Banorët e Golemit 6 ditë pa ujë, po ikin pushuesit!

Mbi 100 mijë banorë, pushues e biznesmenë, në zonat turistike nga Shkëmbi i Kavajës deri në Golem, prej 6 ditësh janë pa ujë të pijshëm. Shqetësimi është ngritur masivisht nga biznesi hotelier dhe banorët, të cilët, në pikun e të nxehtit të kësaj vere, kërkojnë rrugëzgjidhje nga Ujësjellësi i Durrësit dhe ai i Kavajës.

Zona turistike në fjalë, e mbipopulluar ditët e fundit nga pushuesit, furnizohet me ujë të pijshëm nga rezervuari i Manskurisë, që është në varësi të Ujësjellësit të Kavajës. Një peticion i shqetësimeve të ngritura është firmosur së paku nga 700 persona dhe u është dërguar drejtuesve më të lartë të shtetit, Komunës së Golemit, Ujësjellësit të Kavajës e të Durrësit.

Në peticion kërkohet marrja e masave urgjente për furnizimin me ujë të pijshëm, mungesa e të cilit ka sjellë si pasojë uljen drastike të numrit të pushuesve si dhe humbje tepër të mëdha financiare. Të gjithë janë të detyruar ta blejnë ujin me autobote, ndërsa tregtimi i ujit të pijshëm është biznesi më fitimprurës aktualisht në këtë zonë. Në një intervistë për “Gazetën Shqiptare”, drejtori i Ujësjellësit të Durrësit, Doklead Ademi, deklaron se Ujësjellësi i Kavajës ka mbyllur saraçineskën kryesore të furnizimit me ujë të Shkëmbit të Kavajës, duke shkelur marrëveshjen midis dy ujësjellësve. Kjo, pasi pretendon se nuk janë paguar detyrimet. 

Ajo zonë ka qenë problematike në vite. Ne po investojmë në rrjetin e ri të ujësjellësit, që do t’i furnizojë 24 orë. Besoj që për katër ose pesë ditë investimi përfundon dhe ata do të furnizohen normalisht si të gjitha zonat e tjera. /Gazeta Shqiptare/

Lajme të ngjashme

Back to top button