Gjyqi për “Besa Trans” u shty për më 2 shkurt, pronari i kompanisë kishte simptoma të kovidit

Për shkak të simptomave të kovid-19 tek udhëheqësi i “Besa Trans”, Bekim Haxhiu, i akuzuar në rastin me të njëjtin emër, gjykimi i sotëm në Gjykatën Themelore Penale Shkup u shty për më 2 shkurt, transmeton Portalb.mk.

Avokati i Haxhiut, Asmir Alispahiq, ka dorëzuar vërtetim për bërjen e testit për koronavirus, por tha se rezultatet e testit nuk janë marrë deri më tani.

“Kovid-19 është një sëmundje me përmasa pandemike, ndaj ishte mirë që të mos vinte sot”, tha Alispahiq.

Pronari dhe menaxheri i kompanisë së “Besa Trans”, Bekim Haxhiu dhe përfaqësuesi i personit juridik “Besa Trans”, Shaban Hoxha, në seancën e kaluar deklaruan se nuk ndihen fajtorë për falsifikimin e certifikatës së licencës për kryerjen e transportit rrugor ndërkombëtar për autobusin me të cilin në nëntor të vitit të kaluar humbën jetën 45 persona në një aksident në Bullgari.

Sipas aktakuzës, 41-vjeçari Bekim Haxhiu, si pronar i “Besa Trans” nga Rashçe, përmes shoferëve që drejtonin autobusin, ka përdorur certifikatë licence që nuk është lëshuar nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve. Me certifikatën e falsifikuar të licencës për qarkullim ndërkombëtar, autobusi është larguar 20 herë nga vendi vitin e kaluar nga data 10 janar deri në aksidentin e nëntorit.

Gjykimin e udhëheq gjyqtari Ivica Stefanovski, përfaqësues i prokurorisë është prokurori publik Vladimir Miloshevski.

Aksidenti në fjalë, ndodhi më 23 nëntor të vitit të kaluar në orët e para të mëngjesit, kur autobusi “Besa Trans”, i cili po kthehej nga Stambolli me turistë, u përplas në rrethojën e autostradës Struma, në afërsi të fshatit bullgar Bosnek, mes të vdekurve ishin 12 fëmijë, ndërsa shtatë mbijetuan.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button