FIKUSI I PAVDEKËSISË (I)

Një natë relaksi në shtëpinë e malit të një miku. Përmes njërit prej rrjeteve sociale komunikojmë me një shok të karrierës lidhur me një çështje terciare dhe pas pak, ky i fundit, me mjeshtëri bën një shift, kumton lajmin e hidhur, më tregon se atë ditë i kishte ndërrruar jetë nëna. Të shashtisur, ia kthejmë me ngushëllimet tradicionale që burojnë nga zemra: Zoti e faltë dhe e bëftë banore të parajsës. Të nesërmen, me t’arrirë në shtëpi nga puna lë çantën e laptopit në një cep dhe në skajin përkarshi kolltukut në sy më bie luleja fletëmadhe. Ficus robusta.

Një lule goxha e zhvilluar që para disa vitesh e ndjera ia pati dërguar si filiz nënës time dhe tanimë kishte prodhuar shumë lule në disa vazo të tjera. Një simbolikë që më ngjalli në çast ndjenjën e njeriut qëllimimirë, zemërmirë, vepërmirë, të pavdekësisë, të eternalitetit dhe të llojit të njerëzve që s’vdesin ndonëse s’i kemi më në mesin tonë, ndonëse kanë ikur në botën tjetër. Plaka m’u shpërfaq përmes gjetheve, trungut dhe estetikës së lules. E kuptova thënien se disa gjëra, si bamirësia, qeniet humane i bëjnë të përjetshme.

Njeriu historikisht ka qenë në luftë me vdekësinë e vet. Mite e legjenda të shumta flasin për kërkimet njerëzore në drejtim të përhershmërisë, të dhënies fund vdekjes një herë e përgjithmonë. Gilgameshi i Mesopotamisë, në mileniumin e tretë para erës sonë, kishte mësuar se Ut-napishtimi, një urtar, e dinte recetën e pavdekësisë, se përmes bimës së tij do të mund të kthehej në rini dhe të bëhej i përheshëm e jo të vdiste si miku i tij i ngushtë Enkidu. E gjeti mësuesin, i cili s’i dha shpresë pavdekësie, por shpresë për rini; i tha të lidhte një gur e të hidhej në fund të detit ku do të gjente bimën e zgjatjes së jetës. Gilgameshi e gjeti bimën, u kthye mbi ujë, në tokë, por u ndal te një burim, ku pa se një gjarpër ia kapërdiu bimën, me çka iu këputën shpresat për pavdekësi, andaj u kthye i thyer në qytetine e tij Uruk. Edhe Mumiet egjiptiane janë metafora të synimeve për eternalitet. Sipas mitologjisë kelte, në Oqeanin Perëndimor ekziston një “Ishull i Pavdekësisë”, Amain Ablech, ku ka shumë mollë, që japin edhe fuqi edhe përjetësi. Romakët kanë perceptuar këpurdhën si një bimë sipërore, si ushqim hyjnor, kurse kinezët kanë folur për “këpurdhën e pavdekësisë”.

Eliade thotë se Gervasius në një hulumtim lidhur me “ujin e jetës” në Indi ka gjetur se klerikët e Lekës së Madh për të zgjatur jetën e tyre në 400 vjet, kanë bartur me vete ca lloj mollësh. (Kılıç, 2017: 135) Legjendat flasin se uji i jetës ia kishte dhënë Akilit forcën rezistuese ndaj vdekjes. Simbole të tjera të  kësaj natyre janë edhe gjarpri që shënjon edhe vdekjen, edhe helmin edhe kundërhelmin, dhe feniksi si sunduesi i të gjithë shpendëve, e të tjerë. Alkimistët që si objektiv kanë metalet t’i shndërrojnë në flori, janë munduar që përmes “Pancea”-s të gjejnë eliksirin e  pavdekshmërisë. Në Dhiatën e Vjetër përmendet motivi i drurit të jetës, në krishterim thuhet se vetëm Zoti është i përhershëm, se ajo që prishet s’mund të ketë përjetësi (EoB, 2015:3) kurse në ligjëratën kur’anore thuhet se vetëm Zoti nuk vdes kurrë, se është gjithnjë i gjallë (25:58), se gjithçka në këtë botë është kalimtare, e përkohsme pos Krijuesit, se pavdekëshmëria arrihet vetëm në botën tjetër (44:56). /vazhdon/

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button