FIFA heton “Salt Bae”, prania e tij në ceremoninë e dhënies së Kupës së Botës ka sjellë debate
FIFA ka nisur hetimet në lidhje me rrethanat që çuan me kuzhinierin e famshëm ‘Salt Bae’ në festimet e Argjentinës për fitimin e Kupës së Botës më 18 Dhjetor, raporton Klan.
Pronari i restorantit të famshëm, emri i vërtetë i të cilit është Nusret Gokce, u pa në fushë pas finales duke u përpjekur të bënte fotografi me futbollistët bardhekaltër, përfshirë Lionel Messin, dhe duke mbajtur Kupën e Botës.
Institucioni kryesor i futbollit botëror sqaroi se kuzhinieri ishte i paautorizuar që të qëndronte aty dhe se të drejtën për ta prekur trofeun e kanë futbollistët fitues dhe zyrtarët e shteteve gjatë ceremonisë mbyllëse.
“Salt Bei” nuk ka asnjë lidhje me presidentin e FIFA-s, Gianni Infantino, i cili më parë ka vizituar një nga restorantet e tij. Gjithashtu nuk ka marrëveshje marketingu mes FIFA-s dhe kuzhinierit të famshëm.
Por Salt Bei është një nga 303 personat që Infantino ndjek në Instagramin e tij. Shefi turk u bë i famshëm në rrjetet sociale për mënyrën se si kriposte dhe gatuante biftekun. Por në rrjetet sociale ka pasur pakënaqësi për praninë e tij në ceremoninë e dhënies së trofeut.
Mesi u filmua i bezdisur në përpjekje për t’u larguar nga kuzhinieri, ndërsa Lisandro Martinez ishte i pakënaqur që u fotografua përkrah tij duke mbajtur trofeun e Kupës së Botës.
Një video përmbledhëse në Twitter e lojtarëve së bashku me Gokce ka mbledhur më shumë se 14 milionë shikime që kur u postua të hënën pasdite.
Salt Bei ishte një nga 303 personat që Infantino ndiqte në Instagram, por pas këtij skandali, presidenti i FIFA-s nuk e ka më mik në rrjetin social.