Shifra interesante për trofeun e Botërorit

Kush nuk ka ëndërruar të paktën një herë sa ishte fëmijë që ta ngrejë lart trofeun e Kupës së Botës? Paraqitja në Kampionatin Botëror është ëndërr që nuk realizohet nga të gjithë futbollistët. Edhe më pak ia dalin që ta ngrenë lartë trofeun e kampionit, raporton Koha.net.

Të fitosh këtë trofe do të thotë të shndërrohesh në legjendë të futbollit dhe të kujtohesh gjatë gjithë jetës si hero.

Nga Diego Armando Maradona te Zinedine Zidane, nga Ronaldo te Bastian Schweinsteiger – ikona të lojës kanë pasur kënaqësinë që ta ngrenë lartë në qiell trofeun më të çmuar dhe kështu të bëhen pjesë e historisë.

1974

Në vitin 1970, Brazili ka siguruar titullin e tretë të botës në Meksikë dhe mori njëherë e përgjithmonë Trofeun Jules Rimet. I krijuar për ngjarjen inauguruese të futbollit ndërkombëtar në vitin 1930, kupa iu dha përfundimisht brazilianëve pasi ata e fituan tri herë.

Pas triumfit të “Selecaos” në vitin 1970, FIFA hapi konkurs për të përzgjedhur trofeun që do të prezantohej në vitin 1974, kur Botërori do të mbahej në Gjermaninë Perëndimore.

53

Plot 53 dizajne janë pranuar gjatë konkursit, ndërsa FIFA ka përzgjedhur veprën e skulptorit italian, Silvio Gazzaniga.

Trofeu, që ende i ndahet fituesit të Kupës së Botës, përfaqëson gëzimin e fitores me dy lojtarë të stilizuar që mbajnë lart botën.

“Bota është sferë, kështu që duket e ngjashme me topin e futbollit”, ka thënë disenjatori Gazzaniga.

36,8 x 13

I punuar nga ari i fortë prej 18 karat, trofeu është 36.8 cm i lartë dhe peshon 6.175 kg. Bazamenti, me diametër 13 centimetra, përbëhet nga dy shirita malakiti gjysmë të çmuar. Shiritat janë rinovuar disa herë, ndërsa u është shtuar një shtresë e re e mbështjelljes prej ari.

Pas restaurimit të fundit në vitin 2005, FIFA vendosi të ndalojë huazimin e trofeut origjinal për fituesin e Kupës së Botës.

Më herët fituesit e Kupës së Botës lejoheshin që ta shfaqnin trofeun në kabinetin e federatës së tyre, përpara se ta kthenin në FIFA për Botërorin e ardhshëm. Që nga viti 2006, kupa origjinale i jepet përfaqësueses fituese vetëm gjatë ceremonisë zyrtare dhe merret sërish nga përgjegjësit e FIFA-s. Përfaqësueses fituese i jepet më pas një kopje e saktë e trofeut origjinal.

12

Emrat e 12 përfaqësueseve që kanë fituar Kupën e Botës që nga viti 1974 janë gdhendur në pjesën e poshtme të bazamentit të trofeut. Ky trofe do të ndahet për herë të 13-të në Katar, muajin e ardhshëm.

3

Gjermania është përfaqësuesja që e ka fituar këtë trofe më së shpeshti. Gjermanët kanë festuar me trofe në tri raste. Fillimisht e fituan në vendin e tyre në vitin 1974, më pas në Itali në vitin 1990 dhe së fundi në Brazil në vitin 2014.

Për dallim nga Trofeu Jules Rimet, trofeu aktual nuk i dorëzohet përfundimisht përfaqësueses që e fiton tri herë. Nëse do të vlente ajo praktikë, Gjermania tashmë do ta kishte të drejtën për ta mbajtur Kupën aktuale të Botës.

8-4

Përfaqësueset evropiane e kanë fituar trofeun tetë herë që nga viti 1974. Katër herë fituese ishin përfaqësueset nga Amerika e Jugut. Pra Gjermania e ka fituar tri herë, ndërsa nga dy herë e kanë fituar Argjentina (1978, 1986), Italia (1982, 2006), Brazili (1994, 2002), Franca (1998, 2018), Spanja (2010).

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button