RMV, do të barazohen bursat për të gjithë studentët dhe nxënësit

Bursat më të ulëta që marrin studentët do të barazohen me shumën më të lartë, ndërsa barazime do të ketë edhe te bursat e nxënësve. Studentëve dhe nxënësve që kanë vazhduar të marrin bursa të vjetra dhe më të ulëta nga viti i kaluar në mënyrë retroaktive do t’u paguhet diferenca, thanë për Meta.mk nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH), transmeton Portalb.mk.

Problemi me bursat u bë aktual verën e kaluar kur u paralajmërua rritje për të gjitha bursat e studentëve, të cilat deri atëherë ishin rreth 3.000 ose 4.000 denarë deri në 6.050 denarë. Kur MASh shpalli konkursin në shtator, u bë e qartë se bursat me shumë më të lartë do të aplikohen vetëm për studentët që aplikojnë duke filluar nga viti akademik 2021/2022, ndërsa ata studentë që kanë aplikuar për bursë në ndonjë nga vitet paraprake akademike do të vazhdojnë të marrin shumat e vjetra dhe më të ulëta.

Reagimet e studentëve u ndezën menjëherë pas shpalljes së konkurseve dhe u nis një peticion online që mblodhi mbi 8000 nënshkrime. Në peticion, studentët kërkuan që shumat e shtuara të zbatohen për të gjithë studentët, në vend që disa të favorizohen ndaj të tjerëve. Në peticion studentët akuzuan se po bëhet diskriminim dhe se kushtet në konkurse po i ndajnë studentët.

Në atë kohë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës për Meta.mk thanë disa herë se përfituesit e bursave do të vazhdojnë t’i marrin shumat sipas marrëveshjeve që kanë nënshkruar, sepse marrëveshjet e tilla kanë qenë të vlefshme.

Mirëpo, për kushtet sipas të cilave shteti jep bursa, një student dhe një nxënës në arsimin e mesëm kanë dërguar ankesa në Komisionin për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi (KPMD). Në të dyja rastet, anëtarët e KPMD-së kanë konstatuar njëzëri diskriminim indirekt në bazë të statusit arsimor dhe shkelje të së drejtës për trajtim të barabartë në përdorimin e bursave në një masë më të lartë, të kryer nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës. Në vendimin e KPMD-së shkruhej se politika e bursave të Ministrisë i vë në pozitë të pafavorshme një pjesë të studentëve dhe nxënësve në krahasim me pjesën tjetër të kolegëve dhe shokëve të klasës.

Në përputhje me kompetencat e tij ligjore, Komisioni i rekomandoi Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës që të përgatisë një Propozim- program të ri për ndryshime në Programin për standardet studentore dhe të nxënësve për barazimin e shumës së bursave për të gjithë studentët. KPMD i dërgoi rekomandim Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut që të pranojë propozimin e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për barazimin e bursave.

Për shkak të mosveprimeve të deritanishme të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, KPMD-ja njoftoi se do të nisë procedim penal kundër Ministrisë, e cila më pas u ndërpre pasi Ministria e Arsimit pranoi barazimin e bursave dhe pritej miratimi nga Qeveria.

Këtë javë, disa deputetë në rrjetet e tyre sociale njoftuan se është miratuar amendamenti i tyre, me të cilin janë paraparë mjete në vlerë prej 370 milionë denarë për ushqim të subvencionuar të studentëve dhe për barazimin e vlerës së bursave të vjetra me bursat e reja.

Ministria e Arsimit dhe Kulturës thotë se pas kalimit të shumës së parashikuar në buxhetin e tyre, do të vijojë pagesa prapavepruese për studentët që kanë marrë bursa më të ulëta vitin e kaluar.

Kjo praktikisht do të thotë se studentëve dhe nxënësve të dëmtuar vitin e kaluar akademik do t’u paguhet diferenca mes bursave më të ulëta dhe të larta. Sipas njoftimit, nxënësit dhe studentët e dëmtuar fillimisht do të marrin pagesën e diferencës për vitin e kaluar, e më pas për vitin shkollor aktual.

Nga organizata më e madhe studentore, Kuvendi studentor i “Shën Kirilit dhe Metodit” thonë se e mirëpresin këtë hap, sepse asnjë student nuk duhet të diskriminohet në asnjë bazë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button