumë citimeve, autori citon një personalitet nga Ekuadori të ketë thënë: “Varfëria nuk ka të bëjë me atë se kush ka shumë e kush ka pak. Varfëri është dëshira për të pasur më shumë e më shumë dhe të mos qenit asnjëherë i kënaqur me atë që ke.” E nga ana tjetër, lakmia për më shumë është karakteristikë e të gjitha shoqërive kapitaliste, duke përfshirë këtu edhe vendet në tranzicion të cilat kanë vetëm një dëshirë, të bëhen si vendet ku konsumi lulëzon e ku njerëzit me një kartelë çudibërëse të mund të blejnë gjithçka që dëshirojnë.

Të komnsumuarit sa më shumë është veprimi që e zhvillon ekonominë. MacKinnon citon presidentin G.W. Bush i cili nëntë ditë pas ngjarjeve shokuese të 11 Shtatorit 2001 që normalisht shkaktuan një ndërprerje të konsumerizmit të vazhdueshëm dhe rrjedhimisht edhe rënie të ekonomisë amerikane, në një fjalim të tij para Kongresit Amerikan ai kërkoi që qytetarët të jenë të qetë dhe të durueshëm, dhe… të marrin pjesë e të besojnë në ekonominë Amerikane. MacKinnon vëren që ky fjalim u interpretua si thirrja e një presidenti drejtuar një kombi të lënduar të shkojë në shopping.

Dhe këtu nuk ka asgjë të çuditshme. Blerjet e panevojshme sot janë bërë mënyrë për të kaluar kohën. Jeni të mërzitur, shkoni në qendër tregtare, patjetër do të gjindet diçka që do të ju pëlqejë. Jeni të lënduar apo të pikëlluar, blerja e gjërave të reja e ngren disponimin, qoftë edhe për pak kohë: është si dopamina që ndikon në hormonet tona të lumturisë. Dhe pikërisht kjo ndjenjë e shkurtër e lumturisë krijon varshmërinë për ta përsëritur atë çdo ditë dhe sapo të na jepet rasti, veçanërisht kur jemi të rrethuar me reklama të ndritshme të cilat vazhdimisht na thonë se diçka na mungon, se duhet të kemi edhe këtë produkt, edhe atë krem, edhe këtë veshje, vetëm për të qenë pak më të lumtur, qoftë edhe përkohësisht. E gjithë industria e marketingut, ku marketingu bankar është posaçërisht i fuqishëm, bazohet në faktin se konsumatori nuk mendon shumë gjatë kur blen, por blen nën ndikimin e emocioneve të çastit.

Blerja në impuls karakterizohet me atë që kur shkoni në shtëpi nuk e dini pse e keni blerë atë që e keni blerë dhe nuk jeni të aftë të kujtoheni çfarë tamam ju shtyu në këtë veprim. Pikërisht kjo është mënyra se si makretingu ndikon në psikologjinë njerëzore ashtu që konsumatori të mos ndalet të mendojë se çfarë tamam është duke bërë, të mos racionalizojë, por të veprojë tërësisht në mënyrë emocionale. Prandaj reklamuesit i përshkruajnë gjërat që duan ti shesin jo vetëm si çudibërëse, por edhe të pakta në numër, dhe konsumatori duhet të shpejtojë ti blejë ato: uljet e çmimeve zgjasin vetëm disa ditë, oferta e reklamuar në televizor duhet shpejt të kapet, sepse sasitë janë të kufizuara, dhe mundësia për të nxjerë kredinë e çastit nga banka është e limituar vetëm gjatë javëve të festave. E megjithatë, ne shohim që fill pas një feste, vjen festa tjetër, fill pas një uljeje, vjen ulja tjetër, fill pas një mundësie për kredi vjen mundësia tjetër, dhe fill pas modelit më të ri të telefonit, bredna disa muajsh vjen modeli tjetër të cilin sërish, duhet patjetër ta kemi sepse duam të dukemi të pasur dhe të jemi si të tjerët të cilët tani më e kanë.

Ky proces i konsumerizmit të pafrenuar dhe të nxitur nga institucionet e ndryshme ndoshta është vërtet mënyrë e rritjes së ekonomisë. Por në anën tjetër nuk mund të mohohet fakti se i njëjti proces është burim i një forme të re të varfërisë: varfëria e borxhliut që është në borxh deri në fyt për shkak të emocioneve të pakontrolluara dhe lakmisë për të pasur më shumë. Minimalistët Millburn dhe Nikodemus por edhe shumë autorë të tjerë e përshkruajnë realitetin e hidhur të ekonomive më të fuqishme në botë.

Kështu, shtëpia mesatare amerikane ka rreth 300.000 sende brenda, amerikani mesatar ka tre kartela krediti në portofol, borxhi mesatar i një kartele krediti është rreth 16.000 dollarë, rreth 80% e popullatës është në kredi ndërsa borxhi konsumator në SHBA është rreth 14 trilionë dollarë! Mbi 50% e amerikanëve nuk kanë kurisme për të mbuluar një muaj pa të ardhura, 62% e tyre nuk kanë as 1000 dollarë të kursyera, dhe afër gjysma e popullatës ka vështirësi për të paguar një shumë prej 400 dollarësh në një rast urgjent. Pra, nëse vjen puna që një amerikan mesatar të shkojë te dentisti ose të riparojë një defekt në automobil, ai duhet të paguajë me kredi kartë, sepse nuk ka sa duhet kursime për të mbuluar një shpenzim të paplanifikuar. Kur kështu funksionin ekonomia më e fuqishme në botë, mund ta merni me mend se si funksionojnë ekonomitë e vogla dhe tranzicionale si kjo e jona.

Një rregull tjetër e kapitalizmit është se të pasurit bëhen gjithnjë e më të pasur ndërsa të varfërit blëhen gjithnjë e më të varfër. Kjo pjesërisht për shkak të lakmisë për tu dukur i pasur edhe kur nuk je i tillë. Kjo lakmi e shtyn njeriun mesatar të harxhojë gjhithnjë e më shumë, dhe kjo nxitet nga bizneset dhe nga bankat, në mënyrë që paraja të qarkullojë. Dhe kështu, konsumatorët mesatarë në vend se të pasurohen ashtu siç duan të duken, ata varfërohen duke u zhytur thellë e më thellë në borxhe.

Në Maqedoninë e Veriut pak kohë më parë u hap qendra më e madhe tregtare në rajon. Para saj, qendra më e madhe e tillë ishte në Shqipëri. Flitet se në muajt në vijim do të hapet qendër edhe më e madhe tregtare në Kosovë. A nuk është e çuditshme që në vendet me ekonomi më të varfëra të hapen qendrat më të mëdha tregtare? Nuk është e çuditshme në aspekt ekonomik, sepse aty ku qytetarët nuk janë aq të pasur sa të investojnë, e vetmja mënyrë për ta rritur ekonominë mbetet që ata të harxhojnë më shumë për të konsumuar. Ashtu si thotë Yuval Noah Harari kur e përshkruan kapitalizmin, paraja duhet të qarkullojë, dhe në mënyrë që kjo të ndodhë, të pasurit duhet të investojnë sa më shumë, ndërsa të varfërit duhet të konsumojnë sa më shumë. Pikërisht kjo fjali e përshkruan gjendjen në të cilën jemi.

Mesazhi i bankës që ishte frymëzim për këtë shkrim tingëllon bukur dhe është tërheqës. Por për mua më tërheqës është mesazhi i Minimalistëve në librin e tyre “Duani njerëzit, shfrytëzoni sendet, sepse e kundërta asnjëherë nuk funksionon” ku ata thonë shumë qartë: “Nëse nuk ke para për të blerë një send, dhe duhet ta blesh me kredi, atëherë atë send nuk mund ta përballosh.” Ka diçka që krijon më shumë kënaqësi nga të blerit dhe të pasurit sende që nuk na duhen. Të japësh dhe të ndash me të tjerët atë që ke të bën të ndjehesh më mirë. Le të jetë viti i ri një vit kur do të japim më shumë, dhe këtë do ta bëjmë me kënaqësi.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button