Maqedonia nuk ka qasje të mjaftueshme në arsimin cilësor dhe as nuk e mbron trashëgiminë kulturore, kritikon BE-ja

Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të kufizuar në arsim dhe kultur dhe vazhdon të mbetet mesatarisht e përgatitur në këtë fushë, vlerësoi raporti i fundit i progresit. Përparimi i kufiozuar, thuhget në raport, edhe më tepër është ndikuar nga pandemia Kovid-19. Shpenzimet publike për arsimin dhe trajnimin zhdojnë të jenë larg mesatares së BE-së. Ligji për arsimin e të rriturve duhet miratuar urgjentisht dhe nevojitet qartësi e mëtejshme për hapat e ardhshëm të reformës. Duhet të përmirësohet qasja në arsimin cilësor për të gjithë, thuhet në raportin mbi kapitullin 26 – Arsimi dhe kultura, transmeton Portalb.mk.

Zbatimi i strategjisë së arsimit 2018-2025 është i ngadalshëm, si dhe zhvillimi i një sistemi të duhur monitorimi. Rekomandimet e raportit të vitit të kaluar janë adresuar vetëm pjesërisht dhe shumica mbeten të vlefshme. Në vitin e ardhshëm, Maqedonia e Veriut duhet në veçanti:

  • të miratojë ligjin për arsim dhe trajnim profesional (Vocational Education and Training – VET) dhe të themelojë dhe funksionalizojë qendrat rajonale të VET-it;
  • të finalizojë dhe miratojë Ligjin për arsimin e të rriturve;
  • të përmirësojë qasjen në arsimin cilësor për të gjithë, në veçanti për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe fëmijët nga komunitetet rome të rrisin regjistrimin në parashkollore dhe të vazhdojë përmirësimi dhe mbështetja për trajnimin dhe zhvillimin profesional të mësuesve.

Ligji i ri i VET-it ende nuk është miratuar. Në të theksohet mësimi i bazuar në punë dhe roli i pesë qendrave rajonale të VET-it (RVET) që do të krijohen në të gjithë vendin, duke pritur që të ofrojnë trajnime specifike të synuara për nevojat e tregut lokal të punës në koordinim me komunitetin e biznesit. RVET gjithashtu duhet të bëhet përfundimisht qendra ekselence me investime të mëdha të kryera në ofrimin e mbështetjes për shkollat. Ligji për arsimin e të rriturve duhet miratuar urgjentisht dhe nevojitet qartësi e mëtejshme për hapat e ardhshëm të reformës,

Shpenzimet publike për arsimin dhe trajnimin u rritën lehtë në 3.76% të PBB-së në vitin 2021, që është ende larg mesatares së BE-së prej 5%. Pas një periudhe reduktimi buxhetor për shkak të pandemisë, buxheti i arsimit 2021 i dha prioritet investimeve për përmirësimin e cilësisë së arsimit fillor dhe të mesëm. Megjithëse është bërë njëfarë progresi në arsimin parashkollor, niveli i përgjithshëm i regjistrimit mbeti i ulët, veçanërisht në kontekstin e COVID-19. Ndërsa objektivi i BE-së për arsim dhe trajnim për vitin 2020 për edukimin dhe ndjekjen e kujdesit në fëmijërinë e hershme është vendosur në 95%, vetëm 45% e fëmijëve nga mosha 3-6 vjeç në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar në institucionet e licencuara të edukimit të fëmijërisë së hershme në 2020-2021. Kjo është një rritje e lehtë krahasuar me një vit më parë. Përveç zgjerimit të kapaciteteve për përfshirjen e një numri më të madh të fëmijëve në arsimin parashkollor, janë bërë përpjekje për përmirësimin e cilësisë së arsimit parashkollor.

Progres i rëndësishëm është bërë në nxitjen e arsimit të VET-it në nivelin e mesëm: shkalla e pjesëmarrjes së nxënësve në sistemin e mesëm të VET-it karakterizohet nga një rritje konstante: 64% në 2021, krahasuar me 62.1% në 2020 dhe 61.8% në 2019. Në arsimin e lartë, regjistrimi i përgjithshëm mbetet i ulët. Numri i studentëve të universitetit të regjistruar në vitin e parë të studimeve ka ardhur në rënie në tre vitet e fundit.

Përqindja e studentëve romë të regjistruar në institucionet e arsimit të lartë është rritur në tre vitet e fundit nga 46 % në 52 %. Për vitin akademik 2021-2022 janë akorduar gjithsej 130 bursa për studentë romë nga institucionet dhe universitetet e arsimit të lartë publik dhe privat në vend.

Propozimet për ndryshimin e kornizës ligjore për kulturën dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore janë tërhequr nga procedura parlamentare, ndërsa rishikimi i strategjisë kombëtare për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore është vonuar më tej. Zbatimi i strategjisë kombëtare për zhvillimin e kulturës 2018-2022 nuk është mbështetur me ndarjet e duhura buxhetore. Lëshimi i fondeve në kuadër të programit vjetor për projekte vazhdon të kritikohet nga operatorë të shumtë të kulturës, për mungesë transparence në miratimin e granteve. Analiza funksionale e Ministrisë së Kulturës dhe organeve të specializuara theksoi ndër të tjera nevojën e reformave duke pasur parasysh praktikat e reja kulturore, rritjen e industrive kulturore dhe krijuese, ndikimin e teknologjive digjitale. Ekziston nevoja për forcimin e mëtejshëm të kapaciteteve të Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të tjera, për krijimin dhe menaxhimin e politikave kulturore. Ekziston një reagim i dobët institucional dhe bashkëpunim ndërinstitucional në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe parandalimin e ndërtimeve pa leje dhe shkombëtarizimin e trashëgimisë kulturore me “status të rëndësisë së veçantë”, si Ohri dhe Çarshia e Vjetër e Shkupit. Trashëgimia kulturore e vendit nuk mbrohet dhe përmirësohet sa duhet. Numri i përfituesve të Programit të Evropës Kreative vazhdon të jetë i kënaqshëm, me gjithsej 24 projekte gjatë periudhës 2020-2021.

Kapitulli 26 – Arsimi dhe kultura ka të bëjë me mbështetjen e bashkëpunimit në arsim dhe kulturë përmes programeve të financimit dhe koordinimit të politikave të shteteve anëtare përmes metodës së hapur të koordinimit. BE-ja dhe shtetet anëtare duhet të parandalojnë diskriminimin dhe të sigurojnë arsim cilësor për fëmijët e punëtorëve migrantë, duke përfshirë ata me prejardhje disavantuese.

Kujtojmë se Kapitulli 25 është një nga kapitujt e rrallë, që vendi i ka zbatuar plotësisht rekomandimet e vitit të kaluar dhe këtë vit ka rekomandime të reja.

Për dallim nga ky kapitull, gjatë vitit 2021, Maqedonia e Veriut nuk bëri asnjë progres në Kapitullin 8 – Politika e konkurrencës. Vendit iu rekomandua që të forcojë kapacitetet administrative dhe financiare, të rrisë transparencën e ndihmës shtetërore dhe të harmonizojë legjislacionin zbatues në ndihmën shtetërore. Ndërkohë, kapitulli –  Shërbimet financiare ka shënuar progres në lidhje me përafrimin e pjesshëm me acquisin e BE-së për përfundimin e shlyerjes dhe për letrat me vlerë dhe fondet e investimeve, sidoqoftë, përsëri rekomandimet e vitit të kaluar janë zbatuar vetëm pjesërisht dhe një pjesë e rekomandimeve vlejnë edhe për këtë vit. Përparim të kufizuar, vendi shënoi edhe me avancimin e sistemit të kontrollit të brendshëm dhe llogaridhënies menaxheriale në përdoruesit e buxhetit si në nivel lokal ashtu edhe në atë qendror dhe miratimin e ligjit të ri organik të buxhetit në shtator 2022.

KE-ja vlerësoi gjithashtu se Maqedonia e Veriut është e përgatitur mesatarisht në shumicën e fushave të mbuluara nga Klasteri 2 në tregun e brendshëm, përkatësisht lëvizja e lirë të mallrave, shërbimeve dhe kapitalit, pronësisë intelektuale, politikës së konkurrencës, shërbimeve financiare dhe mbrojtja e konsumatorëve dhe shëndetit. Në Kapitullin 1, BE-ja thekson qartë  se vendi nuk ka pasur progres në zbatimin e rekomandimeve të vitit të kaluar. E njëjta gjë nënvizohet edhe për Kapitullin 2, ndërsa Kapitulli 3 ka pasur progres të kufizuar.

Kujtojmë se raporti i Komisionit Evropian mbi progresin e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj të integrimit evropian u publikua me 12 tetor përpara Komitetit për Çështje të Jashtme të Parlamentit Evropian. Raportin e plotë mund ta lexoni: KËTU.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button