Blatteri kritikoi planet e Infantinos për formatet e Kupës së Botës

Ish-presidenti i FIFA-s, Sepp Blatter, po kritikon ashpër planet e pasardhësit Gianni Infantino për një kampionat botëror me 48 përfaqësuese dhe një kupë të botës për klube të zgjeruara. Në një intervistë me të përjavshmen gjermane “Die Zeit” të publikuar të mërkurën, Blatter tha se “ajo që po ndodh në këtë moment është një mbikomercializim i lojës së futbollit”. Sipas tij, FIFA me këto veprime po e cenon futbollin e klubeve, gjë që nuk ka aspak të drejtë. Ai insistoi se FIFA po përpiqet t’i bëjë konkurrencë Ligës së Kampionëve në Evropës me Botërorin e Klubeve, raporton Koha.net.

“Ka përpjekje për të shtrydhur gjithnjë e më shumë nga limoni – për shembull me finalet e Kupës së Botës me 48 ekipe ose tani me një botëror për klube që duhet parë si konkurrencë e drejtpërdrejtë për Ligën e Kampionëve”, ka thënë Blatter. “FIFA po cenon këtu diçka që në fakt nuk është punë e saj, futbolli i klubeve”.

Kampionati Botëror i vitit 2026 që do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meksikë dhe Kanada do të jetë turneu i parë me 48 përfaqësuese, duke përmbushur premtimin zgjedhor të Infantinos për një kupë bote më të madhe dhe më gjithëpërfshirëse që shkon përtej ekipeve evropiane dhe amerikanojugore. Në turneun e sivjetshëm në Katar morën pjesë 32 përfaqësuese. Në fillim të këtij muaji Infantino bëri thirrje për Kupën e Botës për klube me 32 ekipe në vitin 2025. Blatter njoftoi në qershor të vitit 2015 se do të jepte dorëheqjen herët si president i FIFA-s, si pasojë e një hetimi të gjerë korrupsioni. Ai ka mohuar prej kohësh akuzat ndaj tij, duke thënë në intervistën e së mërkurës se “unë kurrë nuk kam marrë para që nuk i kam fituar, prandaj asgjë për mua nuk mund të dëshmohej kurrë në të gjitha procedimet kundër meje. Dhe, kështu do të mbetet”.

Infantino, një koleg zviceran, që e pasoi Blatterin si president i FIFA-s në vitin 2016. Blatter tha se ai “nuk ka kurrfarë marrëdhëniesh me Infantinon” dhe se presidenti aktual “u soll me mungesë respekti, sepse ai ka refuzuar çdo kontakt me mua që nga zgjedhja e tij”. Po ashtu, Blatter shtoi se “ai komunikon me mua vetëm nëpërmjet avokatëve”. Blatter pohoi se ai ishte përpjekur në mënyrë të përsëritur të kontrollonte biznesin e futbollit, për shembull përpjekjen për të kufizuar transferimet e lojtarëve të talentuar të Amerikës së Jugut ose Afrikës në Evropë. Një përpjekje për të vendosur një kufi page për lojtarët gjithashtu dështoi. Blatter tha se “ne nuk arritëm ta mbronim futbollin nga ndikimi ekonomik dhe politik”.

“Unë me të vërtetë jam përpjekur gjithmonë t’i shërbej futbollit”, tha ai. “Nëse duke vepruar kështu e kam dëmtuar atë, atëherë më vjen keq”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button