Sot përfundon afati që klubi “Vanço Mihailov” të ndryshojë emrin

Komisioni për parandalim dhe mbrojtje nga diskriminimi (KPMD) paralajmëron se sot skadon afati për përmbushjen e rekomandimeve për heqjen e të gjitha elementeve kontestuese nga emri dhe përmbajtja e klubit bullgar “Vanço Mihailov” në Manastir. Hapi tjetër, tha anëtarja e KPMD-së, Vesna Bendevska, është mbledhja e Komisionit dhe përcaktimi i procedurës së mundshme kundërvajtëse, transmeton Portalb.mk.

Lidhur me këtë dhe rekomandimin për largimin e përmbajtjes kontestuese nga rrjetet sociale të klubit, afati i së cilës tashmë ka skaduar, Bendevska theksoi se Ministria e Drejtësisë duhet të dorëzojë shkresë sepse ka kompetencë të zbatojë dispozitat e Ligji për shoqatat dhe fondacionet.

“Ministria e Drejtësisë ka obligim që të bëjë mbikëqyrje të jashtëzakonshme të ligjshmërisë në zbatimin e Ligjit për Shoqatat dhe të na informojë me shkrim. Qendra kulturore duhet të dëshmojë se do ta ndryshojë emrin në Regjistrin Qendror dhe aktet në të cilat thuhet se qëllimi i tyre është promovimi i figurës, veprës dhe ideologjisë së Ivan Mihajlovit”, thotë Vesna Bendevska nga KPMD.

Në konferencën e sotme për shtyp të Komisionit, u theksua se përmbajtja e rrjeteve sociale të klubit, afati për heqjen e të cilave ka kaluar, përveç përhapjes së gjuhës shqetësuese që lavdëron karakterin, veprën dhe ideologjinë e Mihailovit, tregon edhe se ato kanë përmbajtje racore dhe ksenofobike. duke shkaktuar intolerancë, urrejtje dhe diskriminim dhe cenim të së drejtës dhe lirisë së një numri të madh njerëzish.

“Përmbajtja e kontestuar nuk ka të bëjë vetëm me të gjuhën shqetësuese, por ka indikacione serioze se po shkelen të drejtat e një numri të madh të njerëzve dhe kjo ka të bëjë me dispozitat e nenit të Ligjit penal, me të cilin topin e hedhim te Prokuroria Themelore Publike”, tha Bendevska.

Bendevska thekson se ndonëse kanë të drejtë të iniciojnë procedurë penale, megjithatë kanë vendosur t’ia lënë Prokurorisë Themelore Publike, e cila ka kërkuar që të sigurojnë informacione dhe kopje të përmbajtjeve kontroverse të publikuara nga klubi në rrjetet sociale.

Muajin e kaluar KPMD ka konstatuar diskriminim në bazë të përkatësisë kombëtare dhe etnike në lidhje me themelimin e shoqatës qendra kulturore “Vanço Mihailov” në Manastir.

Selia e Klubit u hap këtë vit në qendrën e Manastirit, akt që ka trazuar opinionin, por edhe institucionet, për shkak të emrit të kontestuar dhe përmbajtjes së publikuar në rrjetet sociale.

Ndryshimet në Ligjin për shoqata, të cilat u mbështetën edhe nga përfaqësuesit e qeverisë, i dorëzoi VMRO-DPMNE-ja opozitare, pas hapjes së shoqatave dhe klubeve bullgare në Maqedoninë e Veriut që mbajnë emra të figurave të diskutueshme historike.

Propozimin e opozitës e përkrahën edhe deputetët e qeverisë. Pro ndryshimeve votuan 67 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Më pas, LSDM-ja në pushtet dorëzoi ndryshime në Ligjin për partitë, me tekst pothuajse identik me Ligjin për shoqata, të cilat dënojnë fashizmin. Edhe për këto ndryshime “për” votuan 67 deputetë.

Ndryshimet në ligjin për shoqatat parashikojnë që organizatat me emra të diskutueshëm të mos mund të regjistrohen në të ardhmen.

Me ndryshimet ligjore, partive politike u lihet një afat prej tre muajsh nga hyrja në fuqi e ndryshimeve, për të harmonizuar emrin, simbolet, programin, statutin dhe objektivat, me përcaktimet e këtij ligji.

Klubet kulturore bullgare në RMV

Hapja e klubit kulturor maqedonas në Bullgari vijon pas hapjes së shoqatave apo klubeve kulturore bullgare në Maqedoninë e Veriut, njëri në Manastir (“Vanço Mihajllov”) dhe tjetri në Ohër (“Car Borisi i Tretë”). Emrat e këtyre dy klubeve, maqedonasit i konsiderojnë kontestues, pasi sipas tyre, janë pjesë e historisë së errët të Bullgarisë.

Ministria e Punëve të Jashtme të RMV-së, ka apeluar deri te të gjithë qytetarët, grupet politike dhe jopolitike, për sjellje të matur dhe dinjitoze, të bazuar në respektimin e të drejtës së të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike, për të ushtruar të drejtën kushtetuese për tubim dhe shprehje të lirë të mendimit.

Më 16 prill 2022, kryeministri bullgar Kirill Petkov, bashkë me funksionarë të lartë bullgar dhe ministrin e Punëve të Jashtme të RMV-së, Bujar Osmani, morën pjesë në hapjen e klubit bullgar “Vanço Mihajllov”. Për opinionin maqedonas ishte emri i klubit ishte diskutabil.

Më 4 qershor 2022, këngëtari maqedonas Lambe Alabakovski ia ka vënë flakën pjesës së hyrjes së klubit.

Më 7 tetor të këtij viti, u hap klubi tjetër bullgar me emrin “Car Borisi i Tretë”. Një grup maqedonas protestuan në Ohër kundër hapjes së klubit me pankarta antifashiste, duke aluduar në veprimtarinë e Car Borisit të Tretë të Bullgarisë si aleat të Hitlerit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Protesta ishte në atmosferë të tensionuar, ndërkaq disa prej qytetarëve kanë gjuajtur në drejtim të objektit.

Më 12 tetor, Policia njoftoi se ka marrë paraqitje se është dëmtuar tabela e klubit kulturor “Car Borisit i Tretë” i Bullgarisë në Ohër

Në ndërkohë, ka pasur paralajmërime për për formimin edhe të një shoqate tjetër bullgare në Maqedoninë e Veriut me emrin e Car Ferdinandit, i cili ka sunduar me Bullgarinë gjatë Luftës së Parë Botërore. Veprimtaria e Car Ferdinandit konsiderohet e dëmshme për Maqedoninë e Veriut, andaj edhe kundërshtohet regjistrimi i shoqatës me emrin e tij. Por, edhe emri i klubit maqedonas kontestohet nga pala bullgare, duke e konsideruar pjesë të historisë bullgare.

Kryeministri Kovaçevski, ka thënë se institucionet po bëjnë gjithçka të mundur për zgjidhjen e këtij problemi, të cilin ai e ka quajtur si “provokim të rëndë”.

“Ne kemi formuar komision që duhet të vlerësojë nëse kjo shoqatë duhet të lejohet. Institucionet duhet të përcaktojnë nëse formimi i tyre është në përputhje me legjislacionin tonë. Gjithashtu, kemi angazhuar Ministrinë e Drejtësisë për hartimin e një ligji të ri për regjistrimin e shoqatave që do të ketë për bazë ligjin gjerman. Veç kësaj, në hartimin e ligjit kam kërkuar që të përfshihen të gjitha palët, e edhe pjesëtarët e komunitetit hebre”, ka deklaruar Kovaçevski.

Sofja zyrtare në vitin 2019-të kërkonte që Shkupi t’i pranojë kërkesat bullgare se gjuha maqedonase është normë e asaj bullgare dhe se kombi maqedonas është krijuar nga Josip Broz TitoKy kontest bllokoi për dy vite procesin eurointegrues të vendit, me çka Bullgaria gjatë vitit 2021 i vendosi dy herë veto Maqedonisë së Veriut, njëherë në qershor, kurse më pas, më 14 dhjetor të vitit 2021, edhe një herë e bllokoi fillimin e negociatave RMV-BE.

Me ndërmjetësimin e Francës, në RMV dhe Bullgari u votua një propozim për zgjidhjen e problemeve mes bullgarëve dhe maqedonasve, ndërkaq më 19 korrik u zhvillua konferenca e parë ndërqeveritare midis Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Negociatat nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese, gjegjësisht derisa nuk futen bullgarët në Kushtetutën e RMV-së. 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button