Kasami: Për një vit borxhi i Komunës së Tetovës dhe institucioneve është ulur për rreth një milion euro, mbetet 23 milionë euro (Infografik)
Borxhi i Komunës së Tetovës i cili nëntorin e vitit të kaluar së bashku me ndërmarrjet publike dhe shkollat ishte 24.018.222 euro, sot është 23.404.377 euro. Kështu deklaroi sot kryetari i Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Në këtë raport vërehet se të gjithë institucionet kanë ulur borxhin përveç NPK “Tetova” e cila ka rritur borxhin për 425 mijë euro, shkruan Portalb.mk.
Kasami deklaroi se për këtë një vit, borxhi është ulur në Komunë si dhe institucionet tjera që funksionojnë nën të.
Sa i përket vetëm Komunës, Kasami deklaroi se kanë arritur që të shlyejnë mbi 3 milion euro nga borxhi i trashëguar.
“Por njëherit duke pasur parasysh faktin që ne vazhduam me një intensitet të shtuar realizimin e projekteve infrastrukturore (rrugë, ujësjellës, kanalizime etj.) që kapin një vlerë prej mbi 2 milion euro, neto borxhi i komunës është ulur për rreth 1 milion euro dhe sot është rreth 13 milion euro”, deklaroi Kasami.
Ai përmendi se shkollat tani më i kanë shlyer borxhet që arrinin deri në 80 mijë euro dhe funksionojnë në normalitet.
“Ndërmarrjen Komunale Parkingu i Qytetit, përveç borxhit që publikuam, e gjetëm edhe me rroga të pashlyera ndaj punëtorëve me vlerë prej mbi 50 mijë euro, të cilët i pastruam dhe tani punëtorët e parkingut i marin rrogat në kohë. Me gjithë vështirësitë, ndërmarrja arriti me sukses të shlyejë një pjesë të borxhit të saj dhe sot funksionon me llogari të zhbllokuar”, deklaroi Kasami.
Ndërkaq situata financiare mbetet e vështirë në NPK “Tetova”, e cila ka rritur borxhin për mbi 425 mijë euro në krahasim me borxhin e vitit të kaluar.
“Kjo si rezultat i rritjes së pagës minimale si dhe I rritjes enorme të çmimeve të energjisë elektrike dhe derivative të naftës nga njëra anë si dhe mosrealizimi i suksesshëm i inkasimit të faturave. Për t’u përballur me këto probleme ne kemi vendosur për një riorganizim të plotë të ndërmarrjes, për të cilën kemi plan afatshkurtër si dhe një plan afatgjatë”, tha Kasami.
Mes tjerash ai deklaroi në borxhin prej 24 milionë euro nuk janë llogaritur kamatat e dënimit për borxhet që janë në përmbarues, ku kjo shifër është afërsisht 1 milion euro. Si dhe NP “Tetova Transport” nuk është futur në raport pasi ende nuk ka mbushur një vit që nga fillimi i punës në formë legale.
Ndërkaq theksoi se pagesat dhe obligimet ndaj komunës kanë arritur përmirësim të dukshëm krahasuar me vitet e kaluara
“Të hyrat vetanake të komunës (tatimi në pronë, tatimi në shitblerje të pronës si dhe taksat e tjera komunale) për vetëm 10 muaj janë realizuar gati 120 % (160 milion denarë nga 135 milion denarë të planifikuara). Për një vit nga ardhja jonë në krye të komunës kemi realizuar të hyra vetanake në vlerë prej më shumë se 200 milion denarë, gati 85 milion më shumë se sa ka realizuar udhëheqësia paraprake për të njëjten periudhë kohore”, tha Kasami.
Për sa i përket një lënde të eksproprijimit e cila sipas komunës ka rënduar buxhetin e Komunës për 1.5 milion euro, për të cilën në qershor Kasami deklaroi se janë në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit në Gostivar, ai sot i pyetur nga Portalb.mk tha se ende nuk e kanë marrë këtë vendim dhe se janë në pritje.
Për borxhin e Komunës, Portalb.mk përmes Ligjit për Qasje të Lirë në Informatat me Karakteri Publik para dy muajsh kërkoi pasqyrën e borxhit aktual të Komunës, por Komuna shkeli këtë ligj duke mos u përgjigjur në kërkesë si dhe ndaj Agjencisë për Mbrojtjen e të Drejtës për Qasje të Lirë në Informatat me Karakter Publik. I pyetur sot po për këtë se përse nuk e kanë bërë të njëjtën, Kasami tha se “sot publikisht ju përgjigjemi edhe juve edhe Agjencionit në fjalë edhe juve”
“Është një situatë që kërkojmë mirëkuptim të opinionit, është situatë e komplikuar ku duhet që infomatat të cilat prezantohen të jenë të besueshme, prandaj nuk mundet të prezantojmë informata në atë kohë në të cilën kërkohen, edhe njëherë kërkoj mirëkuptim. Për të pasur besim dhe transparencë të plotë, jemi në komunikim edhe me organizata ndërkombëtare, më konkretisht me USAID-in, me të cilët do të organizoj një takim për të pasur një prezantim të përditshëm të financave të komunës, borxhit dhe të gjithë kondicionit tjetër financiar që të mos vijmë në kështu situata të mos kemi mundësi, edhe pse do të kishim dashur që në bazë të rregullt të informojmë sa i përket situatës financiare të komunës”, deklaroi Kasami.
Kujtojmë që Borxhi i përgjithshëm i Komunës së Tetovës kur u publikua në fund të muajit nëntor 2021 ishte mbi 24 milionë euro, prej të cilave Komuna me mbi 14 milionë euro, NPK “Tetova” mbi 9.6 milionë euro, NP “Parkingu i Qytetit mbi 87 mijë euro dhe shkollat mbi 77 mijë euro.
Përndryshe, llogaridhënia permanente për shpenzimin e mjeteve publike, veprimet e administratës të jenë të verifikueshme online për qytetarët janë në programin zgjedhor të Kasamit për Tetovën 2021-2025.
- LEXO: Komuna e Tetovës e shkeli Ligjin për Informata me Karakter Publik, nuk tregon sa ka borxh (Dokument)
- LEXO: Kasami: Borxhin e kemi zvogëluar për 4 milionë euro, aktualisht është rreth 20 milionë
- LEXO: Komuna e Tetovës jotransparente, nuk tregon sa është borxhi aktual i komunës
- LEXO: Nuk dihet ende sa (nuk) u zvogëlua borxhi i Komunës së Tetovës në krye me Kasamin
- LEXO: Për të mësuar sa është sot borxhi i Komunës së Tetovës duhet të presim të paktën deri në fillim të gushtit (VIDEO)
- LEXO: Komuna e Tetovës paditi Teuta Arifin, një zyrtar të afërt të saj, një gjykatës dhe një avokat për keqpërdorim të detyrës zyrtare
- LEXO: Tre muaj nga publikimi i borxhit të Komunës së Tetovës, ende nuk ka detaje si dhe pse u krijua ky borxh (VIDEO)
- LEXO: Kasami: Disa kompani janë dakorduar që t’ia falin një pjesë të borxhit Komunës së Tetovës
- LEXO: Borxhi i Komunës së Tetovës mund të shihet në billborde
- LEXO: KEMM: Ankesa ndaj artikullit të Portalbit për borxhin e Komunës së Tetovës është e pabazë
- LEXO: Tetovë, ja çfarë propozuan këshilltarët komunal për borxhin prej 24 milionë eurove
- LEXO: Kasami: Borxhin prej 24 milionë eurove të Komunës së Tetovës mund ta shihni në sheshin Iliria (VIDEO)
- LEXO: Borxhi i komunës së Tetovës është mbi 24 milionë euro (Infografik)
Një koment