Problemet e rrjetit të ri të ujësjellësit në Tetovë, nuk dihet nëse këtë vit do të ketë zgjidhje

Ndonëse dhjetorin e vitit 2021 deklaroi se gjatë vitit 2022 do të ketë studim dhe sanim të rrjetit të ri të ujësjellësit, atij të Leshnicës si zgjidhje afatgjate, kjo pikë nuk u përmend në raportin një-vjeçar të udhëheqjes me Komunën e Tetovës nga Kasami. Ndërsa nga Ndërmarrja Publike Komunale (NPK) “Tetova” thonë se nuk mund të parashikohet nëse do ketë probleme ujësjellësi këtë dimër, shkruan Portalb.mk.

Tetova vazhdimisht përballet me mungesë të ujit dhe defekteve që pëson rrjeti i ujësjellësit. I pyetur për atë se a ka pasur analiza për këto probleme, Kasami deklaroi se nuk mund të thuhet se nuk ka pasur. Megjithatë, ai nuk theksoi se çfarë problemesh kanë treguar analizat, por cilat janë mundësitë për zgjidhje në të ardhmen.

“Sa i përket ujësjellësit, Komuna e Tetovës ka bërë disa aktivitete, duke u nisur nga furnizimi me ujë nga lokacioni -lokaliteti Leshnicë, gypi i furnizimit të cilin e kemi kontrolluar dhe është intervenuar që i njëjti mos të paraqesë probleme gjatë sezonit të dimrit. Gjithashtu, punohet edhe një studim fizibiliteti për humbjet e ujit në rrjetin e ujësjellësit në qytet, dhe njëherit edhe për një sistem që do të menaxhojë me flukset e ujit dhe se ku shkon ai ujë, që është një projekt gjithashtu në disa pika të qytetit do rehabilitohen dhe do të kontrollohet se ku shkon uji dhe a ka humbje eventuale”, tha Kasami.

Siç tha ai, janë në proces të studimit dhe të nevojës së instalimit të ujëmatësve, ku janë në fazën e identifikimit të ujëmatësve aktual që i shfrytëzojnë qytetarët dhe të njëjtat të fillojnë të paguajnë në bazë të ujit të harxhuar dhe jo në formë paushalle.

“Kemi një premtim nga komuna e Konjës (Turqi) që do të kemi përkrahje 200 mijë euro për instalimin e ujëmatësve të rij, me çka ne mendojmë që do të zgjidhim një pjesë të konsiderueshme të problemit”, theksoi Kasami.

Ndër të tjera ai tha se po punohet në rikonstruimin e ndërmarrjes komunale publike, dhe themelimin e dy ndërmarrjeve të reja, për mbeturinat dhe për menaxhim me ujë dhe kanalizime, me çka pritet që problemet e akumuluara ndër vite të zgjidhen.

Para rreth një viti, Kasami rrjetin e ujësjellësit e quajti si skandaloz dhe të realizuar pa asnjë standard minimal. Nga ku garantoi se ka plan afatgjatë dhe se këtë dimër nuk do të ketë probleme si vitin e kaluar, por kjo mbetet të shihet edhe pak javë.

I pyetur nga Portalb.mk se si janë pritshmëritë për këtë dimër, a pritet të shfaqen problemet e vitit të kaluar, Lulzim Shaqiri nga Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” tha se NPK-ja nuk është investitor apo realizues i projektit të ujësjellësit të Leshnicës, por se janë vetëm mirëmbajtësit.

“Kemi shumë iksa sa i përket atij sistemi, prandaj nuk mund të japim projeksion se si do të jetë, varret prej reshjeve, sasive që do i kemi”, tha Shaqiri duke shtuar se qyteti për momentin furnizohet me 350 litra ujë në sekondë, që siç tha janë sasi të cilat janë të mjaftueshme për furnizimin e qytetit me ujë të pijshëm, pasi minimumi për të funksionim normal është 300 litra në sekondë.

Pse Tetova ka problem me rrjetin e ujësjellësit?

Tetova përdor dy rrjete-sisteme të ujësjellësit, gjatë periudhës së vjeshtës dhe dimrit furnizohet nga i riu, ai i Leshnicës ndërsa në pranverë dhe verë nga ai i Kodrës së Diellit, rezervarët e Malit Sharr apo njohur ndryshe si burimet e vjetra.

Sistemi i Leshnicës është sistem i hapur, që domethënë se merr ujërat e hapura dhe i fut ato në sistem, ndërsa ai i burimeve të vjetra është i mbyllur.

Qyteti ka mungesë të ujit, prandaj përmes stacionit të filtrimit të lëshuar në përdorim në vitin 2017 sigurohen sasi shtesë të ujit, kur rezervarët e Malit Sharr nuk sigurojnë ujë mjaftueshëm.

Uji që merret nga Leshnica, nuk është burim i mbyllur por është ujë sipërfaqësor i marrë nga lumi. I njëjti kalon në disa faza, filtrohet përmes stacionit të filtrimit dhe sillet në rrjetin e ujit të qytetit.

Edhe pse e planifikuar është që stacioni i filtrimit të lëshohet në funksion nga muaji dhjetor e deri në mars, kur njerëzit, kafshët dhe vegjetacioni ndalojnë lëvizjet atje, kjo nuk ndodh, e njëjta është në përdorim gjatë gjithë viti për shkak të mungesës së ujit.

Kështu, gjatë vjeshtës kur gjethet kalben dhe bien në burimin e ujit, e njëjta më pas shkakton ndryshim të shijes, aromës dhe ngjyrës së ujit. Ky fenomen në Tetovë ndodh nga viti 2017.

Edhe pse rrjeti i ujësjellësit qytetarëve u ka kushtuar miliona, ai vazhdimisht pëson defekte, kështu duke lënë qytetarët shpesh pa ujë të mjaftueshëm dhe me kufizime.

Kasami para zgjedhjeve në #Debatpërnime tha se si Lëvizje Besa prioritet mbi prioritetet do të keni që njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” për katër vite të zgjidhin këtë çështje.

“Prandaj ne jemi angazhuar që të përpilojmë edhe një plan të detajuar se si do të zgjidhet çështja e ujit për pije, ku kemi angazhuar ekspert të lëmisë të cilët na kanë informuar për të zgjidhur njëherë e përgjithmonë “Me ka krejt” çështjen e ujit për pije në Tetovë duhet investim në rrjetin e shpërndarjes, që nënkupton një investim prej diku 14 milionë euro nga të cilat 4 milionë e 300 mijë euro për rrjetin primar, diku 8 milion për rrjetin sekondar dhe diku 500 mijë euro për ujëmatësit të cilët Tetova për momentin nuk i ka dhe rrjeti i harxhuar i shpërndarjes e bën që Tetova të ketë mbi 50% të ujit në rrjet. Brenda katër viteve Tetova do të ketë “Me ka krejt” ujë për pije. Menjëherë me marrjen e mandatit në gjashtë mujorin e parë ne si Lëvizje Besa do të sigurojmë gjithë ambientin ku grumbullohet uji i pijshëm për Tetovën dhe tetovarët do të kenë njëherë e përgjithmonë ujë të sigurt sepse nga ai ujë ne e sigurojmë jetën”, tha Bilall Kasami me 14 tetor 2021.

Në programin e tij zgjedhor 2021-2025 për menaxhimin me Tetovën, Kasami te pjesa e urbanizmit premton rrjet të ri të ujësjellësit dhe kanalizimeve.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button