Javën e ardhshme në Maqedoninë e Veriut do të vijnë delegacionet e UNESKO-s dhe të Konventës së Bernës

Përfaqësuesit e UNESKO-s dhe të Konventës së Bernës në fund të këtij muaji do ta vizitojnë vendin, do të inspektojnë situatën në Ohër, e cila është bërë me qëllim të përmbushjes së rekomandimeve për mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore-historike, raporton MIA.

Ndonëse si autoritetet qendrore ashtu edhe ato lokale janë deklarativisht në favor të ruajtjes së statusit që ka rajoni i Ohrit në UNESKO dhe pretendojnë se po punojnë në drejtim të përmbushjes së rekomandimeve, situata në terren flet ndryshe, që nuk bëhet sa duhet për sa i përket vlerës së brandit  që mban vulën e UNESKO-s.

Në vitet e kaluara, veçanërisht në dekadat e fundit, po ndryshon me shpejtësi të madhe pamja e qytetit dhe ajo e bregdetit, veçanërisht ndryshime të dukshme ka në pamjen e pjesës së vjetër të qytetit. Pavarësisht se ajo pjesë e qytetit mbrohet me ligj si trashëgimi kulturore me një rëndësi të veçantë, megjithatë në qytet vërehen ndërhyrje të dukshme që i referohen një pjese të madhe të rekomandimeve të UNESKO-s, pra aktivitete të pazbatuara mjaftueshëm për ndalimin e erozionit të vazhdueshëm të atributeve që përcaktojnë rajonin si një thesar botëror, kulturor dhe natyror.

Në seancën e fundit plenare dy vjet më parë, Komiteti i UNESKO-s kërkoi një kornizë gjithëpërfshirëse politike dhe institucionale ndërkufitare për zgjidhjen e kërcënimeve dhe sfidave serioze dhe të shumëanshme me të cilat po përballet rajoni i Ohrit. Vendimet nga Kina kërkojnë që Maqedonia dhe Shqipëria, këtë vit, në Qendrën e Trashëgimisë Botërore, të dorëzojnë një raport të përbashkët të përditësuar për gjendjen e rajonit, duke përfshirë edhe raportin mbi përparimin e bërë në zbatimin e vërejtjeve të cituara. Në dokument, nënvizohej, se nëse kërcënimet ekzistuese për rajonin e Ohrit dhe vlerat e tij të jashtëzakonshme nuk anulohen deri në sesionin e 46-të të Komitetit të UNESKO-s, të planifikuar për këtë vit, mbetet i hapur opsioni i zhvendosjes së rajonit në Listën e Trashëgimisë Botërore në Rrezik.

Në periudhën para takimit në Kinë, gjërat filluan të lëvizin nga pika e vdekur apo ngërçi, u kryen aktivitete të caktuara, u hoqën ndërtimet pa leje dhe pajisjet urbane nga bregdeti, por në përgjithësi mbetet përshtypja se punët po bëhen ngadalë, jo mjaftueshëm, me improvizime, pa përfshirjen dhe konsultimin e duhur me ekspertët e fushës.

Në fazë më të avancuar është projekti i devijimit të lumit Sateska si ndotës i liqenit në shtratin e tij natyror drejt Drinit të Zi.

Kryetari i Ohrit, Kiril Pecakov, vlerëson se është arritur progres sipas mundësive dhe financave të komunës, ndërsa për kritikat se nuk po bëhet sa duhet për të ruajtur statusin e rajonit në UNESKO-s, thotë se është një fushatë e orkestruar e individëve.

Sipas tij, qyteti duhet të zhvillohet, duke përmendur shembuj nga Italia, ku është ndërtuar në zona të mbrojtura nga UNESKO-s.

Kryetari i komunës së Ohrit bën të ditur se këtë sezon pas një pauze prej dy vitesh do të bëhet rregullimi i plazheve në bregun lindor të liqenit, me vendosjen e pajisjeve të përkohshme urbane nga materiale natyrore. Në liqen nuk do të lejohet asnjë platformë apo objekt tjetër ndërtimi.

Organizatat joqeveritare dhe shoqatat civile të mbrojtjes së mjedisit, janë ato që ngrenë më shumë zërin  për mbrojtjen e Liqenit të Ohrit nga shfrytëzimi i pakontrolluar

Ato janë të parat që vënë në dukje parregullsitë në veprime, në tentativat për të manipuluar publikun nga angazhimet e fshehura të deklaruara për mbrojtje dhe në fakt bëhet fjalë për përmbushjen e interesave fitimprurëse të dikujt.

Ata deklarojnë publikisht qëndrimin e tyre se mbishkrimi i rajonit të Ohrit në listën e trashëgimisë botërore në rrezik do t’i mundësojë Komitetit të Trashëgimisë Botërore të japë ndihmë urgjente nga Fondi i Trashëgimisë Botërore për pronën e rrezikuar. Sipas tyre, “më keq për rajonin e Ohrit është kjo zvarritje nga ana e institucioneve të Maqedonisë, në nivel shtetëror dhe lokal, të cilat ende nuk i kanë përmbushur rekomandimet e dorëzuara në vitin 2017 dhe të përcaktuara si urgjente”.

Edhe ndërtesa e kontestuar e hotelit pranë Lagadinit do të ndërtohet sërish, edhe pse ndërtimi i tij është treguar si i kontestuar nga UNESKO, ndërsa autoritetet lokale dhe qendrore po i hedhin fajin njëra-tjetrës se kush e lejoi këtë.

Një praktikë e tillë e akuzave reciproke të institucioneve në nivel shtetëror dhe vendor dhe ndërthurja e pushteteve në disa raste solli situata që lejuan legalizimin e ndërtimeve pa leje, mosndëshkimin, realizimin e përfitimeve dhe menaxhimin e burimeve të mbrojtura.

Së fundi, ministrja e Mjedisit, Kaja Shukova, deklaroi se Ministria asnjëherë nuk ka dhënë mendim pozitiv për projektet në zonën e mbrojtur në Ohër, veçanërisht nëse ka të bëjë me brezin bregdetar dhe ka shumë shembuj ku Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vepruar në kundërshtim me pretendimet e tilla.

Komuna e Ohrit së fundi organizoi dhe zhvilloi një diskutim publik me përfaqësuesit e sektorit të hotelierisë, në të cilin pronarët e objekteve të hotelierisë u njoftuan për nevojën e instalimit të pajisjeve të unifikuara urbane, reklamave të të njëjta të bëra me materiale natyrore, vendosjen e tendave me një ngjyrë nëpër ballkone, pra ndryshimin dhe përmirësimin e çdo gjëje qe ndikon ne përmirësimin e plotë viziv të qytetit.

Qytetarët e Ohrit janë pro zhvillimit të qytetit, këtë e tregojnë të gjitha anketat, por në të njëjtën kohë theksohet edhe për punë të paplanifikuara, për realizimin e projekteve që njollosin pamjen e tij.

Si shembuj të tillë përmendin rikonstruksionin e rrugës “Iluministët maqedonas” (Makedonski Prosvetitieli), veçanërisht mënyrën e rregullimit të rrugës me kalldrëm, që sipas tyre nuk është as praktike dhe as vizualisht e ngjashme me Ohrin, parkingjet e paplanifikuara për automjete, ndriçimi vizualisht i papërshtatshëm modernist i rrugës etj.

Si shembull tjetër i pajisjeve urbane të vendosura në mënyrë të papërshtatshme, qytetarët e Ohrit tregojnë stolat e vendosura së fundmi në qendër të qytetit, në sheshin “Shën Klimenti i Ohrit” (Sveti Kliment Ohridski) dhe në parkun përballë portit të qytetit. Sipas një pjese të qytetarëve të Ohrit, stola të tillë as vizualisht dhe as praktikisht nuk përputhen me zotimet e deklaruara për pajisje urbane të unifikuara në qytet dhe sigurisht janë në kundërshtim me dëshirat për një pamje sa më të bukur të qytetit para syve të vizitorëve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button