Me shumicë të votave u zgjodh kryetari i SHGM-së, në garë ishin tre kandidatë
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë sot ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor, ku pikë e rendit të ditës ishte edhe përzgjedhja e kryetarit. Të drejtën e votës e shfrytëzuan 458 anëtarë, 275 prej të cilëve votuan për kandidatin Mlladen Çadikovskin, kryetarin aktual, raporton Portalb.mk.
Përmes Kuvendit Zgjedhor sot do të zgjedhet edhe anëtarësia e Bordi Drejtues, Bordi Mbikëqyrës dhe Këshilli i Nderit.
Kuvendi filloi punën në ora 11:00 në hapësirat e hotelit “Aleksandar Palace” në Shkup. Pas votimit, SHGM-ja e publikoi fituesin.
Përveç kryetarit aktual, Mlladen Çadikovskit, kandidaturë kishin dorëzuar edhe gazetarët Filjana Koka (53 vota) gazetare e Radio Televizionit të Maqedonisë dhe nënkryetare aktuale e SHGM-së, por edhe Marjan Nikollovski (119 vota), redaktor në televizionin “Sitel”. Në fund rezultuan edhe 11 vota ë pavlefshme.