Sulmuesi i ekipit të gazetarëve të TV 24 u dënua me burg me kusht

Gjashtëdhjetë e shtatë vjeçari Milço Penov nga Shkupi është dënuar me burgim me kusht për sulmin fizik ndaj ekipit të gazetarëve të TV 24 që ndodhi në mesin e muajit të kaluar në lagjen Përzhino, transmeton Portalb.mk.

Ai mori dënim me kusht me burgim me mbikëqyrje mbrojtëse nëse në tre vitet e ardhshme nuk kryen vepër të re, gjegjësisht i dënuari Penov do të duhet të shkojë në rehabilitim për një vit për shkak të shëndetit të dëmtuar mendor.

Dhuna për të cilën u dënua ai, ka ndodhur më 14 nëntor. Ai fillimisht sulmoi verbalisht dhe më pas fizikisht me grushte kameramanin e TV 24 Lubisa Ignatov, ndërsa ai dhe ekipi i tij i gazetarëve po përpiqeshin të incizonin një kronikë para shtëpisë që u raportua si rezidenca e biznesmenit ukrainas Oleksandr Onishçenko, rreth të cilit shpërtheu një skandal për shkak të shtetësisë maqedonase që i është dhënë edhe pse është në “listën e zezë” të Shteteve të Bashkuara.

Pas kallëzimit të Ignatovit, policia ndaloi sulmuesin dhe Prokuroria Themelore Publike nisi procedurën kundër tij.

“Më 14 nëntor, i akuzuari kërcënoi sigurinë e një kameramani nga një ekip gazetarësh me ofendime të rënda dhe dhunë të rëndë, ndërsa në mesin e dëshmitarëve të pranishëm – një gazetar dhe një shofer i ekipit televiziv – u shkaktoi ndjenjën e pasigurisë, kërcënimit dhe frikës. I dyshuari fillimisht ka drejtuar fjalë fyese dhe sharje ndaj ekipit gazetaresk që po incizonte kronikë, e më pas ka sulmuar fizikisht kameramanin duke e goditur me bërryl në nofull dhe duke i shkaktuar lëndime trupore”, njoftoi atëherë Prokuroria. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button