Maqedonia e Veriut nga KE-ja mori kritika të drejtpërdrejta për mbrojtjen e dobët të trashëgimisë kulturore

Maqedonia e Veriut nga KE-ja mori kritika të drejtpërdrejta për mungesën e reagimit dhe bashkëpunimit të dobët institucional lidhur me mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje dhe shkombëtarizimin e trashëgimisë kulturore me “status të rëndësisë së veçantë”, si Ohri dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit. “Trashëgimia kulturore e vendit nuk mbrohet dhe përmirësohet sa duhet”, u tha në raportin e vitit 2022. Megjithatë, nga Ministria e Kulturës, për Portalb.mk, u përgjigjën sikur gjithçka të ishte në rregull, pa dhënë koment konkret për kritikat e BE-së.

“Ekziston një reagim i dobët institucional dhe bashkëpunim ndërinstitucional në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje dhe shkombëtarizimin e trashëgimisë kulturore me “status të rëndësisë së veçantë”, si Ohri dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit. Trashëgimia kulturore e vendit nuk mbrohet dhe përmirësohet sa duhet. Numri i përfituesve të Programit të Evropës Kreative vazhdon të jetë i kënaqshëm, me gjithsej 24 projekte gjatë periudhës 2020-2021”, thuhet nëraportin e KE-së.

Propozimet për ndryshimin e kornizës ligjore për kulturën dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, thuhej më tej në vlerësimin e KE-së janë tërhequr nga procedura parlamentare, ndërsa rishikimi i strategjisë kombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore është vonuar më tej.

“Zbatimi i strategjisë kombëtare për zhvillimin e kulturës 2018-2022 nuk është mbështetur me ndarjet e duhura buxhetore. Lëshimi i fondeve në kuadër të programit vjetor për projekte vazhdon të kritikohet nga operatorë të shumtë të kulturës, për mungesë transparence në miratimin e granteve. Analiza funksionale e Ministrisë së Kulturës dhe organeve të specializuara theksoi ndër të tjera nevojën e reformave duke pasur parasysh praktikat e reja kulturore, rritjen e industrive kulturore dhe krijuese, ndikimin e teknologjive digjitale. Ekziston nevoja për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të tjera, për krijimin dhe menaxhimin e politikave kulturore”, thuhej në vlerësimin e KE-së. 

Të pyetur nga Portalb.mk për këto kritika, nga Ministria e Kulturës u përgjigjën se ekzistojnë plane vjetore, por përse situata akoma është në këtë gjendje, nuk u përgjigjën. 

“Ministria e Kulturës në përputhje me Programet vjetore me interes kombëtar në Kulturë, në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, dhe në bashkëpunim me institucionet kombëtare dhe aktorë të tjerë, siguron vazhdimisht burime financiare në Buxhetin për këtë qëllim, në nivel vjetor. Gjithashtu, për pasuritë kulturore në rrezik është vënë mënjanë një linjë e posaçme financiare për ndërhyrjet emergjente. Segmenti për ndërtimet pa leje dhe shkombëtarizimi janë në kompetencë të njësive të vetëqeverisjes lokale. Sa i përket të mirave kulturore, në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore, pavarësisht nga pronësia e arritur mbi të mirat kulturore, regjimi i përcaktuar i mbrojtjes mbetet i pandryshuar dhe duhet të respektohet nga pronarët e tyre.”, thuhet në përgjigjen e MK.

Me qëllim të mbrojtjes adekuate të trashëgimisë kulturore të Rajonit të Ohrit, thonë nga Ministria e Kulturës, Komisioni për Menaxhimin e Trashëgimisë Botërore Natyrore dhe Kulturore në Rajonin e Ohrit dhe ekipi profesional për qendrën e vjetër të qytetit të Ohrit, të cilët vendosin mbi aktivitetet ndërtimore rreth liqenit të Ohrit, “janë themeluar dhe janë duke funksionuar”.

“Për Çarshinë e Vjetër të Shkupit, në përputhje me Ligjin për shpalljen e Çarshisë së Vjetër të Shkupit si trashëgimi kulturore me rëndësi të veçantë, është themeluar dhe funksionon Këshilli Nacional për rivitalizimin e tij. Të gjitha këto aktivitete financohen nga Ministria e Kulturës dhe kanë për qëllim përmirësimin e gjendjes aktuale dhe trajtimin adekuat të këtyre pasurive kulturore kombëtare”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Kulturës.

Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të kufizuar në arsim dhe kulturë dhe vazhdon të mbetet mesatarisht e përgatitur në këtë fushë, vlerësoi raporti i fundit i progresit.

Kujtojmë se Kapitulli 25 është një nga kapitujt e rrallë, që vendi i ka zbatuar plotësisht rekomandimet e vitit të kaluar dhe këtë vit ka rekomandime të reja.

Për dallim nga ky kapitull, gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut nuk bëri asnjë progres në Kapitullin 8 – Politika e konkurrencës. Vendit iu rekomandua që të forcojë kapacitetet administrative dhe financiare, të rrisë transparencën e ndihmës shtetërore dhe të harmonizojë legjislacionin zbatues në ndihmën shtetërore. Ndërkohë, kapitulli –  Shërbimet financiare ka shënuar progres në lidhje me përafrimin e pjesshëm me acquisin e BE-së për përfundimin e shlyerjes dhe për letrat me vlerë dhe fondet e investimeve, sidoqoftë, përsëri rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe një pjesë e rekomandimeve vlejnë edhe për këtë vit. Përparim të kufizuar, vendi shënoi edhe me avancimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe llogaridhënies menaxheriale në përdoruesit e buxhetit si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror dhe miratimin e ligjit të ri organik të buxhetit në shtator 2022.

Raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button