Mariçiq-Ageler: SHBA mbetet mbështetës i fortë i rrugës evropiane dhe reformave në Maqedoni

Zëvendëskryeministri i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, sot në takim me ambasadoren e SHBA-së në vend, Angela Ageler diskutoi bashkëpunimin me SHBA-në si partnerin tonë strategjik në fushat që kanë të bëjnë me reformat evropiane dhe mundësitë për drejtimin dhe forcimin e bashkëpunimit në realizimin e prioriteteve strategjike kombëtare, transmeton Portalb.mk.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës si partneri ynë strategjik janë një aleat i fortë dhe i jemi mirënjohës për ndihmën e vazhdueshme politike dhe ekonomike. Që nga fillimi i viteve ’90, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndihmuar vendin tonë në fusha të ndryshme me gati 1 miliard dollarë, gjë që tregon një përkushtim të qëndrueshëm dhe të vazhdueshëm për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë”, theksoi Mariçiq në fillim të takimit.

Zëvendëskryeministri Mariçiq dhe ambasadori Ageler diskutuan për fushat në të cilat nevojitet mbështetje e vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara në drejtim të zbatimit të reformave evropiane mbi të gjitha, për të cilat Ageler tha se mund të llogarisim në ndihmën e Shteteve të Bashkuara në zbatimin e tyre.

“Deri më tani janë investuar përpjekje dhe burime të mëdha në fushat kyçe të reformave, siç janë arsimi, drejtësia, administrata publike dhe ekonomia, të cilat janë me rëndësi jetike për arritjen e prioriteteve strategjike të Maqedonisë së Veriut – anëtarësimin në NATO që tashmë e kemi arritur dhe anëtarësimin e plotë në BE, për të cilin po punojmë me përkushtim”, theksoi zëvendëskryeministri Mariçiq.

Ekipi i ekspertëve të sanksioneve që punon për rastet e korrupsionit të zyrtarëve të lartë ndaj zyrtarëve aktualë dhe ish-funksionarëve u theksua si veçanërisht i vlerësuar, pasi lufta kundër korrupsionit është një nga prioritetet kryesore në garantimin e standardeve evropiane.

Bashkëbiseduesit theksuan edhe mbështetjen që realizohet përmes bashkëpunimeve në projekte me financimin e USAID-it, duke theksuar se Korniza Strategjike e USAID-it për Republikën e Maqedonisë së Veriut 2018-2020 ka ofruar bazë për bashkëpunim të frytshëm me qëllim të 4 rezultateve kryesore, të përcaktuara si synime për këtë periudhë tre-vjeçare të bashkëpunimit.

Në takim u theksua Strategjia e re e Bashkëpunimit për Zhvillimin e Vendit 2020-2025, e cila është e fokusuar në ofrimin e mbështetjes për promovimin e një Maqedonie të Veriut të prosperuar, të mirëqeverisur dhe stabile, të përkushtuar ndaj integrimeve euroatlantike përmes partneritetit me USAID-in. Në këtë kontekst u njoftua se USAID-i pritet të bëjë një tranzicion strategjik nga një program donator-marrës në një program ku roli i USAID-it do të jetë katalitik, duke ndihmuar në krijimin e partneriteteve të udhëhequra nga vendi ndërmjet sektorit privat, qeverisë dhe shoqërisë civile, me qëllim për të ndihmuar Maqedoninë e Veriut të përparojë.

Zëvendëskryeministri Mariçiq dhe ambasadorja Ageler u dakorduan se në kohë krize ushtarake dhe energjetike në kontinent është jashtëzakonisht e rëndësishme të intensifikohet bashkëpunimi mes vendeve në drejtim të sigurimit të stabilitetit dhe kushteve për zbatimin pa probleme të reformave të planifikuara.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button