U largua nga detyra drejtori i SHISH-it

Helidon Bendo është larguar nga detyra si drejtor i Shërbimit Informativ të Shtetit. Presidenti Bajram Begaj ka firmosur ditën e sotme dekretin për lirimin e tij nga posti pas kërkesës së kryeministrit Edi Rama, raporton Klan.

“Në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës, si dhe të nenit 5, paragrafit 2, të ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, të ndryshuar, me propozim të Kryeministrit, dekretoj: Zoti Helidon Bendo, lirohet nga detyra e drejtorit të Shërbimit Informativ Kombëtar”, njoftoi Presidenca.

Kryeministri Edi Rama njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se Bendo ka dhënë dorëheqjen dhe se në vijim do të angazhohet si këshilltar i tij për reformën në institucionet e sigurisë.

Helidon Bendo u emërua në detyrën e Drejtorit të SHISH më 5 Nëntor 2018. Bendo është një inspektor karriere, pasi iu bashkua shërbimit inteligjent në vitin 1995. Ai ka një eksperiencë të gjerë në detyra të ndryshme në Aparatin Qendror dhe bazë.

Bendo është diplomuar për matematikë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, ka një master në studime për sigurinë, si dhe trajnime të ndryshme brenda e jashtë vendit.

Prej muajit Qershor kur Bendo u nis drejt Shteteve të Bashkuara, SHISH drejtohet nga numri 2, Oljan Kanushi.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button