Shumica e këshillit komunal në Tetovë votoi për subvencionim të NPK-së me 25 milionë denarë, opozita e lëshoi seancën (VIDEO)

Shumica e Këshillit të Komunës së Tetovës në mbledhje të jashtëzakonshme subvencionoi Ndërmarrjen Publike Komunale “Tetova” me 25 milionë denarë, me qëllim të pagesave të punëtorëve të angazhuar me kontratë në vepër, të cilët nuk kanë marrë paga për katër muaj. Këshilltarët e opozitës e braktisën seancën pak para votimit. Nga totali i 440 të punësuarve, NPK-ja ka rreth 200 të punësuar me kontratë në vepër. Sipas autoriteteve kjo është zgjidhje momentale, ndërsa pas vitit të ri do të rithemelohen dy ndërmarrje të reja. Opozita akuzoi për larje parash, shkruan Portalb.mk.

Sot Këshilli i Komunës së Tetovës thirri mbledhje të jashtëzakonshme për të subvencionuar Ndërmarrjen Publike Komunale “Tetova” për të shlyer pagat e prapambetura për katër muaj të punëtorëve.

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” një periudhë të gjatë ballafaqohet me probleme të likuiditetit që pamundëson kryerjen e obligimeve. E njëjta, për kohë të gjatë funksionon me llogari të bllokuar, ndërsa punon në bazë të vendimimit të Gjykatës Themelore Tetovë për funksionim me anë të mjeteve minimale të nevojshme, si nevojë për mirëmbajtjen e nevojave të qytetit.

Jolikuiditeti i ndërmarrjes siç sqarojnë nga atje, vjen nga: borxhi 9.5 milionë euro që kanë qytetarët ndaj ndërmarrjes nga mospagesa e llogarive, dukuri e cila është në rritje; nga rritja e çmimit të derivateve dhe servisimit; rritja e çmimit të energjisë elektrike; rritja e pagës minimale e të punësuarve në ndërmarrje.

Prandaj, ndërmarrja kërkoi 35 milionë denarë subvencionim nga Komuna e Tetovës për mbulimin e pagave të punëtorëve për tre muajt e fundit dhe për obligime tjera të patjetërsueshme.

Ndërmarrja Publike Komunale “Tetova” sipas asaj që deklaruan përgjegjësit e saj sot në seancë, ka 440 të punësuar prej të cilëve 200 janë me kontratë në vepër, ndërsa rreth 80% e atyre me kontratë janë të angazhuar në pjesën operative, pra të higjienës komunale.

Debati për këtë pikë zgjati disa orë ku këshilltarët parashtruan pyetjet e tyre.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami tha se kjo është zgjidhje afatshkurte, ndërsa për zgjidhje afatgjate duhet të pritet pas Vitit të Ri ku nga kjo ndërmarrje do të ndahet në dy pjesë dhe do të themelohen dy ndërmarrje të reja, ajo e higjienës komunale si dhe ajo për ujësjellës dhe kanalizime.

Kasami u arsyetua se gjendja e këtillë e ndërmarrjes vjen si pasojë e udhëheqësisë së kaluar, duke e lënë atë me pagesa të papaguara. Ai theksoi se nuk kanë pasur mundësi për sistematizim të të gjithë 200 punëtorëve.

Lulzim Shaqiri nga NPK-ja sqaroi se kjo ndihmë është e përkohshme, që nënkupton ndihmesë të personave të kontraktuar me kontratë në vepër për muajin gusht-dhjetor.

I pyetur për arsyen se përse ka ardhur deri në këtë situatë, ai tha se qytetarët nuk paguajnë sepse ndërmarrja nuk ka kapacitet të inkasojë dhe të servisojë faturat në formë të rregullt. Ai theksoi se për momentin kanë inkasim në formë të rregullt në nivel mujor rreth 25%, ndërsa në nivel vjetor e kanë 50%.

Foto: Fisnik Xhelili/Portalb.mk

Megjithatë, arsyet e lartpërmendura nuk ishin bindëse për këshilltarët opozitar nga BDI, LSDM, PDSH dhe Alternativa, të cilët braktisën sallën dhe kërkuan dokumentacion dhe sqarime shtesë.

Liridon Disha nga BDI deklaroi se nuk ka pasur nevojë që të thirret senacë e jashtëzakonshme pasi e njëjta ka mundur të diskutohet në seancë të rregullt.

“Arsyetimet që i dhanë ata nuk mbajnë, kemi dyshimet tona për atë se çfarë është gatuar në këtë seancë. Ne kërkuam që të jepet një raport i detajuar për fondet që i kërkon NPK-ja nga Komuna për pagat e punëtorëve. Ne nuk jemi kundër kësaj, mirëpo kërkojmë raport të detajuar financiar të NPK-së dhe kërkojmë listën e të punësuarve të cilën ata e kanë bërë prej kur kanë ardhur në Komunën e Tetovës dhe listën e të punësuarve me kontrata në vepër edhe në vitet e kaluara. Për ne si front opozitar është e rëndësishme që të gjithë të punësuarit në NPK të paguhen njësoj dhe jo të mblidhen fonde vetëm për punëtorët me kontratë në vepër. E dënojmë këtë akt dhe për këtë arsye e lëshuam mbledhjen sepse pas shumë tentativave për të siguruar dokumentacionin e nevojshëm se për çfarë kërkohet kjo shumë, nuk hasëm në mirëkuptim. Pasi nuk i morëm, e lëshuam seancën. Kemi indikacione se nuk bëhet fjalë për paga punëtorësh por për larje parash”, deklaroi Disha.

Gligorije Stojanovski nga LSDM tha se si opozitë kanë dhënë disa propozime të cilat mendojnë se do të pranohen nga shumica e këshillit.

“Nuk duam të jemi pjesë e kësaj që po ndodh në Këshillin e Komunës, prandaj edhe e lëshuam seancën”, tha Stojanovski.

Këshilltarët opozitarë thanë se do të kthehen në seancë vetëm nëse kryetari i këshillit për një orë i sjell dokumentacionet e kërkuara nga ata. Por kjo nuk nodhi pasi, pak minuta pasi opozita lëshoi sallën, shumica brenda në sallë votoi pro pikës për subvencionim të NPK-së por jo në vlerë të kërkuar prej 35 milionë por për 25 milionë denarë.

Kreu i këshillit komunal, Besar Durmishi tha do të autorizojnë sektorin e financave që të kontrollojë apo kërkojë nga ndërmarrja të sjell listën e të gjithë atyre personave që janë të angazhuar dhe kryejnë punë në ndërmarrje, që më pas të vijojë procesi i pagesës apo shlyerjes së borxheve ndaj ndërmarrjes.

“Vendimi është për 25 milionë denarë, por mund të jetë edhe më pak, varësisht sa do të ketë financa Komuna e Tetovës”, tha Durmishi.

I pyetur nga Portalb.mk se si do ndikojë kjo në borxhin e komunës, Drumishi tha se përderisa Këshilli është organ themelues i ndërmarrjes dhe funksionojnë si binom dhe borxhi do të jetë po ai në tërësi. Ndërkaq shtoi se një rogë e tij, e kryetarit të komunës dhe drejtorit të NPK-së do jepet për subvencionim të ndërmarrjes.

Borxhi aktual i NPK “Tetova” sipas asaj që kryetari i Komunës deklaroi me 3 nëntor është 10.116.800 euro apo 425 mijë euro më shumë nga periudha e njëjtë e vitit të kaluar kur ishte 9.691.570 euro. Sfidë për këtë ndërmarrje mbetet menaxhimi me mbeturina dhe pastërtia në qytet si dhe rrjeti i ujësjellësit i cili vazhdimisht pëson defekte.

Kujtojmë që Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës (MSHIA) në gusht njoftoi se nuk e ka pranuar kërkesën e Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) ”Tetova” për rritjen e numrit e të punësuarve. Sipas ministrisë, NPK-ja parashikonte numër më të madh të vendeve të punës të sistematizuara sesa minimumi i lejuar ligjërisht, andaj edhe nuk u kanë dhënë pëlqim.

Ndryshe, në seancën e këshillit të mbajtur me 28 shtator, Këshillit Komunal i dhuroi donacion tre milionë denarë ndërmarrjes së transportit publik për mbulimin e harxhimeve. Ndërkaq vetëm NP “Parkingu i Qytetit” duket të ketë situatë më stabile financiare, e cila në gjashtë mujorin e pare doli me rreth 100 mijë euro fitim, por borxhi i saj mbetet 187.568 euro.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button