U ndërtua 19 shekuj më parë, nis puna për zbulimin e Amfiteatrit të Durrësit

Një grup arkeologësh vendas dhe të huaj po punojnë për zbulimin e plotë të Amfiteatrit të Durrësit. Prej dy ditësh tashmë aty ka nisur puna për zbulimin e elementeve të arenës ende të mbuluar, si dhe lidhjen me kodrën ku është mbështetur një pjesë e monumentit.

Detajet i dha në një prononcim për Euronews Albania drejtori i Qendrës Muzeore Durrës, Alban Ramohitaj.

“Këto janë sondazhet që po kryhen për të parë shtresat që ndodhet poshtë arenës dhe pjesë të ndryshme të amfiteatrit. Nëpërmjet sondazheve do të kryhen analizat dhe nëpërmjet tyre do të shihet se çfarë ndodhet në këtë pjesë, që nuk ka qenë e kërkuar më parë nga ekspertë të ndryshëm”, tha Ramohitaj.

Ndërsa qyteti bëhet gati për një sezon të ri veror, sondazhet gjeologjike nuk do të pengojnë aksesueshmërinë e vizitorëve.

“Këto sondazhe nuk do të zgjasin më shumë se 10 ditë dhe do të largohen të gjitha mjetet, prandaj do të kemi një amfiteatër të vizitueshëm për të gjithë vizitorët. Sezoni sapo ka filluar, sepse me ngrohjen e kohës fillojnë dhe shtohen edhe vizitorët, që shohin sitet dhe objektet që ne i kemi kaq të vyera për vendin tonë”, shprehet Ramohitaj.

Ky është hapi i parë i zbatimit të projektit afatgjatë për hapjen e plotë të amfiteatrit të ndërtuar në shekullin II pas Krishtit.

Ky projekt për hapjen, si dhe për rehabilitimin e plotë të zonës qendrore të Durrësit u bë i njohur dy vjet më parë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button