Çmimi i energjisë elektrike në RMV nuk do rritet, por tatimi i rritur nga 1 janari do t’i “djegë” faturat

Njeriu i parë i ESM-së tha se fakti që disa kompani kanë kaluar nga tregu i lirë në atë të rregulluar, në të cilin energjia elektrike është e destinuar për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, nuk e ka rritur konsumin sepse gjatë muajit tetor dhe në fillim të muajit nëntor kemi pasur mot të ngrohtë. Mirëpo, ai tha se ato duhet të kthehen sa më parë në tregun e lirë dhe tha që janë të mira njoftimet për vendosjen e bllok tarifave në tregun e rregulluar edhe për kompanitë, ashtu siç është u bë me amvisëritë, që ata që shpenzojnë më shumë të paguajnë më shumë, kështu që kompanitë e mëdha nuk do kenë leverdi të jenë në tregun e rregulluar, njofton Portalb.mk.

E drejtori i SH.A. “Elektranat e Maqedonisë” (ESM), Vasko Kovaçevski, sot tha se nga 1 janari i vitit 2023 nuk pritet rritje e çmimit të energjisë elektrike, por sipas deklaratës së tij, mbetet tatimi më i lartë. Pra, që qytetarët të mos paguanin fatura më të larta në qershor të vitit të kaluar u zvogëlua tatimi dhe për momentin ai është 6 përqind, megjithatë vendimi që u mor parasheh rritjen e tij graduale deri në nivelin e vjetër prej 18 përqind. Kthimi i parë është planifikuar nga 1 janari vitit 2023, nga kur taksa duhet të jetë 10 përqind.

“Ajo që po bëjmë ne si ESM është që t’i zvogëlojmë dukshëm shpenzimet joproduktive, ta rrisim prodhimin vendor. Rritja e prodhimit vendor nënkupton edhe çmim më të ulët të energjisë elektrike të prodhuar në vend. Kështu që, në këtë drejtim, do mundohemi që çmimi të jetë i balancuar dhe, ashtu siç dëgjuat edhe nga ministri i ekonomisë edhe nga kryetari i Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRRE), nuk pritet që të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike, përveç se të asaj pjese të tatimit për të cilin të gjithë e dimë se nga 1 janari në vend të 5 duhet të jetë 10 përqind, sepse vitin e kaluar ashtu u vendos dhe sipas ligjit nga 1 janari të ketë rritje të tatimit, gjegjësisht kthim periodik të normës tatimore gjatë disa viteve të ardhshme deri në përqindjen që ishte para shpalljes së gjendjes së krizës dhe miratimit të vendimit për tatimin“, tha Kovaçevski.

Duke folur për prodhimin vendor të energjisë elektrike, në konferencën për shtyp ai tha se për periudhën nga 1 janari e deri më 31 dhjetor të këtij viti ESM e ka realizuar planin për rritjen e prodhimit.

Rritje shtesë të prodhimit ai paralajmëron nga muaji dhjetor kur në funksion duhet të vihet edhe blloku 3 në REK Manastir për të cilin u ble transformator i cili për momentin po transportohet drejt vendit tonë. Pritet që të arrijë deri më 22 nëntor, ndërsa pas dhjetë ditësh montim, kah fillimi i dhjetorit të vihet në funksion.

Drejtori i ESM tha se për shkak të nivelit të kënaqshëm të prodhimit të energjisë elektrike në vend, në muaji tetor nuk është blerë energji elektrike, ndërsa në gjysmën e parë të këtij muaji është blerë sasi vetëm për shtatë ditë, ndërkohë që po pritet import edhe në gjysmën e dytë të muajit.

Si edhe ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, edhe Kovaçevski blerjet i arsyetoi me atë që nëse merren parasysh çmimet e energjisë elektrike në bursa, vendi ka më shumë leverdi të importojë se sa të prodhojë energji elektrike.

“Blerjet bëhen për shkak të remontit që po bëhet në TEC Negotinë, gjegjësisht çmimi i prodhimit në TEC Negotinë është më i lartë se sa çmimet në bursa, prandaj është më mirë që të kursejmë mazut dhe para dhe të blejmë energji elektrike. Nga dhjetori, siç thashë, do e rrisim prodhimtarinë dhe ESM ka marrë përsipër që të bëjë një rritje prej minimum 20 përqind krahasuar me vitin e kaluar, e kjo do të thotë realizim prej 100 përqind të detyrimeve ndaj të gjithë organeve kontraktuese që i kemi“, tha Kovaçevski.

Ai vlerësoi se kalimi i kompanive nga tregu i lirë në atë të rregulluar, ku energjia elektrike është e destinuar për amvisëritë dhe konsumatorët e vegjël, nuk ka ndikuar në rritjen e konsumit për shkak të motit të ngrohtë gjatë tetorit dhe javës së parë të nëntorit.

Megjithatë, ai tha se duhet bërë sa më shpejt kthimi i tyre në tregun e lirë që të mos rritet çmimi i energjisë elektrike për qytetarët dhe konsumatorët e vegjël.

Në këtë drejtim, ai tha se janë të mira njoftimet e njeriut të parë të KRRE-së, Marko Bislimoski, për vendosjen e bllok tarifave në tregun e rregulluar dhe për kompanitë, ashtu siç u bë me amvisëritë, dhe në këtë mënyrë ata që shpenzojnë më shumë edhe të paguajnë më shumë, kështu që kompanitë e mëdha nuk do të përfitojnë nga të qenit në tregun e rregulluar.

“Me vendosjen e bllok tarifave që do duhet të zbatohet në fillim të vitit që vjen, çmimi i këtyre bllok tarifave nuk do lejojë që këta konsumatorë të kalojnë nga njëri treg në tjetrin. Por, ajo për çka pajtohem është se kjo duhet të bëhet sa më parë, sepse ata konsumatorë mund ta ngarkojnë edhe çmimin e energjisë elektrike për qytetarët dhe konsumatorët e vegjël”, tha Kovaçevski.

Përndryshe, Sh.A. ESM tanimë ka siguruar nëpërmjet “Makpetrolit” gaz rus nga “Gazpromi” për deri në fund të tetorit. Paraprakisht, kryeministri Dimitar Kovaçevski ka sqaruar se nëse rritet çmimi i gazit në përmasa enorme ose në ka ndalim të dërgimit të gazit, atëherë ngrohtoret e Shkupit mund të kenë mundësi të punojnë edhe me derivate alternative, gjegjësisht në mazut.

Nga 1 shtatori 2022 e deri më 31 mars 2023 në Maqedoni do të vlejnë masat për kursim të energjisë elektrike, me të cilat konsumi duhet të zvogëlohet për 15 për qind, me synim – “Kursimi i energjisë elektrike për dimër të sigurt”.

Nga Qeveria njoftuan se marzha për tregtinë e energjisë elektrike është kufizuar në 10%por kjo masë që kishte hyrë në fuqi më 15 qershor, nuk ka arritur të parandalojë rritjen e çmimeve. Paraprakisht nga Qeveria bënë thirrje që të respektohen masat për kursimin e energjisë elektrike dhe njoftuan se për përballimin e krizës energjetike janë siguruar mbi 100 milionë euro.

Te dhënat e Komisionit Rregullator për Energjetikë tregojnë se Maqedonia e Veriut, me 1.8 milion banorë, importon një të tretën e energjisë elektrike që i nevojitet. Në vitin 2021, në Maqedoninë e Veriut janë konsumuar 7.906 gigavat orë energji elektrike, ndërsa janë prodhuar 5.285 gigavat orë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button