Strugë, të balancohet zhvillimi urban me ruajten e hapësirës publike

Në organizim të “Diversity media”  dhe në kuadër të projektit “Debate _mk”, të programit Civica Mobilitas, sot në Strugë u zhvillua debati me temën bosht “Hapësira publike kundrejt ekspansionit urban”

Në fillim të këtij aktiviteti, të pranishmëve ju drejtua arkeologu Nikos Çausidis i cili theksoi se qyteti ku jetojmë duhet të barazohet me shtëpinë, apo dhomën tonë.
“Nëse duam ta njohim një njeri, duhet që të shkojmë dhe ta shikojmë se në çfarë shtëpie ai jeton. Kjo sepse nga pamja e shtëpisë, apo dhomës së tij do të mësojmë shumë për karakterin e tij.”, vlerësoi Çausidis.

Ai kërkoi nga kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela dhe nga të pranishmit të tjerë që t’i kushtojnë rëndësi memories kulturore të qytetit të tyre dhe të mos prishin ato që i kanë ndërtuar paraardhësit e tyre,

“Në çdo 100 vjet në Ballkan në qytete të ndryshme dominojnë etnitete të ndryshme. Banorët e qyteteve tona në të kaluarën ishin me shumicë etnike turke, pastaj u bënë maqedonasit, ndërsa tani më është e qartë tendenca që në Maqedoninë perëndimore të dominojnë shqiptarët”, tha Çausadis, duke kërkuar që të ruhet gjithçka që është kulturore, pa marrë parasysh se kujt i përket ajo.

   Më pas panelisti Nazim Rashidi e pyeti kryetarin e Komunës së Strugës, për nismat që në fillim të mandatit të tij për lirimin e hapësirave publike.
Kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela, tha se kjo ishte më se e nevojshme, kur të kihet parasysh se qytetarët nuk kishin nga të qarkullonin , në rrjedhën e Drinit. Megjithatë, Sela tha se ka ende punë për t’u bërë në drejtim të kthimit të hapësirave politike qytetarëve.

Ai i quajti të kundërligjshme kontratat koncesionare të Ministrisë së Transportit dhe të Lidhjeve me koncesionerët  e plazheve, sepse siç tha Sela, askund në ligji nuk thuhet që ata nëpër plazhe të ndërtojnë banaaqe dhe objekte të tjera.

Kryetari i komunës së Strugës shtoi se duhet të krijohet një balancë midis zhvillimit urban dhe ruajtjes së hapësirave publike, sepse njerëzit kanë nevojë që të krijojnë të ardhura për të siguruar jetën e tyre.

Në këtë kontekst, ai theksoi se do të pranonte që në Strugë, të vijnë të investojnë investitor si Subrata Roy, por që këto investime të bëhen në përputhje me Ligjin dhe pas konsultimeve me qytetarët dhe specialistët.

“Nuk mundet që në njëra pjesë e liqenit të urbanizohet, ndërsa në tjetrën të kërkohet të ruhet flora dhe fauna. Qytetarëve më shumë se kaq u intereson që të punësohen dhe të krijojnë të ardhura për të jetuar”, tha Sela.

Në debat u inkuadruan edhe arkitektë dhe pjesëmarrës të tjerë, të cilët shtruan nevojën e ruajtjes  së hapësirëva publike.

Kështu, Erijeta Xhumkar theksoi se jo qytetarët por, institucionet duhet të mbajnë llogari për uzurpimin e pronës publike, kurse arkitekti, Flamur Elmazi solli përvojën e tij nga Zvicra, ku ai ushtron profesionin e arkitektit. Ai theksoi se sivjet në Strugë, për dallim nga vitet tjera shihet një ndryshim pozitiv, në drejtim të menaxhimit të qytetit dhe se kjo praktikë, sipas tij duhet të mos ndalet, por të avancohet.

Lajme të ngjashme

Back to top button