RMV, studentët dhe shteti arritën marrëveshje për vaktin e subvencionuar

Takimi mes studentëve dhe përfaqësuesve të institucioneve shtetërore përfundoi me marrëveshje për vaktin e subvencionuar të studentëve. Sipas marrëveshjes, vakti do të paguhet për fillim si vitin e kaluar, përkatësisht deri më 15 mars studentët do t’i marrin mjetet në baza mujore, ndërsa shuma e vaktit mbetet 120 denarë në ditë. Megjithatë, deri më 15 dhjetor, studentët do të marrin fondet që u takonin për muajt tetor dhe nëntor, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Tërhiqen kriteret që hasën në protestën e studentëve dhe do të vazhdojnë të zbatohen kushtet që duhet të plotësonin studentët vitin e kaluar.

Zgjidhja e sistemit pritet të aplikohet nga muaji mars, sipas së cilës studentët do të kenë në dispozicion një vakt në ditë dhe do të mund ta blejnë atë nga ofruesit e regjistruar të shërbimeve përmes kartave të specializuara ose celularëve. Me aplikimin e zgjidhjes sistemore, parashihet rritje e shumës së vaktit të subvencionuar, së paku në 140 denarë, informoi pas takimit ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri.

Kryetari i Asamblesë Studentore Universitare të UKIM-së, Sllavço Temelkovski, pas takimit tha se kërkesat e studentëve janë pranuar dhe se në periudhën e ardhshme do të jenë pjesë e grupeve punuese që do të krijojnë zgjidhjen sistematike ligjore.

“Kërkesat që ne evidentuam dhe me të cilat dolëm publikisht dhe në mënyrë transparente u pranuan. Nga nesër do të jemi pjesë e të gjitha grupeve punuese që do të kontribuojnë për të sjellë një zgjidhje sistematike që presim të jetë afatgjatë dhe që do të sigurojë më shumë mjete dhe një mënyrë më të mirë të pagesës së ushqimit të studentëve”, tha Temelkovski.

Ai shtoi se qëllimi i takimeve të grupeve punuese është që të krijohet një zgjidhje, qëllimi përfundimtar i së cilës është që çdo student me kohë të plotë të ketë të drejtën e ushqimit të subvencionuar. Përveç vaktit, në mbledhjen në Kuvend u diskutua edhe për probleme të tjera me të cilat po përballen studentët aktualisht.

“Beteja është fituar, por lufta për standarde më të mira të studentëve dhe arsim cilësor ende vazhdon”, tha Temelkovski.

Nga Forumi për Ndryshime në Arsim thanë se as paga e prindërve, as bursa nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe e as statusi „absollvent” nuk do të ndalojnë studentët që të jenë përfitues të masës për një vakt ushqimor.

“Propozim-kushtet skandaloze për shfrytëzimin e kësaj mase u tërhoqën përfundimisht. Vlen të theksohet se përfaqësuesit e Forumit për Ndryshime në Arsim patën rol kyç në propozimin e zgjidhjeve më të kapshme dhe në favor të të gjithë studentëve të RMV-së pa dallim. Asgjë nuk përfundon këtu”, thanë nga Forumi për Ndryshime në Arsim.

Në takim morën pjesë edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski dhe ministri i Financave Fatmir Besimi. Pas daljes nga Kuvendi, Kovaçevski tha se gëzohet që studentët dhe shteti kanë gjetur një gjuhë të përbashkët për vaktin e subvencionuar dhe se në takim janë biseduar edhe për aspekte të tjera të standardit studentor, përfshirë gjendjen në konviktet e studentëve. Ai bëri të ditur se bashkë me Ministrinë e Arsimit do të bëhen të gjitha përpjekjet për përmirësimin e gjendjes në konvikte.

“Studentët gjithmonë kanë të drejtë të shprehin zërin e tyre, të nxjerrin në pah pikëpamjet e tyre dhe neve në Qeveri dhe deputetëve na takon t’i dëgjojmë ato pikëpamje, të bisedojmë me studentët dhe të gjejmë zgjidhje. Ka kaluar koha kur dikush mund të bënte çfarë të donte me studentët, sepse studentët janë fëmijët tanë dhe janë e ardhmja e këtij vendi”, tha Kovaçevski.

Gjysmë ore para se përfaqësuesit formal të studentëve të hynin në mbledhjen në Kuvend, nisi protesta e lëvizjes “Rezistenca Studentore”. Dhjetëra studentë përballë Parlamentit dërguan mesazhe përmes pankartave “Nuk mëson kur ke uri dhe të ftohtë”, “Ushqim studenti apo bast politik”, “Na dridhemi nga i ftohti, jo nga frika”. Fjala “Rezistencë” ishte pikturuar edhe në rrugën përballë Kuvendit.

Edhe pse propozim-ligji për ushqimin e subvencionuar u tërhoq, lëvizja u përgjigj se nuk ishte problemi i vetëm që kishin studentët.

Grupi kërkoi gjithashtu zëvendësimin e vakteve të studentëve me ato të deputetëve, duke iu ofruar një copë bukë dhe një simite në pjata plastike, pasi sipas tyre, kështu duket vakti i studentëve.

Përfaqësuesit e lëvizjes kërkuan një seancë të posaçme parlamentare në të cilën do të marrin pjesë edhe ata, gjatë së cilës përveç vaktit do të diskutohen edhe problemet e tjera me të cilat përballen studentët, përfshirë kushtet e këqija në konviktet e studentëve, bursat e pabarabarta dhe masat shtrënguese që shqetësojnë ato.

“Po ashtu, përveç ushqimeve të subvencionuara të studentëve, le të diskutojmë edhe problemet e tjera të studentëve. Po bursat? Po masat e kursimit të energjisë elektrike dhe kushtet në konviktet e studentëve? Ne kërkojmë që shuma e bursave të barazohet me shumën më të lartë që kemi apeluar një vit më parë. Gjithashtu, kërkojmë përjashtimin e studentëve nga masat e kursimit të energjisë elektrike të miratuara nga qeveria, që parashikojnë fikjen e frigoriferëve dhe ashensorëve në konviktet e studentëve, ndalimin e përdorimit të pajisjeve të ngrohjes vetanake në dhomat dhe dhomat e përbashkëta dhe një sërë të kushtece tjera që janë miratuar si masa nga Qeveria. Nuk duhet të lejojmë që të rinjtë në vend të kursehen”, apeloi lëvizja, e cila njoftoi se protesta do të vazhdojë edhe nesër.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button