5 në pranga dhe 6 në kërkim për inceneratorin e Fierit

“Edhe njëherë Prokuroria e Posaçme konfirmoi nëpërmjet hetimeve se me ndërtimin e inceneratorëve ka funksionuar një skemë me fatura fiktive për punime që nuk u kryen asnjëherë, që kishte synim pastrimin e parave të korrupsionit”.

5 persona u arrestuan me urdhër të SPAK si përgjegjës për një skemë mashtrimi me fatura fiktive në punimet e kryera në inceneratorin e Fierit, që i ka shkaktuar shtetit një dëm rreth 565 milionë lekësh.

6 të tjerë u shpallën në kërkim, pasi nuk u gjetën nga Policia.

“Të arrestuarit janë Arben Dervishaj, Regan Merdani, Ribert Shabani, Enver Sheshi, Gentian Zifla. Ndërsa të shpallurit në kërkim janë Silvester Dreza, Arjola Kodra, Arber Denizi, Juri Ymeraj, Luran Dusha, Giussepe Ciaffaglione”.

SPAK thotë se shtetasi Arben Dervishaj, në cilësinë e mbikëqyrësit të punimeve të shoqërisë koncesionare, ka miratuar dhe më pas pasqyruar situacione për punime fiktive të shoqërisë koncesionare, për shërbime që nuk janë kryer dhe pajisje që nuk janë realizuar, të cilat kapin vlerën e 4 milionëve.

Dervishaj, thotë SPAK, ka përfituar pagesa dhe udhëtime jashtë vendit nga Klodian Zoto, aksioner kryesor i shoqërisë koncesionare “Integrated Technology”.

Në kërkim është edhe administrator italian i kompanisë “Integrated Energy BV SPV” për dyshimet se i ka dhënë në formë ryshfeti paga babait të Alqi Bllakos, Edmond Bllako, në vlerën e rreth 15 milionë lekëve.

Me në krye Klodian Zoton, personat e tjerë të marre nën hetim, administratorë kompanish, sipas SPAK, kanë vënë në jetë skemën e lëshimit të faturave fiktive për punë që nuk janë kryer. Nga totali i 565 milionë lekëve, 359 milionë janë fatura fiktive, 60 milionë është dëmi i shkaktuar nga TVSH, ndërsa 146 milionë janë paratë që sipas SPAK ka përfituar me këtë skemë ish-Ministri Lefter Koka.

Sipas SPAK, deri më datën 30 Qershor 2022, për kompaninë e inceneratorit janë bërë pagesa nga shteti në vlerën e 4 miliardë e 202 milionë lekëve.

SPAK po e heton ish-deputetin Bllako edhe për inceneratorin e Elbasanit, së bashku me shtetasin Mirel Mërtiri, i cili është shpallur në kërkim. Edhe Klodian Zoto e Stela Gugallja janë në kërkim prej disa muajsh, për inceneratorin e Elbasanit.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button