Stojanovski: Industria e dezinformimit ka burime të ndryshme, disa prej tyre janë të lidhura me ndikimet e huaja nga Rusia

Lufta në Ukrainë ka aktivizuar ndikimet e huaja e sidomos ata nga Rusia dhe dezinformimin që vjen nga andej. Kështu deklaroi Filip Stojanovski nga Metamorfozis sonte në debatin “Click Plus” në TV21, transmeton Portalb.mk.

Stojanovski vuri në dukje raportet e lajmeve me laboratorët biologjikë, si dhe që nazistët drejtojnë Ukrainën.

“Kjo luftë që po ndodh tani në Ukrainë, nuk ka ndodhur krejt papritur, ai terren është përgatitur prej vitesh, madje mund të thuash me dekada. E gjithë industria e dezinformimit që ekziston dhe ka burime të ndryshme, disa prej tyre janë të lidhura me këto ndikime të huaja, e veçanërisht nga Rusia u aktivizuan mjaft hapur për të promovuar qëllimet e Kremlinit”, thotë Stojanovski.

Komunikologu Bojan Kordalov theksoi se lufta po bëhet në dy fronte, ajo ushtarake s dhe ajo e informimit dhe dezinformimit.

“Tashmë duhet të na bëhet e qartë se nuk mund të bëhet një balancë në kushte lufte. Dhe në kohën kur bien bomba dhe granata, nuk mendoj se duhet të kërkojmë rrugën e mesme, por të kërkojmë anën që mendojmë se është e drejtë”, tha Kordalov duke shtuar se RMV-ja si anëtare e NATO-s jo vetëm që merr anë, por vendos edhe në votimin e vendimeve në aleancë.

Kryetari i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM), Mlladen Çadikovski, theksoi se hulumtimet tregojnë se përhapësit kryesorë të lajmeve të rreme janë politikanët dhe shtetet.

“Është e njëjta gjë me luftën në Ukrainë, por është gjithashtu rasti në kontekstet lokale ku përhapësit kryesorë të dezinformatave dhe lajmeve të rreme janë politikanët. E shihni se si transmetohen deklaratat e deputetëve, të politikanëve, të disa njerëzve që thonë gënjeshtra me lehtësi dhe pastaj e transmetojnë atë media”, tha Çadikovski.

Ndër të tjera, Stojanovski nga Metamorfozis nënvizoi se hulumtimet thonë se mashtrimet online janë në rritje.

“Kohëve të fundit ka pasur rritje të mashtrimeve online, është edhe një formë e dezinformimit që nuk është politik, por komercial”, tha  Stojanovski duke shtuar se e gjithë shoqëria duhet të mobilizohet dhe të merret me këtë problem.

Të gjitha këto komente u bënë në emisionin debativ Click Plus në TV21 mbi temën “Infodemia – si të qëndrojmë në anën e së vërtetës”.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button