Sistemit shëndetësor urgjentisht i duhen reforma, kryeministri këtë e vërejti kur një anëtar i familjes së tij mjekohej nga kanceri

Termin për mamografi në Shkup nuk do të ketë në tre muajt e ardhshëm. Kryeministri Dimitar Kovaçevski për herë të parë me kritika për sistemin shëndetësor. Ai thotë se kemi mjekë profesionistë dhe pajisje të sofistikuara, por siç shton, sistemi ka nevojë për ndryshime të caktuara, transmeton TV21.

Kryeministri tha se kur e përjetoni atë si përvojë personale, kuptoni shumë gjëra.

“Përmes atyre përvojave personale do të kuptoni disa gjëra. Së pari se ata janë përgjegjës për menaxhim me sistemin, se duhet të punojnë për avancimin e sistemit dhe për rritjen e efikasitetit dhe performancave. Por, unë mësova edhe diçka tjetër –  se ne në vendin tonë kemi mjekë të shkëlqyer të cilët janë në nivel të Austrisë, SHBA-ve. Së dyti – se kemi pajisje në nivel të lartë, pajisje të sofistikuara dhe këtë po e them nga eksperienca personale. Neve na mungon që të vendosim një sistem i cili do të punojë për qytetarët dhe i cili do të ofrojë shërbime”, tha Kovaçevski.

Problemi me caktimin e terminëve zgjat me dekada të tëra, kurse zgjidhje, sipas paralajmërimeve të ministrit të Shëndetësisë, pritet pas Vitit të Ri.

“Promovoj racionalizëm dhe rajonizim të shërbimeve. Me kalimin e kohës, kjo është pasojë e një dekade ku në mënyrë joracionale u investua në pajisje dhe shpërndarje të shërbimeve shëndetësore. Andaj sot, pacientët e qyteteve të tjera po vijnë në Shkup për të marrë shërbime shëndetësore. Kjo situatë do të zgjasë deri në fund të vitit, nga janari nuk do të flasim nëse ka mamograf i në Negotinë, nëse do të ketë rëntgen në Strugë nëse mund të merret ndonjë shërbim shëndetësor në Shtip etj”, tha Bekim Sali.

Ministri shtoi se kohë pas kohe ka defekte të pajisjes së vjetërsuar, dhe siç thotë “fatkeqësisht, për këtë shkak nuk mund të riparohet me kohë, dhe kjo periudhë prej dy-tre muajve për riparim ndikon në listën e pacientëve”.

Edhe kryeministri me një eksperiencë personale në këtë aspekt.

“Sistemi duhet të funksionojë, të japë shërbime të shpejta. Edhe në familjen time kishte të sëmurë me kancer dhe kemi pritur për incizime etj”, pohoi Kovaçevski.

Sot spitali 8 Shtatori mori dy rezonanca magnetike tomografike dhe aparat me ultrazë përmes Programit për racionalizim në menaxhimin dhe modernizimin e teknologjisë biomjekësore në sektorin e shëndetësisë, me përkrahje kreditore të Italisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button