Jotransparenca e institucioneve të RMV-së, 352 procedura për shkelje të Ligjit, mbi 70 të gjobitur

Në pesë vitet e fundit, për fshehje të informatave, konkretitsht për mosdhënie të informatave me karakter publik apo mosveprim sipas vendimit të Agjencisë për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik ose moscaktim të personit përgjegjës për ndërmjetësim të informatave me karakter publik, janë gjobitur 4 persona zyrtarë të Maqedonisë së Veriut. 69 të tjerë e kanë paguar gjobën në kushte të “marrëveshjes për shlyerje”, 192 të tjerë janë “paralajmëruar”, 83 janë “liruar nga përgjegjësia”, për 7 është “ndaluar procedura”, ndërkaq për 4 është dorëzuar kërkesë për ngritjen e procedurës gjyqësore, njofton Portalb.mk.

Sipas analizës së të dhënave që i ka siguruar Portalb.mk, shumica e gjobave kanë të bëjnë me mosrespektimin e dorëzimit të raportit vjetor për bartësin e informatave.

Me miratimin e Ligjit për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, në fillim të vitit 2020 ka filluar me punë Agjencia për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, si trashëgimtar juridik i Komisionit të deriatëhershëm.

Është me rëndësi të theksohet se gjatë viteve 2018-të dhe 2019-të, Komisioni për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të lirë deri tek Informatat me Karakter Publik nuk ka ngritur asnjë procedurë kundërvajtëse.

Në infografikun e mëposhtëm interaktiv mund t’i shihni të dhënat në 5 vitet e fundit se sa zyrtarë janë gjobitur për mosrespektim të Ligjit për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, në bazë të neneve 38 (500 euro gjobë) dhe 39 (250 euro gjobë), të cilat kanë të bëjnë me mosveprim ndaj vendimit të Agjencisë dhe moscaktim të personit përgjegjës për ndërmjetësim të informatave me karakter publik.

5 institucionet më të gjobitura në 5 vitet e fundit

  1. Federata e Mundjes së Maqedonisë së Veriut
  2. Shtëpia e nxënësve “Branko Stanoeviq” – Gostivar
  3. Federata e Futbollit të Maqedonisë
  4. Sh.F. “Emin Duraku” – fshati Bukoviq – Saraj
  5. Sh.F. “Rade Kratovçe” – Koçan

Portalb.mk më poshtë ju sjellë të dhënat e Agjencisë në mënyrë të detajuar për të gjitha gjobat në vitet 2017-2021

Të gjobiturit në vitin 2017

Në vitin 2017-të, në bazë të dispozitave kundërvajtese nga Ligji i atëhershëm për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, Komisioni për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik ka zbatuar procedurë për marrëveshje me gjithsej 8 persona përgjegjës për kryerjen e shkeljes sipas nenit 45 të Ligjit, i cili parashikon gjobë prej 500 deri në 800 euro në kundërvlerë të denarit për shkelje nga ana e funksionarit ose personit përgjegjës bartës të informacionit i cili nuk do të përgatis raport vjetor për zbatimin e Ligjit dhe nuk do ta dorëzojë te Komisioni sipas nenit 37 nga Ligji.

Ftesës për marrëveshje u janë përgjigjur 4 persona përgjegjës bartës të informatave, për të cilët Komisioni ka lëshuar urdhër-pagesë për gjobë dhe me procesverbal e ka konstatuar kryerjen e shkeljes. Për 4 personat tjerë – bartës të informatës, të cilët nuk janë paraqitur për marrëveshje, Komisioni e ka vazhduar procedurën duke dorëzuar kërkesë për ngritjen e procedurave kundërvajtëse në gjykatat përkatëse, në pajtueshmëri me Ligjin e atëhershëm për Kundërvajtje.

Uebfaqja e Agjencisë – https://aspi.mk/sq/home/

Të gjobiturit në vitin 2018 – 2019

Në vitet 2018-të dhe 2019-të nga ana e Komisionit për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik nuk është ngritur asnjë procedurë kundërvajtje.

Me miratimin e Ligjit për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik, në fillim të vitit 2020 ka filluar me punë Agjencia për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë deri tek Informatat me Karakter Publik si pasardhës juridik i Komisionit të deriatëhershëm.

Të gjobiturit në vitin 2020

Gjatë vitit 2020 janë realizuar 10 procedura. 4 procedura kanë rezultuar me shqiptim të sanksionit kundërvajtës – paralajmërim (për shkak se kryerësi e ka bërë kundërvajtjen për herë të parë dhe në ndërkohë e ka plotësuar obligimin) për personin zyrtar për ndërmjetësim me informatat te bartësi i informatave, pasi që nuk e ka zbatuar vendimin e Agjencisë në afat prej 15 ditëve nga pranimi i tij dhe nuk e ka njoftuar Agjencinë

5 procedura kanë mbaruar me lirim nga përgjegjësia e personave zyrtarë kundër të cilëve janë ngritur procedura nga ana e personit të autorizuar në Agjencinë, me kërkesë të të ankuarve, pasi që nuk e kanë zbatuar vendimin e Agjencisë në afat prej 15 ditëve dhe nuk e kanë njoftuar Agjencinë.

1 procedurë është me epilog për shqiptimin e sanksionit kundërvajtës – gjobë prej 500 eurove në kundërvlerë të denarit për personin përgjegjës të Kompanisë Tregtare Radiodifuzive ROBI SH.P.K. Shtip, pasi që nuk ka caktuar person zyrtar për ndërmjetësim me informatat me karakter publik dhe nuk ka siguruar informim të opinionin për personin zyrtar.

Të gjobiturit në vitin 2021

Gjatë vitit 2021, Agjencia gjithsej ka zbatuar 344 procedura për marrëveshje, edhe atë 333 procedura janë ngritur për shkak të mosdorëzim të raportit vjetor për bartësin e informatave dhe 11 për shkak të mosveprim ndaj vendimit të Agjencisë. Gjithsej 65 procedura për marrëveshje për shlyerje janë zbatuar me sukses, gjegjësisht janë kryer pagesat pas pranimit të urdhër-pagesave.

Komisioni Kundërvajtës ka vepruar ndaj 279 lëndëve tjera prej të cilave për 81 është miratuar vendim për lirim nga përgjegjësia për arsye se personi nuk e ka kryer shkeljen, ndalesë të marrëdhënies së punës, largim në pension dhe ngjashëm. Vendim për ndalim u miratua për 7 lëndë për shkak se personi zyrtar ka ndërruar jetë ose bartësi i informacionit ka pushuar së ekzistuari.

Vendime për shkelje për gjithsej 191 lëndë prej të cilëve 191 prej të cilave për 188 është shqiptuar sanksion kundërvajtës – paralajmërim, ndërkaq për 3 është shqiptuar gjobë në vlerë prej 250 eurove në kundërvlerë të denarit për personin zyrtar për ndërmjetësim me informata me karakter publik. (2 për Federatën e Mundjes së Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe 1 për Çerdhen për Fëmijë 11 Tetori – Shkup).

Këkesa, qasje të lirë
Foto ilustrim

(Jo)transparenca në RMV: 677 ankesa kundër “heshtjes” së institucioneve!

Në janar të vit 2021, Portalb.mk në analizën javore ekonomike shkruajti se presioni për transparencë dhe llogaridhënie të institucioneve shtetërore po rritet, e gjithashtu rritet edhe vetëdija e qytetarëve, gazetarëve, institucioneve civile se ata kanë të drejtë të kërkojnë informacione me “karakter publik”.  Institucionet shpesh “nuk duan” të flasin për furnizimet publike, punësimet, shpenzimet e parave publike, shfrytëzimin e zyrave shtetërore.

Organizatat shëndetësore, gjyqësia, institucionet shtetërore, ndërmarrjet publike, komunat – kundër të gjitha këtyre instancave janë adresuar ankesa për shkak të mosveprimit brenda afatit ligjor – për të siguruar informacion me karakter publik, ashtu siç lejohet dhe mundësohet nga legjislacioni. Deri në 90% të ankesave të parashtruara në Komision i referohen “heshtjes” së institucioneve, gjegjësisht poseduesve të informacionit.

“Gjatë vitit 2019, në Komision janë dorëzuar 755 ankesa kundër akteve administrative dhe reale të organeve të shkallës së parë, ose kundër heshtjes së poseduesve të informatave. Madje 677 ankesa nga numri i përgjithshëm i ankesave janë parashtruar për shkak të heshtjes së administratës”, thuhet në Raportin e ri vjetor.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button