BETEJA PËR ABC-në SHQIPE

Alfabeti i Gjuhës shqipe – njërës ndër gjuhët më të vjetra të kontinentit evropian, ndër më të veçantat e trungut gjenealogjik të Indoevropianishtes, ka bërë udhë të gjatë dhe të mundimshme, udhë identike me atë të etnisë sonë, gjer në konsolidimin e saj në Kongresin e Manastirit, të vitit 1908.

Shtrohet pyetja: si u bë që gjuha e vendit fqinj me grekët antikë, në të cilën u shkruajtën të paktën 3 prej 7 Kodikëve të purpurt të kohës së Profetit Isa; gjuha e vendit që Renesansës evropiane i dha vepra autorësh të kalibrit të Marin Barletit, Marin Beçikemit, Mikel Marulit, Mikel Markianoit, Gjin Gazullit…, të heqë të zinjtë e ullirit dhe vetëm pas shekujsh e mileniumesh të tërë ta zgjidhë çështjen e ABC-së së vet?

Përgjigjen e kësaj pyetje e dinë sot dhe zogjtë e malit, sepse pushtuesit, kushdoqofshin ata, të cilësdo kohë dhe të çfarëdo feje e etnie, menjëherë pas pushtimit të territoreve të tjetrit, një gjë të vetme bëjnë: djegin mbamendjen e arkivuar të popujve të nënshtruar, duke zhdukur kësisoj të dhënat e Prometejëve, që të mos mbetet kush t’ia japë popullit zjarrin e ta vetëdijësojë për statusin mjeran në të cilin është katandisur dhunshëm.

Por, ta lëmë historinë e largët dhe t’i kthehemi kohës dhe rrethanave në të cilat nisi të realizohet njëra prej ëndrrave më të mëdha të rilindësve shqiptarë: përcaktimi për një alfabet të vetëm që u dha fund synimeve shkombëtarizuese nga ana e armiqve dhe lakmuesve të tokave tona.

Koha në fjalë lidhet me fillet e Rilindjes shqiptare (1836), me ngjarjet e dhimbshme para dhe pas Lidhjes së Prizrenit (1878) dhe me problemet që vazhduan edhe pas Kongresit të alfabetit.

Siç dihet, pas Motit të Madh, Rilindja u bë lëvizja e parë serioze politike, historike, kulturore, letrare… e intelektualëve shqiptarë, të cilët e kuptuan rrezikun që u kanosej nga mbetja e mëtejme nën kthetrat e të huajve.

Dëshmi për këtë qenë humbjet e pakthyeshme të një pjese të konsiderueshme të territorit shqiptar, që i bindi rilindësit se Shqipëria kishte mbetur në duart e askujt, në duart e një pushteti përfaqësuesit e të cilit nënshkruanin padhimbshëm faljen e territoreve tona sllavëve dhe grekëve. Qe kjo koha kur dikush duhej t’i dalë zot atdheut dhe ky dikush nuk ishte një individ po një komb i tërë, i prirë nga bijtë më largpamës.

Në këso rrethanash, natyrshëm lindën shumë projekte dhe u gjurmuan shumë udhë të mundshme për dalje nga situata e palakmueshme, po e gjitha kishte një synim të përbashkët: të vetëdijësohet populli, ta njohë fillimisht vetveten e ta dijë kush është, kur dhe nga erdhi në këto troje dhe nga e ka ndërmend t’ia mësyejë në shekujt e ardhshëm?

Në vazhdën e projekteve në fjalë u gjend dhe kryefjala e çështjes shqiptare: projekti për një shtet të konsoliduar sipas modelit të cilin e kishin ndjekur të tjerët vite e dekada më parë. Po kjo s’ishte gjë e lehtë dhe nuk mund të realizohej nga kombi i mbetur në terrin e prapambetjes, nga kombi analfabet, nga kombi i ndarë simos më keq e me plot plagë në shtat që mund të shndërroheshin sa ora në varrin e tij.

Shi për këtë, Rilindësit hodhën idenë e emancipimit dhe u vunë pas gjurmimit të një alfabeti të përbashkët, që do të rezultonte me unifikimin e kombit dhe ndritjen e shpirtit të tij. Ata iu kthyen udhës së ndërprerë të shkrimit të shqipes dhe sfiduan numrin e stërmadh të alfabeteve në të cilët ndërkohë kishin nisur të shtypen libra dhe gazeta të shumëllojshme. Përdorimi i 3 alfabeteve të ndryshme (latin, grek dhe turko-arab) me variantet e panumërta të tyre i kishte çorientuar shqiptarët, aq sa nuk kishte shkrim që mund të lexohej më shumë se në një krahinë të ngushtë, më shumë se në një kolini shqiptare.

Janë me qindra emra të shquar që u përpoqën për një alfabet të vetëm, por, duhet thënë, pa mashtruar vetveten, se, mjerisht, janë dhe me qindra emërfikur që e bënë të kundërtën, që u shdërruan në masha të huaja dhe luftuan çdo nismë përparimtare. Kjo duhet pranuar hapur, pavarësisht në u pëlqen apo jo pasardhësve eventualë të kësaj mendësie të prapë antihistorike. Kjo duhet thënë jo për të problematizuar të sotmen, por për të shmangur mundësitë e përsëritjes së fatkeqësirave, sepse: një komb që nuk merr mësimet e duhura nga dështimet e tij rrezikon t’i përsëriten ato tim për tim, tamam si në baladat popullore me kuçedra shumëkokëshe dhe bajlozë të zinj.

Përveç përpjekjeve individuale, janë dhe shumë shoqëri kulturore e atdhetare, që i kontribuan çështjes së alfabetit të shqipes, në mesin e të cilave u shquan: “BASHKIMI” i Gjergj Fishtës, “AGIMI” i Ndre Mjedës dhe “SHOQËRIA E SHKRONJAVE SHQIPE”, me seli në Stamboll e vëllezërve Frashëri.

Kërkesat për alfabetin unik qenë të shumta, ashtu si dhe mospajtimet dhe tendencat e shumëkujt për të imponuar alfabetet e tyre si më të përshtatshmit. Megjithatë, koha e tregoi se angazhimi për shkronjat latine ishte më i esëllti në stinët kur truri shqiptar qe shpëlarë me sistem përmes injektimit të ndjenjës së inferioritetit dhe paperspektivës së gjithanshme.

Arsyeja përse Rilindësit insistonin për alfabetin latin ishte e dhëna se në këtë alfabet u shkruajt dokumenti i parë i shqipes: Formula e pagëzimit e Pal Engjëllit; libri i parë shqip “Meshari” i Gjon Buzukut; veprat e njohura të Pjetër Bogdanit, Pjetër Budit e Frang Bardhit; me këto shkronja u shkruajt vepra madhore e Naimit dhe rilindësve të tjerë; kryevepra e letërsisë së Rilindjes “Këgët ë Milosaos” e Jeronim de Radës, për të cilën folën fjalë të mëdha titanët e letërsisë evropiane: Hygoi, Lamartini, Aleksandar Dyma e shumë të tjerë. Me një fjalë, alfabeti latin heq vijë që nga kohët ilire e këndej, në dallim prej atij grek e turko-arab që u imponoheshin shqiptarëve me arsyetime të paargumentuara shkencërisht.

Anarkia e alfabeteve që përdoreshin në vigjilje të Kongresit të Manastirit e bëri gjuhën, jo vetëm mjet shpëtimi të kombit, po dhe element që nisi të rrezikojë seriozisht ekzistencën e tij… Çështja e shumësisë së padurueshme të ABC-ve arriti përmasat e një burlesku, sa qesharak, aq edhe shqetësues për të ardhmen e Gjuhës shqipe. Arbëreshi Mikel Markianoi (1908) këtë fenomen e pagëzoi: “konfuzion babilonik në alfabetin shqiptar”, kurse Gjergj Fishta e satirizoi me vargjet:

Për çdo kaçubë na mbinë nga një letrar,

Përfton ma në fund e pjell nji Abecedar…

Përpjekjet për dalje nga ky qorsokak, u bënë masive dhe të gjithanshme. Fillimisht, ishin vetë shpikësit e disa alfabeteve që hoqën dorë nga projektet e tyre në favor të një alfabeti të vetëm për të gjithë shqiptarët. Kështu, nisi qartësimi i gjërave dhe pranimi, njëherë i heshtur, pastaj dhe i hapur i alfabetit të “Bashkimit”, i përpiluar prej njerëzish që, për momentin e dhënë, garantonin më shumë neutralitet krahinor, dialektor e fetar.

Alfabeti pati dhe promotorët e politikës kombëtare të asaj kohe, si Hasan Prishtina, Dervish Hima, Bajram Curri… dhe kjo ishte me shumë rëndësi për trasimin e udhës së Kongresit të 1908-ës. Shtytje të veçantë alfabeti latin pati prej krijuesit erudit Faik Konicës dhe revistës së tij me renome ndërkombëtare “Albania”, e cila një vit më herët e paralajmëroi mbajtjen e Kongresit të Manastirit.

“Albania” preferoi alfabetin e “Bashkimit” të Gjergj Fishtës. Për Konicën tekanjoz dhe shpesh të sikletshëm për debate rreth alfabetit me tipa që kishin njohuri minore për çështjet gjuhësore, me rëndësi ishte përcaktimi për një alfabet të vetëm, përmes të cilit do t’i vinin pikën dezintegrimit të mëtejshëm të gjuhës dhe etnisë shqiptare. Ai e dinte atë që do ta konstatojë dekada më vonë një krijues tjetër shqiptar – poeti arbëresh Dushko Vetmo, sipas të cilit: “Shpërndarja e gjuhës nënkupton shpërndarjen e etnisë”. Thënia e tij ishte në pajtim me  rrethanat e kohës, kur shqipja qe vërtet: ATDHEU I PËRBASHKËT DHE I VETËM i shqiptarëve.

Debate dhe qëndrime të kreshpëruara për dhe kundër alfabetit latin pati edhe kur 32 delegatët e Kongresit të ABC-së, arritën në Manastir nga 26 qytete shqiptare, por kthim prapa nuk kishte. Luigj Gurakuqi propozoi përzgjedhjen e alfabetit më të përshtatshëm që nuk do të thente asnjë zemër pjesëmarrësi, rrethi e krahine shqiptare. Vendimi ishte ky: Të merret ABC-ja e Stambollit e bashkë me të një ABC thjesht latine që së bashku të përdoren nga shqiptarët…

Megjithatë, sado që kongresistët patën kurajon qytetare që të bashkohen rreth një ideali të vetëm, vendimet e Kongresit u sfiduan ashpër nga njerëzit që e kishin gëlltitur pamendueshëm grepin e huaj. Ndaj, atëherë kur pritej që të uleshin gjakrat dhe të niste një epokë e re respekti e mirëkuptimi brendashqiptar shpërthyen demonstratat kundër alfabetit latin të shqipes, kundër librave e gazetave të shkruara në këtë alfabet, kundër shkollave shqipe, kundër shoqatave e intelektualëve kriujes që e përkrahnin atë. Protestat ishin masive, sepse u instrumentalizua edhe feja për të nxitur turmat e painformuara rreth asaj që realisht po ndodhte. Manipulatorët thonin se alfabeti latin është antifetar, gjë që s’kishte të bëjë fare me realitetin, sepse, për ata që besojnë sinqerisht, Zoti, përveç tjerash, është dhe krijuesi i gjithë gjuhëve të botës dhe i njeh ato një për një.

Trazira kundër alfabetit latin pati gjithandej trojeve shqiptare, veçanërisht në vilajetin e Kosovës. Në Kaçanik e Gjilan pati dhe djegie librash shqip. Mitingje anti-alfabetit u bënë edhe në Prizren, Shkup, Ohër e gjetiu. Ato rezultuan me persekutime të intelektualëve, me mbyllje klubesh e shkollash të posahapura. Veprimet destruktive ishin të koordinuara mirë nga pushteti që shtirrej se është asnjënës në gjithë ketë situatë, ndërkohë që fshehurazi nxiste pakënaqësinë e njerëzve përmes antishqiptarësh të sëmurë në shkallë patologjike. Për të ndërprerë udhën e alfabetit latin, xhonturqit hapën shkolla dhe shtypën mijëra kopje librash shqip me alfabet turko arab. Në anën tjetër, vepronin grekët, të cilët, për hesap të tyre, gjithashtu e anatemonin publikisht gjuhën e mallkuar dhe të mërzitshme shqipe…

Fushata anti alfabetit latin e preku në shpirt Hasan Prishtinën, i cili nuk arrinte t’i kuptojë bashkëkombasit e tij shpirtrobër. Kundër këtij llumi u ngritën dhe qindar studentë shqiptarë që studionin në Stamboll, që ishin pro ABC-së latine.

Por, përkundër të gjithave, armiqtë e Gjuhës sonë ia dolën të nxisin mbajtjen e një Kongresi paralel në Dibër, më 1909. Kongresi në fjalë u ideua për të pamundësuar përdorimin e alfabetit latin, por, për çudi, pjesa dominante e pjesëmarrësve i kuptoi tendencat politike që shkonin në dëm të çështjes shqiptare. Kështu, në pamundësi për të përkrahur vendimin e Kongresit të Manastirit të vitit 1908, u soll një vendim i ndërmjetëm, që gjithsesi ishte dëshmi e dështimit të përpjekjeve për luftimin e alfabetit latin. Vendimi kërkonte që të mos imponohet alfabeti turko-arab, por të lihet i lirë gjithsecili të përdorë alfabetin që preferon. Kjo, ashiqare, nënkuptonte vazhdimin e situatave anarkike të para Kongresit të Manastirit të vitit 1908 dhe rrezikonte sërish integritetin shpirtëror të shqiptarëve.

Pas kësaj ngjarjeje, Klubi i Manastirit, si amë e gjithë klubeve të tjera, inicoi Kongresin e dytë të Manastirit (1910), që u mbeshtet fuqishëm pothuajse nga të gjitha viset shqiptare dhe nga gjithë kolonitë rilindëse. Pati sërish demondstrata, debate pa fund, shkrime gazetash, vepra letrare…, gjë që i trimëroi shqiptarët që u zotuan se, nëse e do nevoja, alfabetin e tyre do ta mbrojnë deri në pikën e fundit të gjakut.

Fatmirësisht, koha si arbitër më i mirë i ndodhive historike dëshmoi se të tillët e kishin gabim. Po të ishte kështu, sigurisht që Turqia moderne do të mbante për vete alfabetin që ua preferonte dikur shqiptarëve. Siç dihet, vetëm pak vite pas Kongresit të ABC-së sonë, edhe ajo zgjodhi alfabetit latin për të spikatur identitetin e ndryshëm kombëtar turk nga identiteti osman dhe gjithsesi për ta afruar kulturën kombëtare turke me atë evropiane.

Parë nga distanca e sotme kohore, duhet thënë se Kongresi i alfabetit të Gjuhës shqipe përfaqëson njërën prej fitoreve të mëdha historike e kulturore që ka korrur kombi ynë. Pa të nuk do ta kishim as standardin e sotëm të gjuhës, që edhe përkundër vërejtjeve që mund t’i bëhen, na përcolli gjer këtu ku jemi si një komb i vetëm, duke sfiduar fuqishëm, pikërisht përmes SHQIPES, ndarjet tragjike që ia bëjmë vetvetes dhe na e bëjnë të tjerët.

Falë këtij monumenti që përbën vijën kyçe të identitetit tonë, paraardhësit tanë bënë të pamundurën për të krijuar nga hiri qytetërimin shqiptar. Ne na mbetet vetëm të kujdesemi mos të shkelim turpshëm mbi djersën dhe gjakun e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button