Salih Mustafa u shpall fajtor për krime lufte, 26 vjet burgim

Salih Mustafa është shpallur fajtor për krime lufte në kompleksin në Zllash në vitin 1999. Trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë e ka dënuar me 26 vjet burgim si dënim të njësuar, transmeton Koha.net

“Ju shpall fajtor për torturë si krim lufte, ndalim arbitrar si krim lufte, vrasje si krim lufte. Duke qenë se jeni shpallur fajtorë për më shumë se një vepër, trupi gjykues ka përcaktuar dënim më 10 vjet burgim për krimin së ndalimit arbitrar, dënim me 22 vjet burgim për torturë, 25 vjet burgim për vrasje të paligjshme. Trupi gjykues ju dënon me vendim të njësuar me 26 vjet burgim”.

Kryetarja e trupit gjykues, Mappie Veldt-Foglia, ka thënë se trupi gjykues ka marrë për bazë dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializar pasi kanë qenë të besueshme, u konfirmuan nga prova të tjera dhe se “ishin të qarta dhe koherente, përshkrimet ishin të gjalla dhe të rrëfyera me emocion”. Ajo e ka bërë të qartë se gjykimi nuk është bërë kundër UÇK-së, por Mustafës si individ.

Ndërkohë, për dëshmitarët e mbrojtjes trupi gjykues nuk ka nxjerrë konstatimet e njëjta. Sipas gjykatëses, në ta kanë ndikuar negativisht disa faktorë, si “lidhjet e forta dhe të ngushta mes dëshmitarëve dhe Mustafës”.

Sa i përket veprës së ndalimit arbitrar, trupi gjykues ka konstatuar se Mustafa qëllimisht ua hoqi lirinë viktimave të mbajtura në kompleks.

“Provat vërtetuan se Mustafa ishte i pranishëm në kompleksin në Zllash gjatë prillit 1999. Trupi konstatoi urdhëroi BIA-n që viktimat të ktheheshin në vendin e tyre pasi ishin marrë në pyetje. Trupi konstatoi se Mustafa qëllimisht ua hoqi lirinë viktimave dhe e dinte se atyre nuk iu dha asnjë garanci bazë gjatë ndalimit të tyre. Trupi gjykues konstatoi se Prokurori i Specializuar ka vërtetuar jashtë dyshimit të arsyeshëm se është kryer krimi i luftës i ndalimit arbitrar kundër të paktën 6 personave në kompleksin në Zllash në prill 1999”, ka thënë gjykatësja duke shtuar se krimet janë kryer ndaj shqiptarëve.

Sa i përket veprës së trajtimit mizor dhe torturës, trupi gjykues konstatoi se të ndaluarit në kompleks u mbajtën në kushte çnjerëzore dhe poshtëruese të ndalimit.

“Të ndaluarve iu ndalua ndihma mjekësore dhe nuk iu lejua të flisnin me njëri-tjetrin. Ata u morën në pyetje ashpërsisht dhe u akuzuan si spiunë, tradhtarë, bashkëpunëtorë të serbëve, hajdutë. Ata u urdhëruan të shprehnin mbështetje për UÇK-në, të bërtisnin vdekje tradhtarëve, hajnave dhe lavdi UÇK-së”.

“Trupi gjykues ka konstatuar se Mustafa dhe varësit e tij të BIA-s qëllimisht u shkaktuan dhimbje e vuajtje të mëdha fizike e mendore të paktën 6 personave në kompleksin në Zllash me synimin e marrjes së informatave apo deklaratave pranuese”.

Trupi gjykues më tej ka konstatuar se sipas provave, dy prej të ndaluarve kanë qenë më të keqtrajtuar, një prej të cilëve më vonë është gjetur i vdekur.

“Më 19 prill 1999 në kontekstin e ofensivës serbe në zonën përreth Zllashit, anëtarët e BIA-s nën autoritetin e Mustafës si komandant i tyre, liruan disa nga të ndaluarit. Evakuuan objektet e kompleksit dhe pavarësisht rrethanave të jashtëzakonshme të krijuara nga ofensiva, trupi gjykues konstatoi se dy të ndaluar nuk u liruan nga vartësit e Mustafës. Këta të ndaluar jorastësisht sipas provave, ishin dy nga më të keqtrajtuarit. Njëri u pa pothuajse i vdekur nga një të ndaluarit dhe më pas u gjet i vdekur. Duke qenë se Mustafa ishte komandant që kishte kontroll të plotë në kompleksin në Zllash, trupi gjykues vlerëson se përfundimi i arsyeshëm është se Mustafa vendosi të lironte disa të ndaluar dhe të mbante viktimën e vrasjes së paligjshme në ndalim. Këto vendime nga Mustafa si komandant dhe në kontekstin e ofensivës serbe që po afrohej, ishte i barabartë me vendimin për vrasjen e viktimës së vrasjes së paligjshme duke qenë se në atë fazë iu mohua çdo mundësi për të mbijetuar”, ka deklaruar kryetarja e trupit.

Foglia ka thënë se bazuar në prova, plumbat në trupin e viktimës mund të jenë shkrepur nga forcat serbe.

“Shkaqet e vdekjes ishin keqtrajtimi i rëndë i shkaktuar nga anëtarë të BIA-s që e mbajtën rreth 3 javë, refuzimi i ndihmës mjekësore nga anëtarë të BIA-s dhe disa plagë me armë zjarri që iu gjetën në trup. Provat vërtetuan se dy shkaqet e para të vdekjes, keqtrajtimi i skajshëm dhe refuzimi i ndihmës mjekësore janë tërësisht rezultat i veprimeve dhe mosveprimeve të Mustafës dhe vartësve të tij. Sa i takon shkakut të tretë, plagëve me armë zjarri, ndonëse përfundimi më me gjasë ishte se anëtarë të BIA-s qëlluan me plumba para se të largoheshin nga Zllashi, ky nuk ishte i vetmi përfundim i arsyeshëm bazuar në prova, ekziston dyshimi i arsyeshëm nëse plagët me armë zjarri mund t’i atribuoheshin anëtarëve të BIA-s apo forcave serbe”.

Siç ka thënë trupi gjykues, Mustafa “personalisht torturoi dy të ndaluar duke u dhënë shembull vartësve të tij të BIA-s. Urdhëroi vartësit t’i torturonin të ndaluarit”. “Mustafa kishte synim ta vriste viktimën e vrasjes së paligjshme”.

“Pesha e krimeve është e rëndë”, ka thënë gjykatësja.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button